LAJMI I FUNDIT:

Ibrahimi: Arrestimet e aktivistëve të VV-së nuk janë politike

Ibrahimi: Arrestimet e aktivistëve të VV-së nuk janë politike

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, ka thënë se nuk do të lejojë që asnjë presion, shantazh ose veprim, që ta ndalë atë nga rruga e realizimit të drejtësisë në gjykatën të cilën ai e drejton.

Ai duke folur për sistemin e drejtësisë në Kosovë ka thënë se ky sistem nuk është në një pozitë ku do të mund të krenohej për punët e bëra, duke shtuar “se kemi të bëjmë më një segment që mbulohet nga punëtor që janë shumë të angazhuar”.

“Nuk mendoj se raportet për sistemin e drejtësisë – qofshin vendore ose ndërkombëtare – e paraqesin gjendje reale të këtij sistemi. Nuk përjashtohet që mund të ketë persona që janë në sistemin e drejtësisë, e që ndoshta janë të korruptuar. Nëse asgjë tjetër, nga viti 2013, publikisht edhe e them se kam arritur që përfundimisht t’i bind qytetarët e vendit, nuk kanë nevoje të paguajnë asgjë. Në gjykatën që unë e mbuloj drejtësia nuk blihet as nuk shihet, por drejtësia ndahet pa pagesë. Ajo që më bën mua të ndihem krenar, është që korrupsioni me mua dhe stafin tim nuk rrinë bashkë”, ka thënë Ibrahimi.


Ai ka folur edhe për arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), të cilat kanë ndodhur kohëve të fundit, duke theksuar se këto arrestime nuk janë politike.

“Me dhjetëra janë ftesat që ua kemi bërë për tu paraqitur në Gjykatë. Kemi të bëjmë me ecjen e afateve kohore, në prag të parashkrimit të procedurës penale. Nuk ka ndodh asgjë që është në kundërshtim me ligjin”, ka theksuar ai.

Ibrahimi ka folur edhe për deportimin e sekretarit për marrëdhënie më jashtë të VV-së, Boiken Abazi, duke theksuar se “fuqishëm besoj se Policia e Kosovës ka vepruar në respektimin e normave të vendit”.

“Ligjërisht, Policia ka mundësi kur vlerëson se një individë është i rrezikshëm, ta nxjerrë jashtë vendit”, ka theksuar ai.

Rreth asaj se a ka pasur vendim të gjykatës për deportimin e Abazit, ai ka thënë “se nuk ka pasur ndonjë vendim nga Gjykata Themelore”. /Telegrafi/