LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët skeptik për ekonominë edhe më 2016

Ekspertët skeptik për ekonominë edhe më 2016

S’u realizua çfarë u premtua por, pritet që investimet e huaja dhe remitancat ta
Njohës të çështjeve ekonomike kanë folur për “Epokën e re” për të arriturat, dështimet, sfidat dhe progresin e zhvillimit ekonomik gjatë vitit 2015 si dhe për pritjet gjatë vitit 2016.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS): Fillimi i vitit 2015 ishte më premtues se i 2014-s. Pas shumë përpjekjesh u bë Qeveria, u konstituuan institucionet, u miratua buxheti, u bënë shumë premtime për reforma, për investime, për punësime etj. Por, fillimi i 2015-s u përcoll edhe me probleme e vështirësi, me ikjen masive të popullatës, që ishte një formë e rebelimit kundër gjendjes ekzistuese në vend, por edhe dëshmi se këtu po humbet perspektiva. Po ashtu, pati edhe protesta e demonstrata të ashpra, të cilat sikur paralajmëruan një vit jo aq të qetë e të rehatshëm.

Në anën tjetër, Qeveria sikur hezitoi t’u qaset problemeve që kishte hasur pas një viti. Pas gjashtë muajsh ofroi planin e punës, kurse ende nuk ka përgatitur strategjinë, as nuk pati guxim që në mënyrë më këmbëngulëse të ballafaqohet me problemin e “Trepçë”-s, as ta mbulojë vakumin disavjeçar të krijuar me mungesën e bordeve në shumë agjenci dhe rregullatorë. Mirëpo, duhet çmuar si të guximshëm vendimin se nuk do të ketë rritje të pagave, i cili u mor në kohën e kërcënimeve të mëdha të sindikatave dhe pas premtimeve se do të ndodhë një rritje rreth 50 për qind.


Ky vendim deri-diku ka ruajtur strukturën e shpenzimeve në buxhet, sado që edhe më tej ndarjet sociale dhe pagat janë duke u bërë në dëm të zhvillimit, përkatësisht të shpenzimeve kapitale. Po ashtu, nënshkrimi i MSA-së është një hap i madh drejt tregut evropian, edhe pse duhen shumë punë për ngritjen e standardeve, cilësisë dhe të produktivitetit, ashtu që ekonomia e Kosovës të jetë më konkurrente.

Për fat të keq, dështimet janë të shumta: ende nuk ka përgjigje përfundimtare rreth zhvillimit të energjetikes, përkatësisht rreth asaj se edhe sa do të zgjasë kriza energjetike në vend; numri i vendeve të reja të hapura për punë është minimal në krahasim me nevojat, por edhe në krahasim me premtimet; investimet publike po zhvillohen në sektorë që nuk garantojnë zhvillim ekonomik dhe punësim të qëndrueshëm; investimet e huaja direkte realizohen kryesisht në sektorë që nuk kanë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik; pasi vazhdon deficiti i lartë tregtar; ambienti për biznes është përkeqësuar dhe nuk po vërehen efektet në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe informalitetit. Së fundi, duhet pranuar se pritet që norma e rritjes ekonomike të jetë më e lartë se në vitin e kaluar, ndonëse shumë larg asaj që i nevojitet vendit.

Për shkak të zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, si edhe rreth punës së Qeverisë, po hyjmë në një vit të ri më shumë paqartësi, si edhe me një ambient shumë deprimues, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe në atë politik. Ka shumë paqartësi dhe mungesë stabiliteti. Kjo venit edhe atë pak iniciativë, apo atë pak vullnet për nxitjen e zhvillimit, nëse ka mbetur ende. Kuvendi deklarohet se është duke punuar, por kjo punë është improvizuese dhe nuk mund të durohet pafundësisht.

Qeveria nuk po arrin ta gjejë mekanizmin për hapjen e debatit, ndërsa opozitës arrogante dhe agresive nuk i intereson asgjë tjetër pos jostabiliteti si mundësi për rrëzimin e kësaj Qeverie. Në këtë ambient nuk duhet pritur zhvillime të mëdha ekonomike. Kjo padyshim se do të reflektojë edhe në rritjen ekonomike dhe në përkeqësimin e ambientit për biznes. Vetëm të përkujtojmë se zhvillimet e vitit 2014 kanë lënë gjurmë të thella në ekonomi, meqenëse këtë vit norma e rritjes ishte vetëm 1.2 për qind, apo norma më e vogël e shënuar që nga pas lufta. Kam frikë se kjo situatë do të përsëritet edhe në vitin 2016, posaçërisht nëse vendi shkon në zgjedhje të reja.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB):
Duhet të fokusohemi në gjërat më të mëdha që kanë ndodhur brenda këtij viti, në aspektin ekonomik dhe në këtë drejtim dua të theksoj se nënshkrimi i marrëveshjes për Termocentralin e Ri, nga kompania amerikane dhe Qeverisë së Kosovës, ka qenë ngjarja më e madhe që ka ndodhur dhe mund të ndodhë në vitet e pasluftës. Nëse kjo është realitet, atëherë me të vërtetë kemi arritur ta kemi një investitor të fuqishëm.

Asnjëherë nuk dua të paragjykoj ndryshe, përpos që gjërat në aspekt pozitiv që kjo do të ndodhë dhe ajo që nuk ka ndodhur në këtë vit, është se përshkallëzimi i TVSH-së dhe reforma fiskale nuk kanë arritur efektin e vet dhe nuk kanë mundur ta bëjnë një kthesë të zhvillimit ekonomik, por mbetet që në vitin e ardhshëm Qeveria e Kosovës të përkushtohet më shumë, bashkërisht me aktorët e tjerë, që të krijojë një klimë më të favorshme për bizneset e Kosovës.

Ne vazhdimisht kërkojmë lehtësira për biznes dhe për t’i zhvilluar ekonominë dhe prodhimin e vendit, duke i shmangur të gjitha taksat për lëndë të parë dhe teknologji prodhuese. Kjo në këtë vit nuk ka ndodhur, por presim që në vitin e ardhshëm të ndodhë. Problem tjetër i paparashikueshëm ka qenë situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Problemet në Kuvend kanë ndikuar të frikësohen investitorët e huaj e, po ashtu, kanë krijuar pakënaqësi brenda Kosovës në aspektin politik dhe atë ekonomik.

Naim Gashi, profesor:
2015-shi përshkohet si një vit, në të cilin kemi pasur përpjekje për t’i vendosur disa korniza legjislative afatgjate për t’i përmirësuar kushtet e të bërit biznes. Kriza politike që e kaploi vendin në gjysmën e dytë të vitit 2014 po vazhdon që nga shtatori 2015 dhe në këtë mënyrë kemi dërguar sinjale jashtëzakonisht negative te partnerët dhe investitorët e jashtëm.

Shkalla e korrupsionit vazhdon të mbetet e lartë dhe më e keqja është se gjatë 2015-s nuk kemi vërejtur asnjë tendencë të luftimit të tij nga ana e sistemit të drejtësisë.

Raporti i Komisionit Evropian tregon se ka një tendencë të përmirësimit të kushteve të të bërit biznes në Kosovë, por brishtësia e sistemit të drejtësisë dhe lufta e pamjaftueshme kundër krimit dhe korrupsionit janë pengesa kryesore të perspektivës ekonomike të Kosovë.

Sinjale të mira gjatë këtij viti ishin çuarja përpara projektit të ndërtimit të termocentralit të ri, përparimi i procedurave për dhënien me koncesion të Brezovicës dhe rritja e investimeve të jashtme. Dërgesat nga diaspora edhe gjatë 2015-s kanë mbetur injeksioni kryesor financiar i ekonomisë së Kosovës.

Klasa politike në Kosovë nuk po mund të arrijë një konsensus nacional dhe kjo ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e vendit. Partitë politike në Kosovë nuk shohin përtej taborit të tyre politik, e për t’i mbrojtur këto interesa, janë të gatshme të shkatërrojnë gjithçka që është krijuar këto vite. Stabiliteti politik është një nga kushtet thelbësore për inkurajimin e investimeve të jashtme, pa të cilat nuk mund të imagjinohet rritja ekonomike dhe zhvillimi i Kosovës.

Fatkeqësia më e madhe është se Kosovës po i mungon një alternativë politike, e cila premton zhvillim ekonomik, përparim të agjendës evropiane, përmirësim të standardit jetësor të popullatës dhe luftim të krimit dhe korrupsionit. Së këndejmi, kartelat dhe grupet e interesit të krijuara në 16 vjetët e fundit po e dëmtojnë rëndë konkurrencën e lirë në ekonomi dhe po pamundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK):
Viti 2015 ka qenë mjaft sfidues dhe ka pasur sfida të shumta. Edhe viti 2014 ka qenë i dështuar ekonomikisht, sepse për më shumë se gjashtë muaj ka pasur probleme të grumbulluara, të cilat është dashur të barten në vitin 2015. Qeveria në fillim të vitit 2015 është përballur me demonstrata dhe pakënaqësi të shumta. Agjenda politike është dominuar nga protestat kundër Jabllanoviqit, Gjykatës Speciale, Demarkacionit dhe Asociacionit. Këto janë sfidat që kanë ndikuar në sferën ekonomike për përmbushjen e projeksioneve. Dhe kur këtyre i shtohet edhe vakuumi i fundit institucional, bllokimi i seancave të Kuvendit, atëherë vërtet mund të themi se ka qenë një vit që ekonominë e ka lënë nën hije, sepse ka dominuar agjenda politike.

Ne kemi thënë më parë se në vitin 2015 nuk presim mrekulli. Në të kaluarën kemi pasur korrupsion masiv dhe ky vit shquhet në këtë drejtim. Në rend të dytë e kemi edhe një karakteristikë, e cila ka të bëjë me disiplinën financiare. Vetëm kur të ketë aktivizim dhe funksionim normal të institucioneve vendore atëherë do të kemi efekte pozitive.

Samir Krasniqi, kryetar i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare:
Një vit i Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa, në aspektin ekonomik, nuk ka dhënë të priturën. Duhet thënë se kryeministri Mustafa mori drejtimin e ekzekutivit pas një “knock down”-i institucional e ekonomik, i shënuar në radhë të parë nga qeverisjet e kaluara e që ekonominë nuk e kishin fokus kryesor, më pas edhe nga bllokada disamuajshe që zgjati deri në krijim e kabinetit. Si rrjedhojë, kjo Qeveri në vitin e saj të parë rezulton të jetë marrë më shumë me menaxhimin e krizave sesa me planin qeverisës. Për ekonominë e vendit po pritej me një dozë optimizmi drejtimi i Qeverisë nga një ekspert i ekonomisë.

Qeveria e Kosovës që në fillim të mandatit u godit nga vala e të rinjve që si lumë filluan të largohen nga vendi. Pakënaqësia sociale, papunësia, por edhe mungesa e një shprese për ditë më të mira, mbushnin autobusët me drejtim Evropën. Sikur të mos mjaftonte kjo, kërcënimet me greva e protesta nga punonjësit publikë, por edhe të ndërmarrjeve të privatizuara, u bënë të zakonshme, e që lidheshin, ndër të tjera, edhe me premtimet parazgjedhore të ish-kryeministrit. Kulminacioni u arrit së fundmi me krizën politike, e cila e pengon fokusin qeveritar për ekonominë. Në vitin e parë Qeverisë Mustafa i ra hise të merrej me shumë sfida. Një shkëmb mbi qafë i ra “Trepçë”-s, që vazhdon të mbetet sfidë që duhet zgjidhur. Gjithashtu, Qeverisë Mustafa i ra hise të merrej edhe me njërën nga potencialet më të mëdha të Kosovës në sferën e turizmit. Brezovica i kaloi nën menaxhim për 99 vjet koncesionarit francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”. Ky projekt është në një gjendje jo shumë të lakmueshme, ndërsa çdo dështim eventual, meqë konsiderohet si ndër investimet më të mëdha të huaja në vend, do të ishte një goditje shumë e rëndë për ekonominë e Kosovës.

Ndodhia më pozitive në vitin e parë qeverisës nga kryeministri Mustafa është nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin. Kjo marrëveshje, e para kontraktuale me Bashkimin Evropian, i jep mundësi vendit të ecë drejt integrimit evropian, ndonëse ajo ditë tash për tash duket shumë e largët. Megjithatë, kjo marrëveshje do ta përafrojë vendin tonë me vlerat më të larta kualitative të produkteve, me krijimin e klimës miqësore të të bërit biznes dhe arritjes së standardeve të pranuara nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

E arritur e rëndësishme e këtij viti është nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Kabineti Mustafa kishte premtuar ndryshime të normave fiskale. Në disa nga ligjet bazike që rregullojnë këtë fushë u bënë disa ndryshime. Rritja e Tatimit të Vlerës së Shtuar nga 16 në 18 %, për shumicën dërrmuese të produkteve, është një rëndesë për buxhetin e varfër të qytetarit. Ndërsa lista e produkteve për të cilat TVSH-ja u zvogëlua nga 16 në 8 % është shumë më e ngushtë dhe përmbledh në vete disa nga artikujt jetësorë. Këto ndryshime preken edhe disa segmente të tjera, e nga qeveritarët u quajtën të rëndësishme me efekte afatgjata.

Deri në këtë kohë nuk është se dhanë ndonjë rezultat të prekshëm, pavarësisht se raportet e dikastereve ekonomike qeveritare i vlerësojnë shumë. Biznesi aktiv nga ana tjetër i konteston zëshëm. Për ta pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe vende të reja të punës, nevojitet të bëhen shumë përmirësime, në rend të parë për funksionimin e shtetit ligjor, që ngërthen në vete një zinxhir të gjatë me hallka të shumta që nuk janë në gjendje të mirë. Këto i thotë edhe Raporti i Progresit i këtij viti, i cili sikur përsëritet nga viti në vit, pasi evidenton të metat e njëjta, madje edhe të thelluara, sikur janë korrupsioni, nepotizmi, ekonomia informale etj.

Kjo Qeveri në përgjithësi kishte baticat dhe zbaticat e saj në fushën ekonomike. Se si do të reflektojë e tëra kjo në vitin 2016, nuk mund të saktësohet, por e sigurt është se Qeveria e Kosovës duhet shumë më seriozisht dhe në mënyrë më konkrete të merret me përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend.

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane:
Mund të them se për përfaqësuesit e sektorit privat 2015-shi ka qenë një vit i pritjeve të mëdha, për shkak se është konsideruar se është momenti i fundit që një qeveri e re do t’i fokusonte tërë fuqitë e saj për përmirësimin e mjedisit për të bërë biznes, për fuqizimin e sektorit privat, tërheqjen e investimeve të huaja direkte, rrjedhimisht një përshpejtim të zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë drejtim ka pasur disa hapa të ndërmarrë nga ana e institucioneve të shtetit, ku do ta theksoja ndryshimin e legjislacionit tatimor, i cili, përveçse eliminon një sërë paqartësish të cilat kanë ekzistuar në të kaluarën, për herë të parë sjell edhe disa lehtësira për lirimin nga pagesa e TVSH-së të makinerisë dhe lëndës së parë të importuar, por edhe për prezantimin e pushimeve tatimore për investimet e reja që nënkupton lirimin nga tatimi për disa vite, varësisht nga shuma e investimeve dhe numri i vendeve të reja të punës.

Po ashtu, do ta përmendja si pozitive nxjerrjen e Ligjit për Fondin e Garantimit të Kredive që pritet ta lehtësojë qasjen në financa për bizneset, por edhe Ligjin për Investime Strategjike i cili pritet të mundësojë bisedime direkte ndërmjet Qeverisë dhe investitorëve potencialë në projekte që mund të konsiderohen strategjike për ekonominë e Kosovës.

Ne në Odën Amerikane nuk jemi të kënaqur me dinamikën e reformave meqë konsiderojmë se Qeveria ka mundur të ndërmarrë edhe përpjekje të tjera që do ta bënin më gjithëpërfshirëse reformën e mjedisit afarist. Kemi kërkuar me ngulm lirimin e mëtejmë të listës së lëndëve të para nga detyrimet doganore që do ta ngrehte pozitën konkurruese të ndërmarrjeve prodhuese, por edhe përgatitjen e një strategjie zhvillimore në nivel vendi, për të cilën kemi qenë të gatshëm ta japim kontributin tonë. Kur flasim për mbështetjen për prodhuesit, atëherë e shohim si të rëndësishme edhe mbështetjen që duhet ofruar për ngritjen e cilësisë së produkteve vendore, ashtu që vendi të mund t’i rrisë kapacitetet e eksportit dhe të mund t’i shfrytëzojë në maksimum përparësitë të cilat do të ofrohen pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Për keqardhje është edhe vonesa për ndryshimin e Ligjit të Prokurimit Publik, i cili do të mundësonte përdorimin e platformës elektronike të prokurimit duke krijuar kështu hapësirë për transparencë më të madhe dhe eliminimin e parregullsive, sidomos duke e ditur se është prokurimi fusha ku perceptimi për prani të korrupsionit është më i madh. Ndërsa në aspekt të tërheqjes së investitorëve seriozë të huaj, është fatkeqësi që institucionet tona nuk kanë treguar përpjekje më serioze për fuqizim të sundimit të ligjit, ngritjes së efikasitetit të gjyqësorit, luftim të ekonomisë joformale dhe të korrupsionit, të cilat po rëndojnë imazhin e Kosovës në sytë e investitorëve të huaj.

Në përgjithësi në muajt e parë të vitit ka pasur interesim më të shtuar të investitorëve të huaj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shtete të tjera në sektorë të ndryshëm por që, fatkeqësisht, nuk kanë arritur të konkretizohen në projekte të investimeve gjatë vitit 2015. Besoj se në këtë aspekt ka kontribuar edhe situata politike, duke ditur se faktorët politikë përbëjnë një aspekt të rëndësishëm të cilin investitorët seriozë marrin në konsideratë para se të vendosin për shtrirje të operacioneve ose për investime në Kosovë. Ngjashëm si me krizën politike të vitit 2014, kur pasojat janë ndjerë edhe në vitin 2015, nuk do mend se pasojat e krizës momentale politike do të ndjehen edhe në muajt në vijim gjatë vitit 2016.

Një lajm i mirë është arritja e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit të ri nga ana e kompanisë amerikane “Contour Global”, e cila në të ardhmen do të mundësojë një siguri dhe cilësi më të madhe të furnizimit me energji elektrike, si një prej shqetësimeve të vazhdueshme të komunitetit të biznesit. Lajm të keq e konsideroj edhe shtyrjen e serishme të projektit të koncesionimit të qendrës rekreative sportive “Brezovica”, për të cilin shpresoj se afati i ardhshëm i përcaktuar do të respektohet dhe do të shënojë përmbyllje të suksesshme të përpjekjeve për privatizim të kësaj qendre turistike me potencial të madh për vendin. /EpokaeRe/Telegrafi/

Në trend Ekonomi

Më shumë
India, anëtare e BRICS refuzon de-dollarizimin - përqafon dollarin amerikan

India, anëtare e BRICS refuzon de-dollarizimin - përqafon dollarin amerikan

Botë
Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Ekonomi
Meritaterm vazhdon kampanjën me super zbritje prej 33% për pompën termike më të mirë në treg, Toshiba

Meritaterm vazhdon kampanjën me super zbritje prej 33% për pompën termike më të mirë në treg, Toshiba

Ekonomi
Foleja Home: Produkte cilësore dhe moderne për shtëpinë dhe zyren tuaj

Foleja Home: Produkte cilësore dhe moderne për shtëpinë dhe zyren tuaj

Ekonomi
Kjo është super platforma për menaxhimin e procesit të dhënies dhe marrjes me qera të veturave

Kjo është super platforma për menaxhimin e procesit të dhënies dhe marrjes me qera të veturave

Ekonomi
Vezët Bio REA-s: Zgjedhje e shëndetshme për familjen tuaj

Vezët Bio REA-s: Zgjedhje e shëndetshme për familjen tuaj

Ekonomi
Kalo në kategori