LAJMI I FUNDIT:

Që nga java e ardhshme fillon shitja e ilaçeve nga kanabisi në barnatore

Që nga java e ardhshme fillon shitja e ilaçeve nga kanabisi në barnatore

Barnat me ekstrakte nga kanabisi nga java e ardhshme do të jenë të qasshme për qytetarët e Maqedonisë në barnatoret e vendit, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Pacientët që deri më tani kanë blerë ekstrakte të tilla në mënyrë ilegale, tani do të kenë mundësi të furnizohen me to në rrugë ligjore dhe të përpunuara në mënyrë profesionale për përdorim mjekësor. Nga Agjencia e Barnave thonë se me ndryshimin e ligjit për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore, fillimisht në treg do të dalin vajrat me përbërje të bimës Cannabis Sativa. Sipas drejtores, Marija Darkovska prodhimet që kanë më pak substanca ndikuese në baza psikike do të shiten pa rekomandim të mjekut. Ajo thotë se, nga fundi i qershorit në treg do të ofrohen tableta me dozë më të lartë të kanabisit, të cilat do të jepen me recetë të mjekëve përkatës specialist.

“Ato barna do t’i shkruajnë specialistë të onkologjisë, hematologjisë dhe radiologjisë. Nga klinika e fëmijëve, mjekët pediatër do të rekomandojnë barna për lloje të ndryshme të epilepsive. Neurologët, për sëmundjen e sklerozës dhe të gjitha sëmundjet që vërtetohen se janë të shërueshme me kanabis”, thotë Marija Darkovska, Drejtore e Agjencisë së barnave.


Replek është kompania e vetme e licencuar farmaceutike për përpunimin e ekstrakteve të kanabisit, të cilat do të importohen. Vlen të theksohet se interesim i kompanive vendore dhe të jashtme për licencimin e prodhimtarisë së kanabisit është i madh./Telegrafi/