LAJMI I FUNDIT:

Dëshmi të reja për skandalin e mashtrimit të gjermanit me 550 mijë euro

Dëshmi të reja për skandalin e mashtrimit të gjermanit me 550 mijë euro

Po dalin dëshmi të reja për skandalin e mashtrimit të gjermanit Wellner Kohler, i cili i ka akuzuar dy shqiptarë të Kosovës, Enver Shalën dhe Bekim Hamzën se e kanë mashtruar atë, duke ia përvetësuar 550 mijë euro. Rast i cili tashmë po hetohet edhe nga organet e drejtësisë gjermane.

Fakte interesante ka sjellur Agron Plava, që jeton në Mylacker të Gjermanisë e i cili thotë se e di mirë gjithë ngjarjen dhe njihet personalisht me dy personat tashmë të akuzuar për mashtrimin e gjermanit Kohler. Sipas tij i gjithë mashtrimi është bërë nga Enver Shala dhe në këtë rast i manipuluar ka qenë Bekim Hamza dhe i humbur ka dalë gjermani Wellner Kohler.

Agron Plava i cili është lajmëruar vet në redaksinë e portalit Infokusi, për ta bërë publike, siç ka thënë ai të vërtetën rreth këtij rasti është prezantuar si dëshmitar, i cili ka qenë prezent në shumicën e rasateve kur është biseduar mes Enver Shalës dhe Bekim Hamzës. Këto dëshmi ai thotë se po dëshiron t’i ofroj pasi po dëgjon shumë të pavërteta që po i deklaron Enver Shala në media.
Enver Shala i mori parat si konsull i Kosovës në Shtuttgard


Agron Plava në këtë intervistë të gjatë për portalin Infokusi, ka dhënë detaje të reja rreth këtij skandali duke deklaruar se është i gatshëm që këto t’i paraqes edhe para drejtësisë gjermane.

Ai fillimisht ka deklaruar se i njeh mirë të tre personat dhe se ka qenë dëshmitar i shumë bisedave mes tyre, pra Shalës, Hamzës dhe gjermanit Wellner Kohler.

Për të parin, Enver Shala thotë se e njeh moti dhe tregon se si ai në Gjermani njihet si punonjës i konsullatës dhe njeri i cili i ka lidhjet e forta me zyrtarët e qeverisë së Kosovës.

“Enverin e njohim këtu në Gjermani si punëtor i Konsullatës. Si një pjesëmarrës i politikës në Kosovë edhe ma shumë është në Kosovë se në Gjermani. Me herët ka mbledhur edhe 3% e Kosovës edhe nuk dihet se ku janë ato pare. Ka pasur raste disa herë që ka thirrur biznesmenë për të ardhur në Kosovë duke i thënë se atje i njeh të gjithë dhe ka lidhje të forta me gjithë politikanët. Nuk ka njeri në Gjermani që nuk e njeh Enverin për këto gjana, por kjo është puna që unë nuk dua të përzihem, ajo është jeta e tina edhe nuk më interesojnë mua ato gjana. Por ai kështu paraqitet në Gjermani, si luftëtar i Kosovës, pjesëtar i UÇK-së”, ka thënë Plava.

Më pas ai ka treguar se kështu e ka manipuluar edhe gjermanin Wellner Kohler, i cili siç thotë ai ka kërkuar t’i dërgojë 2 milionë euro në bankat e Kosovës.

“Sipas meje, interesi i gjermanit ka qenë mi tërheqë paret e zeza që i ka pasur këtu në Gjermani. Qysh e kam dëgjuar unë vet, ai ka thënë se është i interesuar t’i bartë nga Gjermania në Kosovë dy milion euro. Pra me i dërguar në banka në Kosovë. Bekim Hamza në këtë rast vetëm e ka njoftuar Wellner Kohler me Enver Shalën duke e ditur se ai është konsull i Ambasadës së Kosovës në Shtuttgard dhe gjermani ka qenë i interesuar të investoj në Kosovë. Dhe më pas Enveri i ka treguar gjermanit qysh mundet me i dërguar parat në Kosovë”, thotë Plava.

Pra e ka njoftuar me Enverin si një zyrtar të ambasadës sepse ashtu prezantohet ai dhe me i tregu cilat janë mundësitë. Enveri i ka treguar se në Kosovë gjoja është “cinca” (interesi) shumë i madh me depozitu para. Gjermani i ka besuar Enver Shalës si njeri i konsultës dhe ja ka dhënë parat për t’i dërguar në Kosovë. Parat i janë dorëzuar Enver Shalës si konsull i ambasadës dhe në disa takime qe ka pasur gjermani me atë ai ka dalë nga Ambasada. Edhe paratë, kur i janë dorëzuar ai ka dalë nga konsullata e Kosovës e cila është në Shtuttgard”, deklaron Plava.

EnverShaka dhe Bekim Hamza u rrahën mes vete për 50 mijë euro

Pra sipas tij, 550.000 euro i ka marrë Enver Shala dhe kjo është fakt sepse e ka nënshkruar edhe një dokument që i ka pranuar ato pare. Pastaj, sipas Plavës, Enveri nuk ka pranuar se kanë qenë 550.000 euro, por vetëm 500.000 dhe këtu kanë filluar përplasjet mes Enverit dhe Bekimit.

“Ai (Enveri) i ka telefonuar Bekimit dhe i ka thënë se janë vetëm 500.000 euro. Bekimi i ka thanë jo t’i i ke marrë prej gjermanit 550 mijë dhe ashtu siç i ke premtuar duhesh me i dërgua në emër të tij në banka në Kosovë, pra në emër të gjermanit. Edhe aty ka filluar konflikti ndërmjet tyre”, ka thënë Plava, duke treguar se për këtë Enveri dhe Bekimi janë konfrontuar edhe fizikisht, janë rrahur në qytetin Nifein, dhe për këtë është njoftuar edhe policia gjermane.

“Janë rreh këtu në Gjermani, kanë ardhur edhe policia gjermane, edhe gjermani Kohler ka qenë aty kur ka ndodhur kjo rrahje. Pastaj, Bekimi për të mbyllur këtë rast dhe për të qenë korrekt me gjermanin ja ka dhënë Enverit një xhip në vlerë 50.000 euro. Ky xhip është dhenë për të kompensuar shumën e humbur dhe mu depozituar saktë vlera e gjermanit në Kosovë, sepse Bekimi e ka pasur shok gjermanin dhe nuk ka dashur të ndodhin këto probleme”, ka thënë Plava.

Sipas Plavës pas tërë kësaj zënke dhe mosmarrëveshje, Enver Shala e ka tradhtuar Bekimin, ka gënjyer se i ka depozituar paratë në një bankë në Kosovë ashtu siç janë marrë vesh, në emër të gjermanit. “Për të dëshmuar këtë Enveri e ka falsifikuar një dokument. Pastaj, Wellner Kohler, ka pyetur në bankën ku i është thënë se i janë deponuar paratë, por ka rezultuar se paratë nuk janë deponuar asnjëherë. Kohler ka ardhur vet në Kosovë dhe e ka vërtetuar se paratë e tij nuk janë deponuar në emër të tij dhe se dokumenti të cilin ia ka prezantuar Shala, për gjoja deponimin e mjeteve në emër të tij, ka qenë i falsifikuar”, ka thënë Agron Plava. /Infokusi/Telegrafi/