LAJMI I FUNDIT:

Daut Haradinaj: Edhe pa Vetëvendosjen do të protestojmë me 14 maj

Daut Haradinaj: Edhe pa Vetëvendosjen do të protestojmë me 14 maj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka folur për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, për protestën e organizuar nga kjo parti e cila është paralajmëruar të mbahet me 14 maj.

“Pas një diskutimit të madh të të gjitha forumeve në Aleancë kemi marrë vendimin që të organizojmë protestën e 14 majit. Ne kemi pasur një paralajmërim për protestë në mars por ajo u shty dhe nuk u ndërmor asgjë”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka arsye që Vetëvendosje të shqetësohet, por ajo duhet bashkohet në protestën e 14 majit për të protestuar ndaj atyre që e kanë kapur shtetin.


“Kanë ndodhur shumë veprime në kampin opozitar, e kemi konsiderua nevojën e një kundërshtimit të përbashkët. Nuk mund të presin deri në pafundësi për të protestuar. Nuk e konsideroj si një garë e brendshme”, shtoi ai.

Haradinaj ka thënë se ata nuk janë konsultuar nga VV për hedhjen e gazit në ceremoninë e inaugurimit të Hashim Thaçit si president, por që edhe AAK nuk është deklaruar në lidhje më këtë veprim.

“Duhet të protestohet ndaj këtyre njerëzve që kanë bë dy marrëveshje, Demarkacionin dhe Zajednicën. Mendoj që rëndësi shumë të madhe ka një protestë paqësore, jemi në vlugun më të madh të përgatitjeve, jam i bindur që edhe njerëz të VV-së e din që situata nuk ka ndryshuar pozitivisht”, ka thënë Haradinaj. “Duhet t’i kundërshtojmë Mustafën e Thaçin me protesta. Nuk po flasim për presione, ne kemi pas diskutime pas anulimit. Njerëzit e aleancës kanë bo punë disa javore. Ne jemi pajtuar që të shtyhet protesta në mënyrë që të mos përçahet opozita, por jo ajo të shtyhet deri në pafundësi. Kemi përgjegjësi ndaj elektoratit, sidomos ndaj qytetarëve të pjesës perëndimore të Kosovës. Protesta do të mbahet me 14 maj në sheshin “Skënderbeu”. E konsideroj që protesta e majit do të jetë madhështore”, ka thënë Haradinaj. /Klan Kosova/