LAJMI I FUNDIT:

PANTA REI – luftë për dashurinë…

PANTA REI – luftë për dashurinë…

Të guxosh brenda të arsyeshmes me melodinë, lirikën dhe zërin që përkëdhelin shpirtin e secilit.

Artisti Shkumbin Tafilaj, me projektin muzikor #pantarei, u shndërrua në pikën referuese të medieve në regjion. Zgjodhi Prishtinën për ta lansuar në botë fotografinë e re të qytetarisë bashkëkohore në një tribut për komunitetin LGBTI.

Ai, është nga të paktët artistë shqiptarë të cilët ia kanë kushtuar karrierën e tyre ekskluzivisht kauzave në mbështetje të zhvillimit social e kulturor.


Në këtë intervistë për Telegrafin, Shkumbini, tregon rreth projektit muzikor #pantarei dhe dimensionit artistik krijues të tij në fushën e lirikës për këngët dhe solo karrierës.

“Pa ty“, “Rruga 22“, “Panta rei“, janë vetëm disa nga tekstet e këngëve që trajtojnë të vërtetën dhe përcjellin mesazhe të fuqishme sociale në kauza të rëndësishme, si: Forca e Familjes, Dimensioni i dashurisë dhe Ftesa për të respektuar komunitetin LGBTI.

Kritika muzikore e njohën dhe e çmuan talentin e tij, së pari në lirikën unike dhe interpretimin vokal me karakter.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Sigurisht në mbështetje të këtij komuniteti ka lindur edhe ideja juaj duke realizuar një projekt muzikor të guximshëm, sepse ju e konsideroni se, dashuria nuk njeh gjini?

Për hir të së vërtetës, ideja për të trajtuar një tabu temë në shoqërinë tonë, ka zgjuar të unë dhe ekipi nxitjen profesionale. Dashuria duhet të jetë në shërbimin e njerëzimit, ajo vetëm kur dhurohet merr kuptimin e e vërtet të saj. Punuam sinqerisht mbi vlerat e asaj që i jap kuptim jetës, duke insistuar në promovimin e kësaj vlere, duke e shndërruar në mesazhin kryesor të vetë projektit. Dashuria, kjo forcë e mbi natyrshme, në ngritje në dukje e vështirë, ashtu siç janë gjithmonë ngritjet e mëdha, e shndërruam në tribut për të mohuarit, nxitem vlerat e kapërcimit të vetes, duke besuar që këtë betejë do të duhet ta fitojmë mbi veten ç’do ditë.

Prekëm limitet dhe kuptuam se limitet me të mëdha në jetë ndodhin atëherë, kur t’i i vendos të mendosh, për limitet. Jeta është e ndërtuar mbi dashurinë, dhe përditshmëria jonë duhet të jetë e ndërtuar mbi dashurin dhe respektin.

Dashuria, nuk ka kosto financiare, ajo është e lirë dhe vetëm duhet të dhurohet. Dashuria, nuk ka kufij, nuk ka gjini, nuk ka moshë, nuk ka fe, nuk ka etiketa. Dashuria është dashuri!

Fotografija 1 Shkumbin Tafilaj - Photo by - Endrit Mertiri

A keni patur problem të gjeni bartësit e projektit tuaj dhe ju personalisht si jeni ndjerë?

Para vetes, kisha renditur qëllime të larta profesionale dhe isha kërkues të trajtoja projektin muzikor me krijuesit me referues në industrinë e muzikës dhe artit vizualizues. Për mua ishte nder dhe kënaqësi e posaçme profesionale që të interpretoja një material muzikor të kompozitorit z.Florent Boshnjaku, i cili me mjeshtërinë e jashtëzakonshme, i dhuroi dimensionin unik një vepre e cila tejkalon standardin e një këngë të zakonshme.

Melodia e “ PANTA REI “, ishte infiniti për inspirimin drejt lirikes e cili shprehë në frazat e para, gjendjen e një djali i cili ka orientimin sexual homo, në fraza shprehet rrëfimi përball pasqyrës në agimin e një ditë të re. Për të vazhduar me pranimin e realitetit brenda vetes se fati nuk mund të ndryshoj, është kodi identifikues i jetës. Në refren vendosëm pyetjen e pa kuptimit, me te cilat përballen komuniteti LGBTI dhe e përmbyllëm me mesazhin më pozitiv që kjo e vërtet është krenari e jetës.

U shërbeva me maksimën greke, të epokës para Sokratiane, të filozofit Herakliti. Ishte titulli i duhur për të përmbledhur forcën e ndryshimit dhe largimin e mëdyshjeve për të pranuar këtë ndryshim në jetën e të tjerëve. Panta rei, “Askush kurrë nuk ka kaluar në të njëjtin lum dy herë, sepse ky nuk është lum i një jete dha ai nuk është i njëjti njeri”.

“PANTA REI “, kjo shprehje artistike e veçantë e cila do të duhej të ishte shprehje e një dimensioni gjithëpërfshirës, si e tillë nevojitej të vizualizohej ne mënyrë që të drejtat për transmetimin e mesazhit i cili ka për qëllim, ngritjen e ndërgjegjësimit në masë për STOP njëanshmërive e paragjykimeve për komunitetin LGBTI, në Kosovë dhe regjion, ti takonin të gjithë transmetuesve publik. Stafi i Business Development Institute në Prishtinë, Znj. Dafina Turkeshi dhe Znj. Florentina Dushi, zhvilluan projektin dhe ky proces u menaxhua nga Znj. Vlora Ismajli. Projekti kaloi fazën e aplikimit në Ambasadën e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, e cila e mbështeti fazën e vizualizimit e projektit muzikor “PANTA REI “, e cila e listoi në grupin e projekteve për mbështetjen e Demokracisë, Promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe Zgjidhjeve të problemve socio-politike.

Mbështetja e madhe profesionale e emrave të njohur në industrinë e muzikës, vizualizimit, zhvillimit të projektit etj, i dhuruan kohën e duhur, “PANTA REI “, me qëllim që fuqia e saj të trokas në ndërgjegjen e të gjithë atyre që luhaten në dyshimet për të qenë bekim i të drejtës së atyre që janë homoseksual. Një rol të rëndësishëm patën dhe vizualizuesit: 2B Cinema dhe Momento Film të cilët zgjodhën artin kontemporan për ta veshur me imazhe projektin muzikor Panta rei. Kontribut të madh, dhanë dhe mediet në vend dhe regjion, të cilat e pasqyruan mesazhin e projektit muzikor në mënyrën më të mirë.

Fotografia 2 - Shkumbin Tafilaj -Mr. Jan Braathu - Photo by - Alban S

Dashuria e lirë prodhon njerëz të lirë dhe një shoqëri të lirë. A ishte kjo ideja?

Njerëz të lirë në një shoqëri pa paragjykime me forcën e madhe mbështetëse për njëri-tjetrin, të fokusuar në ndjenjën e dashurisë për qeniet humane. Pas çdo përballje me projektin muzikor Panta rei, ndjenë dashurinë për jetën, ndjenë dashurinë për Artin. Qeniet humane flasin me gjuhën e shpirtit, këtë gjuhë zgjodhëm ta transmetojmë për audiencën. Panta rei, të kujton zërin e kohës së vjetër të epokës që ndoshta edhe nuk i takon, por mes notash zbulon identitetin atë që është monumentale brenda këngës. Përtej kësaj, forcën e lirimit nga kafazi, kategoria që një grup i caktuar njerëzish ka dëshirën ta etiketoj. Qasja drejt #pantarei, ishte e vërteta ndaj notave dhe lirikës, punuam fuqishëm drejt rolit për t’i prekur të gjitha ngjyrat, sepse ato ekzistojnë për njerëzit, prekem të vërtetën, punuam me mendje të hapur dhe morëm nga ndjenja e zemrës dhe i dhamë zërit detyrën që t’i transmetojë emocionet, u dhamë deri në frymën e fundit për të sjell shpresën për ditët me diell, dimensionin e ri te jetës.

Panta rei është një histori dashurie që mbanë një dhembje shkatërruese dhe forcën e kurajës “krenarisë”, për të besuar në mundësinë për të jetuar lirshëm dhe pa brenga. Panta rei NUK është histori personale, por ajo përfaqëson tregimin e secilit që ka kaluar në këtë dhembje. Zgjodhëm këtë gjuhë të komunikimit për të shprehur, kuptimin e lirisë, nevojën për lirinë dhe respektimin e lirisë të tjerëve.

Fatkeqësisht, pjesëtarët e këtij komuniteti ende etiketohen, baltosen, fyhen, madje quhen edhe njerëz të sëmurë. Si të mbrohen ata nga aksionet e tilla?

Ndoshta me mirë të parashtrohet pyetja se si të punohet me heteroseksualët homofob dhe sjelljet homofobike. Homoseksualiteti nuk është sëmundje, bazuar edhe në definicionet shkencore. Homoseksualiteti nuk është trend, nuk mund të konsiderohet as progres dhe as regres, është thjesht një e vërtet e njerëzimit, ekzistenca e saj i referohet vetë ekzistencës së hershme të njerëzimit. Gjithnjë e më shumë do t’i afrohemi të vërtetës nëse do ta trajtonim si sëmundje homofobinë dhe si nevojë për ta studiuar dhe kuptuar në thelb ndryshimet dhe formimin e tyre dhe kulturës homoseksuale. Mbrojtja më e mirë në çdo aspekt të jetës është e vërteta, guximi për t’i qëndruar të vërtetës dhe për të argumentuar të vërtetën si të vetmen mburojë nga një rreth i cili është i papërgatitur për të pranuar informatën dhe ta absorbojë atë, me qëllim krijimin e një mendimi të vërtet të bazuar në të gjitha dimensionet e jetës.

Konfidenca, është një vlerë e shtuar e karakterit të secilit njeri, të jesh vetvetja, duke mos u ndikuar nga opinionet, fjalët e të tjerëve, është betejë të cilën duhet ta jetojmë ç’do ditë. Panta rei është ftesë për gjetjen e rrugës dhe kujdesit për të, sepse e ardhmja fillon nga e shkuara. Duke respektuar veten, do të leni ketë gjurmë si mesazh për të tjerët. Kur të ketë kaluar stuhia, nuk do të mbash mend se si ja dole apo si mbijetove. As nuk do të jesh i sigurt nëse stuhia ka kaluar me të vërtetë. Një gjë e vetme është e sigurt. Sapo të ketë kaluar stuhia, ti dhe ajo nuk do të jeni më kurrë të njëjti persona me atë/ato që ishe para se të fillonte stuhia, thjesht do te kemi mundësi të reja të besojmë në frymën e re.

Shkumbin Tafilaj - Photo by - Alban S

Çfarë mund të bëjë arti për grupet e rrezikuara të shoqërisë?

Arti dhe format e tij shprehëse janë gjuha universale e komunikimit, gjuha e cila shëron dhembjet dhe traumat më të mëdha të historisë së njerëzimit. Është argument i provuar se arti ka krijuar mundësi të reja dhe ka hapur pista të reja të mendimit. Pa dyshim asnjë ndryshim i madh e me vlerë sociale nuk ka arritur të jetë në funksion të shoqërisë pa u nxitur nga Arti dhe krijimtaria artistike. Le te guxojmë të themi se Arti, është dritë në ç’do errësirë.

Muzika ka një fuqi të jashtëzakonshme, melodia, fjalët, emocionet, janë aty për t’u shprehur ne të njëjtën kohë dhe kjo është mrekulli. Dhe kjo është arsyeja pse ne si ekip kemi besuar në fuqinë e përcjelljes së mesazhit përmes muzikës si formë artistike.

Panta rei, nuk ka tentuar të shfaq histori personale, por përmes rrëfimeve plot dhimbje, trishtimi dhe gëzimi të bart tregimin për trysninë, stigmën, dhe paragjykimin. Kjo është parashtruar në formë stilistike, ku pesha e melodisë dhe fjalës brenda materialit muzikor, ndërtojnë relacionet me vetëdijen e e audiencës.

Sa mund t’i rregullojë këto çështje kushtetuta dhe ligjet e saj, apo është çështje debatesh dhe vetëdijesim se ‘lidhja’ duhet të jetë  e vullnetshme?

Kosova ka një bazë kushtetuese e ligjore  bashkëkohore, andaj në këtë aspekt ç’do gjë e është e rregulluar. Besoj, problematika ekziston në zbatimin e ndëshkueshmërisë ligjore për të gjithë ata/ato që fyejnë dhe cenojnë liritë e të tjerëve. Por padyshim, debatimi mbi një temë tabu, si ekzistenca dhe nevoja për të respektuar e përkrahur komunitetitn LGBTI do të duhet të jetë më aktive, një rol kyç mund ta luajnë mediet, personalitetet të njohura me impakt publik nga fusha respektive dhe familja si celula më e vlefshme e shoqërisë.

Ju, keni kontribuar që kjo lëvizje së paku të dalë nga anonimiteti dhe për shtresën e gjerë nuk ka qenë diçka e paimagjinueshme. Në këtë kontekst, njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe muajin e kaluar, në Prishtinë, pro kauzës LGBTI, patëm një marshim përkrahës të tyre?

Roli i çdo artisti krijues dhe personalitetit me ndikim në shoqëri, është avokimi i kauzave të rëndësishme sociale, përmes artit të tyre shprehës. Unë e ndjeva si të tillë, përmes gjuhës së artit të shpreh një dramë sociale, e cila na kujton se jo shumë vite më parë, shoqëria jone ishte dhunuese ndaj këtyre pjesëtarëve të shoqërisë, në disa raste ishte dhe vrasëse dhe nga kjo dhunë, pjesëtarët e komunitetit u izoluan akoma më shumë duke e pasur më të vështirë jetën dhe të vërtetën.

Ç’do formë tjetër sensibilizuese me karakter informues, është një e mirë e cila mund të ndahet me të tjerët. Shpresoj, e ardhmja ta rendis Kosovën si një pikë referuese, ku ky parakalim do t’i ngjajë një feste shumëngjyrëshe, ku liritë dhe të drejtat e njeriut promovohen të bashkuara dhe me ngjyrat që ato përfaqësojnë.

Photo 1 - pantarei

Në këtë marsh pati edhe figura të njohura politike e artistike. A konsideroni se po krijohen rrethanat kjo lëvizje të veprojë hapstas dhe pa u penguar?

Përqafimi i diversitetit social nga figurat politike vendore, është një hap i vonuar, por i mirëseardhur. Në të shumtën e rasteve ngjanë si një plotësim i domosdoshëm për profilin e tyre politik.  Trupi diplomatik ndërkombëtar i akredituar në vendin tonë, nuk kanë reshtur së promovuari të drejtat e komunitetit LGBTI, jo vetëm me menaxhimin e fondeve ndërkombëtare me dedikim promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, por edhe me agjendën e tyre profesionale. Besoj se kjo kulturë politike e shprehur ndër vite në vendin tonë, ka qenë një nga mësimet më të mira për kastën politike homofobike dhe disa të tjerë pjesëtarë të të njëjtës kastë të cilët kanë marrë përsipër hapjen e  tyre dhe zhvillimin personal.

Shoqëria Shqiptare, Ballkani në përgjithësi ka shumë për të bërë në hapjen dhe zhvillimin e kulturës së diversitetit social.  Besoj që të jetuarit në një ambient ku e drejta e zgjedhjes dhe respektimi i të drejtës së orientimit seksual, do të jetë vlera më e madhe që kombet mund t’i lënë në trashëgimi brezave që do t’i takojnë botës dhe të ardhmes.

Rritja e numrit të këtij komuniteti, a do të thotë se e rrezikon gjininë e kundërt dhe vlerat e familjes nuk prishen nga dy qenie të së njëjtës gjini që jetojnë bashkë?

Të jetuarit jetën në formën e lirë dhe të vërtet, është një ndër të drejtat më të proklamuara të mileniumit të ri. Në një dilemë të llojit: “Më mirë një fëmij me dy prind të të njëjtës gjini apo një fëmijë pa përkujdesje prindërore”, padyshim që do e favorizoja të parën: “Më mirë një fëmijë me dy prindër të të njëjtës gjini dhe i lirë për të jetuar orientimin e tij seksual edhe hetero, brenda një familje pro homoseksuale.

Format e zhvillimit të familjes, rritjes, sigurisht në shekujt në vijim, do të marrin formën e asaj që bazohet në liritë dhe të drejtat e njeriut. Rritja në numër e anëtarëve të këtij komuniteti në botë, nuk mund të nënvizohet si rrezik për gjinitë dhe familjen. Shembuj të ndryshëm në botën e Artit dhe Kulturës, kanë dhe janë duke pilotuar modelin e familjes me prind të të njëjtës gjini, duke e renditur si piken kyçe për fëmijët e adoptuar ose të lindur nga nënat biologjike donatore, të njohura në terminologjinë latine si Nëna Surrogate.

Historia njeh se edhe poetët më të lartësuar të kohës, e kanë trajtuar këtë fenomen, për të mos thënë se disa syresh edhe vetë kanë qenë gej?

Sa për parantezë, autori i njohur Oscar Wilde (Oscar Fingal O’Flahertie Wills Wilde ), ishte një homoseksual. Sistemi politik e dënoi me burg. Sappho, poete e njohur e Greqisë antike, nga intelektualet e letërsisë është pohuar se ajo ishte një lesbiane. Poetja e njohur amerikane, Emily Dickinson, ka përshfaqur në publik orientimin seksual duke pohuar marrëdhënien e dashurisë me kunatën e vet Znj. Susan. William Shakespeare, autori i njohur britanik, në qarqet e intelektualëve të letërsisë është njohur si një homoseksual (biseksual/gay). Karin Boye, poete dhe noveliste e njohur suedeze është e njohur për guximin dhe shprehjen e saj të orientimit seksual homoseksual (lesbian). Carol Ann Duffy, poete e njohur, laurate e çmimit mbretëror për poezi në Mbretërinë e Bashkuar, është gruaja e parë e cila e ka përshfaqur orientimin e saj në publik në Skoci (lesbian). Truman Capote, novelist dhe skenarist filmash i njohur amerikan, është një ndër emrat e parë në vitet e 1920, që ka shprehur në publik orientimin e tij seksual (gay). Emra të njohur të lartëshënuar i kanë dhuruar mendësisë  intelektuale dhe qytetrimit në përgjithësi aq shumë, ” A mund të paramendoni botën pa gurët e çmuar që të tillë personalitet i kanë vendosur në themelet e shoqërisë bashkëkohore? “,  andaj kjo është një shpresë e madhe për të besuar në anëtarët e komunitetit LGBTI, pasiqë edhe brenda tyre mund të ketë talente të një kalibri profesional e intelektual. Vlera më e madhe e njerëzimit padyshim mbetët aftësia për t’i pranuar të tjerët duke mos i gjykuar ata dhe duke mos i gjykuar ne i lëmë të lirë në shprehjet e tyre dhe nga krijimet e tyre mund të përfitojmë shumë.

Photo 5 - pantarei

Ky komunitet e shkel të drejtën bazë qoftë fetare apo shoqërore për krijimin e një familjeje mbi baza të shëndosha?

Ky patjetër që mund të quhet një perceptim subjektiv, religjioni shprehë bazën e një jetë të shëndetshme dhe rendit disa pika referuese mbi jetën dhe nevojat në të. Por përtej religjionit dhe brenda tij, janë njerëzit me nevojat e tyre reale për mundësinë për të jetuar të vërtetën e cila po ashtu proklamohet nga religjioni. Dashuria është vlerë sublime e komplekse e jetës, e cila po ashtu promovohet nga religjioni dhe historitë e LGBTI, janë të mbështetura në këtë nevojë, shprehjen e lirë për të plotësuar nevojën për t’u dashuruar dhe për mos t’u ndjerë të dhunuar. Në qoftëse në peshoren e rëndësisë duhet të marrim ketë të fundit, familja mbi baza të shëndosha, por e dhunuar nga ndjenjat e brendshme, atëherë ky padyshim që mund të jetë një farsë e jetës.

Gjatë periudhës së shkrimit të lirikës për projektin muzikor Panta rei, kam studiuar aspekte të ndryshme të jetës dhe vlerave, të cilat mund t’i atakoj dhe kam arritur në një përfundim: Baza e ç’do hapi në jetë është dashuria, nga e cila nuk mund të ketë asnjëherë të këqija. Dhe përtej religjionit si një vlerë komplekse rregullash dhe këshillash, predikimi kryesor për njerëzimin mbetet paqja me veten, hapësirën ku jeton dhe njerëzit me të cilët rrethohesh. Të cilët duhet të japin dhe të marrin nga njëri-tjetri.

Sot nuk është herët të flasim për rezultatet e para të prindërve me orientim seksual homo, fëmijët e rritur në një hapësirë të lirë me prindër homoseksual, nuk ndikohen në orientimin e tyre ( të fëmijëve të adoptuar), prandaj edhe kjo vlerë e re komplekse familjare duhet të respektohet.

Në vendet e tjera, drejtuesit e shtetit, por edhe personazhet e njohura, pranojnë publikisht që i përkasin një orientimi tjetër seksual. Mendoni se nëse hidhet ky hap i parë publikisht, njerëzit do e kenë më të lehtë t’i pranojnë si komunitet?

Besoj thellësisht se mundësia për të jetuar jetën e vërtet, ashtu siç ata/ato ndihen është mundësia e vetme për të promovuar llojin brenda shoqërisë. Duhet të kalojnë vite që diskursi politik të marr formësimin e duhur intelektual dhe të fitojë në konfidencën e tij me qëllim mundësinë për të qenë bartëse e një të vërtete sociale me një peshë kaq të madhe. Në këtë periudhë në te cilën jetojmë, politikanet kanë një formim tejet të brishtë intelektual dhe profesional dhe si të tillë, promovimi i të drejtave të njeriut nga ana e tyre shpesh herë e rrezikon vete të drejtën. Unë besoj thellësisht se familja si celulë e shoqërisë, është ndryshimi brenda vetë shoqërisë. Hapat e tillë shpresëdhënës, duhet të fillohen nga familja për të kaluar në nivele dhe kategori të tjera sociale. Sistemi politik, mund të jetë promovuese e këtyre vlerave sociale, mund t’i lartësoj ato në rang ndërkombëtar duke e promovuar vendin si një vend ku liritë dhe të drejtat e njeriut respektohen dhe mbrohen.

Photo 6 - pantarei

Në çfarë projekti aktualisht po punon dhe nga i merr idetë dhe inspirimet?

Panta rei, ka konfirmuar suksesin dhe është motivuese për projektet e radhës, të cilat kanë qëllime fisnike me vlera të posaçme sociale, ku kryefjala e tyre do të jetë ajo ç’ka në shoqërinë tonë vazhdon të jetë TABU.

E dini se burim i pashterur mbeten jetët tona, mbetet njerëzimi dhe historia e tij. Dhe asnjëherë nuk dua të largohem nga kjo pikë. Dëshiroj gjithmonë që nxitjen profesionale për projektet artistike ta gjejë të njerëzit dhe historitë e tyre. Siç duket kjo është energjia që vjen nga universi, për të marrë formën vetëshprehëse, gjuhen e re të komunikimit përmes lirikes. Unë kam spikatur me liriken e thellë, të një dimensioni real e të prekshëm i veshur me vlera të posaçme stilistike. Tekstet për këngë, janë një udhëtim në mesë botës reale dhe ndjenjës intime të njerëzve, ku fjala angazhohet të shprehë portretin i cili nuk fsheh asnjë dallim mes jetës dhe artit. Imagjinata është çelësi për tekstet. Pjesa tjetër është fantazia drejt universit.

Mbetem i vendosur për të mos negociuar me pasionin, por i dedikuar që fuqia krijuese të ketë rrjedhën e saj normale, ku qielli është limiti dhe fuqia shprehëse forca e një uragani shprehës. Janë padyshim pikat influencuese të krijimtarisë sime dhe mënyrës se si unë dua të komunikoj dhe thellësisht besoj se “Historinë e krijojnë ata që i thyen rregullat“. I tillë është edhe projekti i radhës pas “Panta rei“, i cili flet për ndërdijen kolektive të pushuar, të drejtpeshuar, të heshtur, të matur,dhe të çlodhur, e cila admiron mendimin e saktë dhe beson që e jetojnë atë, por thellë-thellë brenda vetes si vullkan shpërthen mosdurimi, paragjykimi ndaj një tjetër pjesë të komunitetit. Aktualisht, jam duke punuar rreth lirikës e cila duhet të peshojë rëndë brenda këtij projekti dhe të arrij të prodhoj magnetizëm të madh në skenë.

Është e bukur kur zemërimi i dikujt tjetër bëhet zëri yt, dhe vlerën e madhe i jap atëherë kur unë këndoj, nxjerr ç’do emocion të jetës, që unë e kam parë dhe dëgjuar. Thjesht jeton një mrekulli. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Arrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio

Arrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio

Lajme
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdha për Amir Rrahmanin

“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdha për Amir Rrahmanin

Serie A
Aksident i rëndë në Suharekë, vdes një person

Aksident i rëndë në Suharekë, vdes një person

Kronika e Zezë
Këngëtarja Grimes flet për betejën e kujdestarisë së fëmijëve me Elon Musk: Flija dhe qaja, postimet e mia në Instagram u morën si provë që nuk jam nënë e mirë

Këngëtarja Grimes flet për betejën e kujdestarisë së fëmijëve me Elon Musk: Flija dhe qaja, postimet e mia në Instagram u morën si provë që nuk jam nënë e mirë

Magazina
Real Madridi i përgjigjet interesimit të Arsenalit për Arda Guler

Real Madridi i përgjigjet interesimit të Arsenalit për Arda Guler

Ndërkombëtare
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Kalo në kategori