LAJMI I FUNDIT:

I dërguari i veçantë gjerman për Maqedoninë, njohës i mirë i Ballkanit

Ambasadori gjerman në Vjenë, Johannes Haindl, nga mbrëmë është i dërguar i veçantë për Maqedoninë dhe duhet të ndërmjetësojë në zgjidhjen e krizës politike në vend. Një vendim të këtillë solli mbrëmë shefi i diplomacisë gjermane, Frank Walter Steinmeier, Transmeton Telegrafi Maqedoni.

Zyrtarisht, sipas MPJ gjermane, ky vendim e pasqyron përkushtimin e qeverisë federale në Berlin për avancimin e Ballkanit Perëndimor.

Johannes Haindl  ka lindur në vitin 1956 në Munih. Ai ka qenë gazetar, diplomat, ndërsa nga qershori i vitit 2015 është ambasador i Gjermanisë në Austri. Paraprakisht, ai ka qenë shef i departamentit politik dhe përfaqësues për siguri (MPGJ) në Misionin e përhershëm të Gjermanisë në Bashkimin Evropian.


Johannes Haindl  ka punuar në ambasadën gjermane në Jugosllavi dhe ka qenë zëvendës-shef i Forcave speciale për Ballkanin Perëndimor në kuadër të MPJ gjermane.

Siç mëson Telegrafi Maqedoni, nga viti 2001 deri në vitin 2004 Johannes Haindl ka qenë shef i departamentit për Ballkanin Perëndimor, ndërsa deri në vitin 2006 ka qenë përfaqësues për Evropën Juglindore dhe Turqinë në MPJ gjermane, para se të emërohet zëvendës-shef i Misionit në ShBA në vitin 2009.

Nga 3 shtatori i vitit 2009 deri në vitin 2011 ai ka qenë ambasador në Çeki, ndërsa nga qershori i vitit 2015 është ambasador gjerman në Austri./Telegrafi/