LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Shpresoj që Policia të mos bëhet zëdhënëse e kryeministrit

Haradinaj: Shpresoj që Policia të mos bëhet zëdhënëse e kryeministrit

Pas reagimit të Policisë së Kosovës lidhur me një status të deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ku i shtroi pyetje kryeministrit Isa Mustafa lidhur me, siç tha ai, tërheqjen e policëve që ruanin shtëpinë e kryeministrit ditën kur Hashim Thaçi u zgjodh president i Kosovës, përmes rrjetit Facebook sërish ka reaguar Haradinaj.

“Pa dashur të implikoj policinë e as rolin e saj në sigurinë e personaliteteve, pyetja ime ishte e drejtuar për kryeministrin dhe ministrin përkatës. Ndërsa përgjigja PK ishte për rezidencën e tij. Fjala është për shtëpinë e kryeministrit në Prishtinë. Shpresoj që policia e kryen punën e vet në bazë të ligjit dhe nuk behët zëdhënëse e kryeministrit e as e qeverisë. Deklaratat publike të kryeministrit e dëshmojnë këtë që e kam thënë unë se nuk i është ofru siguria e nevojshme. Ndoshta ju që keni reaguar, gjeni kohë t’i përgjigjeni edhe kryeministrit. Unë nuk kam pas për qëllim të diskreditoj policinë , por përgjegjësit politik të policisë. Unë i qëndroj vlerësimit tim, se shtëpia e kryeministrit në Prishtinës, në ditën e caktuar nuk ka pasur prezencë të policisë” (sic.), ka shkruar Haradinaj.

Pas statusit të mbrëmshëm të Haradinajt, Policia e Kosovës thotë se me qëllim të vazhdimit të informimit të drejtë të opinionit publik, lidhur me publikimet nëpër media, reagon ndaj tyre dhe deklarimeve të tilla, duke i quajtur ato të pavërteta.


“Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saja, duke i përfshirë ato të ofrimit të sigurisë ndaj rezidencës së Kryeministrit, i ka realizuar konform autorizimeve dhe procedurave të parapara ligjore. Referuar legjislacionit në fuqi, që nga data e emërimit te z.Mustafa si Kryeministër i vendit, i është caktuar ofrimi i sigurisë së tij dhe rezidencës 24 orë 7 ditë në javë” (sic.).

Sipas Policisë së, Kosovës në bazë të përgjegjësive të saj edhe në ditën e specifikuar ka ofrua r siguri për rezidencën e kryeministrit, me pjesëtaret e PK-se të cilët kanë qenë të caktuar me detyrë në perimetrin e brendshëm të rrethojës së rezidencës së kryeministrit, të cilët atë ditë kanë arritur të intervenojnë në fikjen e koktej molotovit të hedhur drejt rezidencës së Kryeministrit.

Referuar prezencës policore dhe gjendjes faktike, PK thotë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë largimi të njësisë policore nga rezidenca e Kryeministrit.

“Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallime se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe Legjislacionit në fuqi”, thuhet në fund.