LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët dhe serbët mund të pajtohen

Shqiptarët dhe serbët mund të pajtohen

Të ardhmen e vendit nuk mund ta ndërtojmë mbi urrejtje dhe mbi baza të hakmarrjes, por vetëm mbi bazën e interesit nacional. Kosova është vend i të gjithëve. Kështu është shprehur sot presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas takimit që kishte me 30 të rijnë të Nismës së të Rinjve për të Drejtave të Njeriut , nga Kosova dhe Serbia.

Thaçi po ashtu tha se nderimin e serbëve të vrarë e ka bërë me vetëdije dhe se do të vazhdoj t’i përkujtoj të gjitha viktimat në Kosovë, pa dallime etnike.

“Të ardhmen nuk mund ta ndërtojmë mbi urrejtjen, as mbi hakmarrjen, as vetëm mbi bazat e interesit nacional. Kosova është atdhe i krejt njerëzve të Kosovës, po punojmë që të ndërtojmë një demokraci qytetare të bazuar në qytetari , duke respektuar standardet më të lartat ndërkombëtare. Unë ndihem tepër mirë që ka vite e vite që s’kanë ndodhur incidente ndër etnike, ku kam shkuar me vetëdije të plotë tek pllakat ku janë të vrarë edhe disa fëmijë, disa fermer serb pas luftës, siç kam nderuar me dhimbje, pikëllim dhe krenari këto viktima të kryera edhe në Izbicë edhe në Krushë dhe në vendbanime tjera ku janë kryer masakra në përmasat e gjenocidit. Por, dje kam takuar edhe një grua serbe e cila e kishte burrin në burg, kam takuar edhe familjarë, gra dhe fëmijë , gra të veja të cilat jetojnë pa bashkëshortë, me fëmijë jetim. Dhimbja është e njëjtë si për atë që iu vr a burri, qoftë shqiptarë apo serb, pikërisht kjo gjendje emocionale e ndjeshmërisë dhe e domosdoshmërisë të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Edhe për çështjen e të pagjeturve…takimet që kam zhvilluar me dy shoqatat e shqiptarëve dhe të serbëve të zhdukur, kam kërkuar që kjo çështje urgjent të shtrohet për zgjedhje në Bruksel”, tha presidenti Thaçi.


Ai po ashtu ka thënë se përkujtimi dhe vendosja e luleve te pllaka e të vrarëve serb, është bërë me vetëdije të plotë nga ai, pasi, sipas tij, duhet të ndëshkohen të gjithë ata që kanë kryer krime.

“Unë e kam ditur shumë mirë se çka shkruan në ato pllaka, por kam dashur të dërgojë një mesazh se duhet definitivisht të ngadhënjejë drejtësia, dhe kushdo që këto veprime t’i ketë kryer, të ballafaqohet me drejtësinë. Asgjë nuk ka të përbashkët në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri me ato veprime individuale apo të grupeve kriminale, kushdo që ti ketë kryer. Kështu që mendoj që ne çdo herë duhet të shprehim keqardhje për çdo viktimë, por duhet të punojmë shumë për një mirëkuptim duhet të punojmë shumë për fqinjësi dhe për pajtim, nuk është se nuk mund të ketë pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve, askush nuk mund të thotë që nuk mund të ketë pajtim mes shqiptarëve dhe serbeve, unë besoj që mund të ketë pajtim, dhe besoj që dy popujt tanë do ta bëjnë mesazhin më të mirë në rajon, sepse një gjë e tillë mund të ndodh mes vendeve dhe popujve tanë”, tha Thaçi.

Presidenti ka thënë se të gjithë, dhe vetë institucioni që drejtonë, duhet të kenë përkushtim të përbashkët në normalizimin dhe pajtimin e raporteve të etnive mes shqiptarëve dhe serbëve, që është në kuadër të interesave të dy vendeve, të frymës evropiane, të tolerancës, mirëkuptimit dhe zhvillimit.