LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti: Maturantët e këtij viti, armata e ardhshme e Kosovës

Ahmeti: Maturantët e këtij viti, armata e ardhshme e Kosovës

Të emocionuar, duke kujtuar gjithë kohën që e kaluan së bashku, me ditë të lumtura e të hidhura, nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë mbajtën ceremoninë e diplomimit.

447 maturantë morën certifikatat, me të cilat shënuan diplomimin me një notë mesatare 4.20. Nga drejtori i shkollës dhe Komuna e Prishtinës, në ceremoninë e diplomimit, u tha se ata janë një nga gjeneratat më të mira e më të suksesshme që ka nxjerrë kjo shkollë në vitet e fundit.

Me poezi, pika muzikore, e video-film, të përgatitur nga vetë nxënësit, maturantët e “Sami Frashërit” ndanë momentet e fundit së bashku, si nxënës të një shkolle.


Ata kujtuan momentet e gëzimit, hidhërimit e edhe ato ditë kur u iknin mësimeve.

“Ngjarjet më të mira në jetë kanë ndodhë në tre vitet e fundit me njerëz që kanë me u kujtua gjithë jetën. Lidhjet që janë formuar mes neve, që i kemi rritë dhe që jemi rritë bashkë me to. Qysh kemi fol në orë, qysh kemi kes h, qysh na ka rrok paniku për ndonjë test, kur ka pas me na pyet ndonjë profesor, qysh nuk është nejt në orë, por edhe qysh nuk kemi nejt në orë. E kjo e fundit ka qenë më e ëmbla prej krejtve”, tha nxënësi Liron Morina.

Liron Morina u shpall nga shkolla si nxënësi më i mirë i gjeneratës.

Në fjalën tij, ai tha se janë të vetëdijshëm për sfidat që i presin, por që nuk u mungon vullneti për të punuar, në mënyrë që të realizojnë ëndrrat e tyre.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se nga kjo gjeneratë pret që të bëjnë ndryshimin më të madh, krahasuar me gjeneratat e tanishme që punojnë për ndërtimin e Prishtinës dhe gjithë Kosovës.

“Pres nga ju, gjeneratat e reja, posaçërisht ju që po diplomoni s ivjet, që me të vërtetë ta bëni ndryshimin edhe më të madh sesa atë që po mundohemi ne ta bëjmë. Çdo gjeneratë duhet të bëjë shumë më shumë se gjeneratat tjera, andaj me sinqeritetin më të madh po them se e di që ndonjëri prej juve edhe do të jetë në politikë, ndonjëri edhe do të jetë kryetar, e di që do të bëni një punë shumë më të mirë sesa që e bëjmë ne sot”, tha ai.

I pari i Prishtinës u foli nxënësve edhe për shkollimin dhe diplomimin e tij, 20 vjet më parë.

Mes fjalësh, Ahmeti përdori edhe shaka, të cilat u përcjellën edhe nga vet nxënësit.

“Para se me fishkëllu, unë kam diplomuar në gjimnazin ‘Xhevdet Doda’, por unë jam kryetar i komunës. Po shpresoj që kryetari i ardhshëm me qenë prej gjimnazit ‘Sami Frashëri’. Ky rivalitet mes këtyre gjimnazeve ka qenë gjithmonë i shëndetshëm, vazhdon të jetë, është ajo që e bënë shpirtin e Prishtinës më interesant”, tha ai.

Ndërsa drejtori i shkollës, Osman Beka, tha se ndjehet krenar me këtë gjeneratë, të cilët i quajti armatë të Republikës së Kosovës.

“Ka qenë njëra nga gjeneratat më të respektuara dhe më të mira sa i përket sjelljeve dhe veprimeve. Këtë shëmbëlltyrë të tyre ata e kanë përmbyllë me një sukses jashtëzakonisht të lartë, dhe ky sukses është se nota mesatare e maturantëve të sivjetmë është 4.20. Fillimisht thash se kjo do të jetë gjeneratë e armatës së Republikës së Kosovës, sepse jeni gjeneratë e së ardhmes”, tha ai.

Organizimi i kësaj ceremonie u mbajt në amfiteatrin e Parkut “Gërmia” në Prishtinë, me iniciativë të vetë nxënësve, e cila u mbështet nga Komuna e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës këtë vit ka nxjerrë 3500 maturantë./Telegrafi/