LAJMI I FUNDIT:

Nafta do të kontrollohet edhe me laborator mobil

Nafta do të kontrollohet edhe me laborator  mobil
Foto: Arkiv

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë(MTI), për të mbikëqyrur tregun e naftës për periudhën vijuese, bazuar në standardet dhe procedurat e Bashkimit Evropian, po punon që të ketë më shumë kontrolle të naftës duke futur edhe metoda të reja.

Lulzim Krasniqi, shef i kabinetit të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se MTI-ja në vitin 2017 do të vë në funksion dy Laboratorë Mobil, të cilët do të rrisin shumë nivelin e inspektimit në këtë sektor.

“Inspektorati i MTI-së, në kuadër të fushëveprimit të vet, ka prioritet verifikimin dhe monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së Naftës dhe Derivateve të Naftës në tregun e brendshëm, dhe kjo reflekton edhe me rekomandimet për avancim të politikave dhe procedurave që synojnë ngritje të cilësisë së tregtimit dhe konsumit brenda Republikës së Kosovës”, ka thënë ai për RTKlive.


Sipas Krasniqit, Inspektorati i Tregut ka rritur sasinë e mostrave të marra, ku deri më 10 nëntor janë marrë 487 mostra për verifikim të cilësisë së Derivateve të Naftës. ”455 mostra kanë rezultuar Konform Udhëzimit Administrativ që adreson kriteret e cilësisë dhe konformitetit, ndërsa 32 kanë rezultuar Jo konform, të cilat të zbërthyera në përqindje qëndrojnë në raportin 93.4 % Konform dhe 6.6 % Jo Konform”.

Sipas tij, plani i MTI-së për të mbikëqyrur tregun naftës është ambicioz, i bazuar në standardet dhe procedurat e Bashkimit Evropian.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2017 do të vë në funksion dy Laborator Mobil, të cilët do të rrisin shumë nivelin e inspektimit në këtë sektor. Përmes këtyre pajisjeve do të sigurohen rezultate preliminare dhe aty për aty do të merren mostrat e cilësisë së karburanteve në treg”, ka thënë Lulzim Krasniqi Këshilltar në MTI.

Kurse Jakup Gashi nga laboratori testues i akredituar sipas standardit EN ISO 17025 dhe ISO 9001 “SIERRA LAB”, ka thënë për RTKlive, se raporti i progresit që kërkon veprime urgjente në fushën e standardeve të ndotjes është tregues se duhet të punohet në këtë drejtim.

Ndryshe në raportin e Progresit kërkohen veprime urgjente dhe kontrolla e ndotjes nga transporti, duke përforcuar legjislacionin në kontrollin teknike të makinave, kualitetin e naftës, si dhe në substancat shteruese të ozonit dhe gazrave të flourit. Kapacitetet administrative dhe aktivitetet në ngritjen e vetëdijesimit duhet të përforcohet konsiderueshëm. /Telegrafi/