LAJMI I FUNDIT:

Ajeti bind trajnerin dhe tifozët

Ajeti bind trajnerin dhe tifozët

Arlind Ajeti po fiton çdo ditë e më shumë hapësira në radhët e Torinos, duke hedhur fuqimisht kandidaturën për një vend mes titullarëve në skuadrën e drejtuar nga Sinisha Mihajlovic.

Ky fakt ka rënë në sy sidomos në ndeshjen e fundit që Torino zhvilloi ndaj Ingolshtad, në të cilin mbrojtësi shqiptar përfitoi nga mungesa e Maksimovic për të treguar menjëherë vlerat e tij në qendër të prapavijës.


E përditshmja sportive italiane, “Tuttosport”, përmend futbollistin shqiptar pikërisht në shkrimin e saj të sotëm në faqen e parë. “Munden me personalitet gjermanët e Ingolshtad. Ljajiç magjeps, Ajeti i fiton të gjithë”, shkruante gazeta prestigjioz.

Ndërkaq, portalet e ndryshme sportive pranë skuadrës së Torinos si “toronews.net” dhe “toro.it”, i kanë kushtuar shkrime të veçanta mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare duke theksuar se edhe tifozët e pranishëm në stadium, kishin duartrokitur shpesh ndërhyrjet e tij.

Ajo që kishte rënë më tepër në sy, sipas portaleve italiane, ishte se Ajeti ishte kthyer brenda pak minutash në liderin e mbrojtjes së Torinos, duke dhënë udhëzime për shokët e repartit dhe duke orientuar vendosjen e prapavijës.

“Në një ndeshje pak spektakolare dhe shumë të ashpër, spikati mbrojtësi i pakalueshëm, dhe pak rëndësi ka që bëhet fjalë për futbollin e gushtit. Ka rëndësi vendosmëria, ambicia dhe dëshira për të shpërthyer, ato që dje, Ajeti, padyshim i tregoi. Dhe që u vlerësuan nga tifozët dhe jo vetëm”, shkruante portali “toro.it” për mbrojtësin kuqezi.