LAJMI I FUNDIT:

Përgjegjësit në NPK Tetovë u dënuan me kusht për rrezikimin e mjedisit jetësor

Përgjegjësit në NPK Tetovë u dënuan me kusht për rrezikimin e mjedisit jetësor

Dënim me burg me kusht në kohëzgjatje prej tre muaj për personin  përgjegjës dhe personin juridik të Ndërmarrjes publike komunale Tetovë, ka shqiptuar Gjykata themelore në Tetovë, pasi muajin e kaluar Prokuroria publike ngriti padi penale kundër NPK Tetovë, për rrezikimin e mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Ndërmarrja ngarkohej se mbeturinat i deponon në stacionin e ngarkimit, i cili nuk punon sipas standardeve.

„Bëhet fjalë për lloj të hapur të stacionit për ngarkim, ku hidhen mbeturinat komunale të qytetit dhe periferitë e qytetit, në të cilin nuk ka asnjë mbrojtje nga aroma e keqe, pluhuri, shpërndarja e mbeturinave nën ndikim atmosferik, erës dhe të ngjashme, e as që ekziston mbrojtja nga sulmi i brejtësve, kafshëve endacak dhe shpendëve“, thuhej në propozimin për akuzë të Prokurorisë themelore në Tetovë


Nga Ndërmarrja publike komunale Tetovë, nuk kanë dhënë prononcim për mediat lidhur me dënimin me kusht për vepër penale, të cilën sipas aktgjykimit nuk guxojnë ta përsërisin në afat prej një viti. Muajin e kaluar nga NPK Tetova, deklaruan se janë duke punuar për zgjidhjen e problemit me stacionin për ngarkim./Telegrafi/