LAJMI I FUNDIT:

Papunësia do të rritet në Greqi

Papunësia do të rritet në Greqi

Ekonomia helene do të tkurret me 1 për qind përgjatë këtij viti, projekton një ndër Think Tanket më me influencë ne vend. Kjo do të thotë se recesioni do të thellohet ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar, kur ekonomia u kontraktua me vetëm 0.3 për qind.

“Ka pritshmëri racionale se ekonomia do të rritet gjatë gjysmës së dytë të vitit, por kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të zhbërë recesionin e thellë të këtij viti”, nënvizon raporti. Ndërkohë, Fondi Monetar ndërkombëtar projekton një tkurrje prej 0.6 për qind të ekonomisë së vendit gjatë këtij viti.

“Për aq gjatë sa ekonomia greke do të shmangë reformat, aq më i largët do të jetë fundi i krizës”, citon raporti i Think Tankut vendas.


Në rast se ekonomia do të hyjë në territor pozitiv gjatë gjysmës së dytë të vitit, vijon raporti, dhe në rast se mosmarrëveshjet me kreditorët do të sheshohen, atëherë ekonomia greke mund të fitojë vrullin e duhur për një performancë pozitive vitin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, masat fiskale që priten të ndërmerren në kuadër të agjendës së reformave të dakordësuar nën planin e tretë të shpëtimit, pritet të kenë një impakt drastik në konsum dhe punësim, duke fundosur kështu Prodhimin e Brendshëm Bruto, pavarësisht një rritje të projektuar në sektorin e turizmit.

Raporti citon gjithashtu se një ndër elementet më thelbësor për rritjen ekonomike gjatë vitit të ardhshëm janë pikërisht investimet. “Rritja ekonomike gjatë 2017 nuk do të ndodhë në rast se investimet, të cilësuara ndryshe si elementi më i sëmurë i ekonomisë greke, nuk do të rimëkëmben. Papunësia ndërkohë do të rritet ndjeshëm”, përfundon raporti. /Telegrafi/