LAJMI I FUNDIT:

Nisma demanton VV-në: Trillime të llojit të halucinacioneve

Nisma demanton VV-në: Trillime të llojit të halucinacioneve

Nisma për Kosovën ka demantuar njoftimin e dhënë sot nga Lëvizja Vetëvendosje, se Dega e Nismës në Drenas, njëherësh Iniciativa për Drenasin, i është bashkuar VV-së.

Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Endrit Shala, ka treguar se njoftimi nga Lëvizja Vetëvendosje është një gënjeshtër e radhës e këtij subjekti.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas Shalës, ka dashur që vetëm të bëjë këtë punë më të madhe se që është, duke u munduar të arrijë në qendër të vëmendjes me aderime të reja në Vetëvendosje.


“Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të mashtrojë dhe gënjejë opinionin publik kinse po merr anëtarë apo struktura të Nismës”, ka thënë Shala për Indeksonline.

Po ashtu, ai ka theksuar se lajmi kinse për aderim të anëtarëve apo strukturave të Nismës është vetëm mashtrim pasi anëtarët, të cilët sipas Lëvizjes Vetëvendosje kanë aderuar sot nga Nisma, nuk kanë qenë pjesë e Nismës për Kosovën tash e disa muaj.

“Nisma për Kosovën në Drenas është më e fortë se kurrë dhe dihet që disa individë kanë dalë më herët nga Nisma në Drenas dhe kjo gjë nuk ka ndodhur sot siç kanë njoftuar Lëvizja Vetëvendosje. Kjo është edhe një gënjeshtër e radhës e VV-së”, ka shtuar Shala.

Gjithashtu Shala ka theksuar se Nisma për Kosovën, dega në Drenas, është me e fortë se kurrë, dhe se Nisma sot ka mbajtur kuvendin e saj zgjedhor në Drenas nga i cili thuhet se do të del shumë më e konsoliduar.

“Ndërsa, VV-në e mbetur e vetme dhe e izoluar e ka kapur paniku, dhe për të mbajtur afër njerëzit e saj po merret me gënjeshtra dhe trillime të llojit të halucinacioneve”, ka thënë Shala.

Shala ka theksuar se ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti se për herë të tretë VV po e bën lajm që Shemsi Elezi me familjen e tij dhe 3 apo 4 individë të tjerë kanë kaluar në VV.