LAJMI I FUNDIT:

Agani rishikon vendimet e Dardan Gashit për Prevallën

Agani rishikon vendimet e Dardan Gashit për Prevallën

Mbi dyzet vila luksoze, që janë ngritur pa leje ndërtimi në fshatin turistik Prevallë, do të duhej të rrënoheshin nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por kjo nuk ndodhi në tetë muaj qeverisje të ministrit, Ferid Agani.

Thuhet se ato u përkasin politikanëve kosovarë të pozitës dhe të opozitës. Ministri, Ferid Agani, nuk po i beson në plotësi vendimit të ish-ministrit, Dardan Gashi, i cili pati lëshuar urdhër për rrënimin e vilave.

Ministri Ferid Agani ka vendosur që t’i rishikojë të gjitha vendimet, meqë, siç thotë ai, pronarët kanë parashtruar ankesa.


Autoritet e Komunës së Prizrenit, në tokën e të cilëve ndodhet Prevalla, po presin nga niveli qendror që gjatë muajit shtator t’i ndezë ekskavatorët dhe t’i nisin rrënimet.

Qe të nisë ekzekutimi i vendimit të tij po pret edhe ish ministri Gashi. Por, kreu aktual i MMPH-së, Ferid Agani, ka thënë se rrënimet do të mundë të shihen gjatë muajit shtator, por paraprakisht do të rishikohen vendimet.

“Ministria i ka rifunksionalizuar task-forcat, të cilat kanë qenë të emëruara në mandatin e kaluar dhe ky grup po analizon çdo rast dhe po sheh se ku është me procedurat gjyqësore që po zhvillohen, ngase ka pasur ankesa prej pronarëve. Në situatën kur nuk ka më ankesa, atëherë do të ekzekutohen vendimet. Task-forca nuk është organ ligjor, por organ konsultativ i ministrit dhe ato vendime që janë sjellë në atë kohë janë nxjerrë në bazë të sugjerimeve të task-forcave”, ka thënë për “Zërin”, ministri Agani. /Telegrafi/