LAJMI I FUNDIT:

Nisma në Gjakovë shënoi dy vjetorin e themelimit

Nisma në Gjakovë shënoi dy vjetorin e themelimit

Nisma për Kosovën sot ka mbajtur takim me strukturat udhëheqëse në qytetin e Gjakovës. Ky takim është mbajtur në vazhdën e takimeve që Nisma po zhvillon nëpër qytetet e Kosovës, për nder të dy vjetorit të themelimit të NISMA-s.

Gjatë këtij takimi shumë qytetarë nga Gjakova u anëtarësuan në degën e Nismës për Kosovën në Gjakovë.


Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, anëtarëve të Nismës në Gjakovë, u tha se “Nisma për Kosovën është në Gjakovë për të kërkuar ndryshimin për qytetarin gjakovar, për njeriun tonë kudo që jeton në vendin tonë. Kjo pjesëmarrje masive tregon më së miri se Gjakova dhe Kosova ka nevojë për ndryshim, e ndryshimin do ta sjellim ne së bashku me gjithë anëtarët e Nismës për Kosovën”.

Limaj ka thënë se është koha që djemtë dhe vajzat e Gjakovës të bashkohen me alternativën e Nismës për ta ndryshuar gjendjen në vend.

“Duhet të punojmë sa më shumë, që ta largojmë këtë qeverisje antikushtetuese, e cila sa i përket Gjakovës, nuk ka bërë asnjë hap për të pa gjeturit, që ne e dimë se shumë nga ta janë nga qyteti jonë, Gjakova”, tha Limaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi, tha se asnjë qytetar i Gjakovës nuk e meriton të mashtrohet, nuk kanë nevojë për lëmoshë, por meritojnë mbështetje reale, të vazhdueshme, ashtu siç punojnë çdo ditë pa u ndalur, për të mirën Gjakovës dhe gjithë Kosovës.

Ndërkaq kryetari i degës së Nisma për Kosovën në Gjakovë, Fazli Hoxha, tha se qytetarët e Gjakovës për plot 17 vite ende vazhdojnë të kenë zhgënjime për situatën, jo vetëm në Gjakovë, por edhe në gjithë vendin.