Masakra e re në Bruksel e fanatikëve të ISIS, shtetit kukull të gjoja një modeli organizimi politik dhe shoqëror mysliman, provoi edhe një herë tjetër se ata nuk kanë lidhje, jo vetëm me doktrinën fetare të Muhametit dhe të qindra miliona ndjekësve të tij nëpër glob, por as me vetë islamizmin, term dhe koncept që në fjalorin e botës është rregulluar në një mënyrë të tillë që të lërë vend edhe për praninë në të të ekstremistëve fetarë.
Komandot terroriste i kryen gjëmat e tyre kriminale ndërsa me mijëra refugjatë të vendeve me traditë fetare myslimane, një pjesë mbytur nëpër ujërat e Mesdheut dhe të Egjeut, janë bllokuar prej kohësh në kufirin verior të Greqisë dhe shpresojnë t’u hapet rruga ballkanike. Që prej çastit të masakrës në kryeqytetin e Evropës, ata do ta kenë më të vështirë t’i afrohen shpëtimit të tyre nga luftërat dhe uria, siç që prej pesëmbëdhjetë vitesh nga sulmi monstruoz kundër Kullave Binjake në Nju Jork dhe më pas, u është dëmtuar imazhi dhe ndërlikuar jeta, veçanërisht në vendet me shumicë të krishterë, të gjithë besuesve të sinqertë tek Muhameti.
Do të mjaftonte vetëm kaq, pasoja fatale mbi refugjatët e tanishëm, për t’i konsideruar ata si plotësisht kundër-myslimanë dhe tërësisht anti-islamikë.
Jo më kot, refugjatët e bllokuar në pankarta dhe mbi fije letre, deri edhe nëpër barqet e lakuriqtë të fëmijëve, shkruanin pikëllueshëm: “Na vjen keq për çfarë ndodhi në Bruksel!”
Ja pse, e përsërisim: Vrasësit e Parisit dhe të Brukselit, si gjithkund tjetër nëpër Afrikë dhe Azi, nuk janë fare as islamikë dhe as myslimanë, madje as radikalë të këtij besimi. Nuk mund të thuhet dhe të besohet kurrsesi se ata janë bartës të fesë të shndërruar në ideologji. Siç, për shembull, janë kategorizuar në shekullin e shkuar fashizmi dhe komunizmi.
Kjo, që këta vrasës të njerëzve të pafajshëm, këta burrecë siç me të drejtë në faqen e parë i etiketonte një gazetë shqiptare, këta “mallkuar qofshin” siç i emërtoi kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nuk janë as besimtarë ideologjikë, e duhet të bëjmë çmos ta ngulisim në vetëdijen tonë si kodin më kryesor të sjelljes dhe të veprimit tonë publik.
Sepse tashmë, e shndërruar në klishe dhe e bërë rutinë, barazimi “ndjekës i ISIS-mysliman ekstremist” mund të prodhojë një bumerang fryme dyshuese mbi fenë myslimane dhe doktrinën e saj të provuar si burim paqeje dhe bashkëjetese, si frymëzim atdhetar në çdo vend ku vepron. Po ashtu shtampa “terrorist i ISIS baras me mysliman radikal apo ideologjik” mund të shkarkojë urrejtje të papërmbajtur mbi tërë ndjekësit e kësaj feje kudo që ndodhen. Kjo, për rrjedhojë, do të përcjellë te këta të fundit mbrojtjen iluzore nëpërmjet veprimit të kundërt, përdorimit të dhunës.
Dy gjysma globi në përleshje do të ishin shumë më keq se miliona bomba bërthamore të hedhura mbi njerëzim në të njëjtën kohë. Është shkruar, jo vetëm si fanta-shkencë, por edhe si parashikim orakujsh, se bota do të përfshihet, për të tretën herë, në një luftë globale fetare.
Sepse gjithkund në Evropë, ku ISIS po kryen goditjet kryesore dhe ka për t’i vijuar çmendurisht, jo vetëm nëpër skuta të opinionit publik, por edhe ballas, janë përndezur pasionet për ta barazuar atë që po ndodh, si veprim radikalësh islamikë apo myslimanësh ideologjikë, duke lënë të hapur përherë një fije lidhjeje të vrasësve me këtë besim.
Për pasojë janë shumuar mbështetësit amerikanë për një kandidat presidencial anormal si Trump apo joshja pas një libri të shkrimtares së shumëtalentuar italiane Oriana Falaçi “Rrënjët e urrejtjes. E vërteta ime mbi Islamin”, ku ajo, për fat të keq, në gjykimin përfundimtar gabon.
Nga rruga që i kemi hapur pikëpamjes se jetëmarrësit e ISIS janë myslimanë radikalë apo islambesues ideologjikë, mund ta pësojmë edhe ne shqiptarët. Nuk duhet të harrojmë se ende mbahet e ndezur thashethemnaja se shqiptarët janë popull fanatik islamik dhe se bashkëkombësit tanë të emigruar nëpër botë nuk janë gjë tjetër veç ndjekës ekskluzivë të kësaj feje.
Imazhi ynë pozitiv në botë është kauzë e shtrenjtë, po ashtu edhe mbarëvajtja e diasporës tonë.
Terroristët, të cilët pas Amerikës, po godasin Evropën e Bashkuar, posaçërisht Perëndimin, por në të vërtetë në lindje e në perëndim të globit, në veri dhe në jug të tij, përgjakin vetë qytetërimin, nuk janë fare, as në mënyrën më të skajshme apo edhe rastësore, myslimanë ekstremistë.
Nuk janë as myslimanë të ideologjizuar apo siç studiuesit e përcaktojnë këtë tip “njeriu të ri” si “homo islamicus”.
Ata në thelb janë anti-islamë, anti-myslimanë.
Nga më të vendosurit, nga më të përbetuarit, nga më të egrit.
Kjo dukuri maske (kur vrasin, thërrasin emrin e Allahut – Zotit – dhe vetemërtohen xhihadistë – ushtarë të Luftës së Shenjtë) të mos na duket si paradoks. E tërë historia e njerëzimit është e mbushur gjer në fyt me të tilla.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëVrasja e dy të rinjve në Klinë, gjithçka që dihet deri më tani
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Emërimet e Trumpit kanë elektrizuar Perëndimin
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Një vit nga vrasja e Liridona Ademajt, Prokuroria ende pa aktakuzë për tre të dyshuarit
Arioni me kërkesë ndaj ‘Vëllait të Madh’: Një dhomë veçmas me Dianën, pa kamera
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë