LAJMI I FUNDIT:

Konfirmohen raportet e shkëlqyera ndërshtetërore Kosovë-Turqi

Konfirmohen raportet e shkëlqyera ndërshtetërore Kosovë-Turqi

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim zyrtar ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç me të cilën kanë biseduar për thellimin e mëtejshëm të raporteve bilaterale ndërmjet vendeve veçmas në aspektin ekonomik. Njëherësh, janë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Turqisë.

Ministri Hoxhaj e ka falënderuar ambasadoren Kiliç për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të shtetit turk dhënë Kosovës në rrugën e shtetndërtimit, zhvillimit, të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të shkëlqyera mes vete dhe këto marrëdhënie do të vazhdojnë të intensifikohen në vazhdimësi. Ne e falënderojmë Turqinë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që i jep vendit tonë në shumë fusha prej ekonomisë deri tek njohjet”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.


Gjatë takimit Hoxhaj shprehu edhe njëherë keqardhje për incidentin në Konsullatën e Turqisë në Prizren. Të dy, përgëzuan reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës në kapjen e personave përgjegjës, ndërsa incidenti u konsiderua si një rast i izoluar i cili nuk ndikon në marrëdhëniet ndërshtetërore. /Telegrafi/