LAJMI I FUNDIT:

Kujta dhe Meri, 20 vitet e markës gjakovare që po bëhet globale

Kujta dhe Meri, 20 vitet e markës gjakovare që po bëhet globale

Ai stilon, pret, qep, fantazon. Ajo menaxhon biznesin. Kujtimi dhe Merita, çifti nga Kosova, e kanë kthyer markën e veshjeve “Kujta dhe Meri”, në një brend ndërkombëtar.

Ishte viti 2009 kur ata morën pjesë për herë të parë në Fashion Week në Milano. Përveç fustaneve që sfiluan, disa krijime u ekspozuan në një galeri artesh. Të nesërmen menaxheri do u telefononte fare herët. “Ku jeni?”- gati i bërtiste ai çiftit, që ishte në gjumë të thellë pas atij organizimi madhështor me modele profesioniste dhe një prapaskenë prej 90 vetash.


Kujtimi dhe Merita, bashkë që në shkolle të mesme, partnerë në jetë dhe bashkëpunëtorë të pandarë në sipërmarrjen e tyre

Nuk e dinin që në mediat italiane kishin shpërthyer shkrimet pozitive dhe një lumë komplimentesh. Dhjetëra artikuj që flisnin për Kujta&Meri, përfshirë edhe të famshmen “Corriere della Sera” të mrekulluar nga origjinaliteti i kësaj marke nga Gjakova, të përfaqësuar me 9 veshje në sfilatën Dressed up: a critical fashion show. “Një nga gjetjet që u kishte bërë më shumë përshtypje ishte mozaiku me kristale Swarovski, gurë shumë elegantë mbi lëkurë, që është një material i egër”, kujton gjashtë vjet më vonë Kujtim Berisha, dizenjatori dhe krijuesi i veshjeve deri në detajin e fundit.

Sot, pas asaj sfilate në 2009-ën, Kujta dhe Meri kanë marrë pjesë dhe në të tjera në Siçili, apo Berlin, kanë një showroom në Milano dhe katër pika shitjesh si pret a porter dhe haute couture, veshjet e tyre janë zgjedhur nga Anastassija Makarenko në kopertinën e revistës “Victory On”, fotografuar nga Antonio Montani apo balerina e parë e La Scala-s. Veç figurave më të njohura të ekranit dhe artit në Kosovë prej vitesh, i zgjedhin edhe disa personazhe shqiptare si Miriam Cani, apo disa herë dhe Alketa Vejsiu, në këtë edicion të X Factor, për të mos harruar shumë klientë të panjohur, por tmerrësisht të apasionuar pas së bukurës, që vijnë nga çdo anë, në atelienë e Gjakovës. Aty ku nisi gjithçka. E kanë mbyllur pikën tjetër në Prishtinë, ku për tetë vjet, shkonin dy herë në javë për të marrë porositë dhe për të bërë provat e klientëve. Tashmë emri dhe mjeshtëria e tyre është aq e njohur në Kosovë, sa nuk është më nevoja për një vitrinë të dukshme në kryeqytet. Dhe sa për klientët që vijnë nga vende të tjera të botës vetëm për ta, pak rëndësi ka nëse atelieja është në Tiranë, Prishtinë apo Gjakovë.

Nga sfilata e Berlinit

Janë mësuar edhe me artikujt në gazeta e revista, jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhë të huaj. Deri historiani i njohur i artit dhe modës në Evropë, Stan de Hawk i ka quajtur veshjet e tyre shumë romantike dhe e ka renditur këtë markë ndër të preferuarat e tij.

Fustani i modeles Makarenko nga Kujta dhe Meri. Fotograf Antonio Montani

Logoja Kujta dhe Meri në katalogët e tyre

“Artizanati”, do përgjigjej Kujta për veçorinë kryesore të veshjeve që krijon. “Siç themi ne në Kosovë, unë i qëndis veshjet, deri në detajin më të vogël, pavarësisht kostove që mund të kërkojnë. Për një detaj mund të shkoj deri në Paris për ta gjetur”. Pas kësaj, nuk mund të habitesh sesi klientët vijnë edhe nga ShBA-ja në Gjakovë.

Sigurisht përveç detajeve, janë edhe prerjet, modelet, materialet e pastra, copat të cilat “KM” i zgjedh pa dizajn, sepse i pasurojnë vetë me aplikacione. Kujta kujdeset vetë për gjithçka nga vijat në letër, te gërshërët mbi stof e deri te aplikacioni i fundit mbi fustan, pavarësisht që përmasat e ateliesë së tyre tani janë zgjeruar me staf, por kjo mënyrë pune, më shumë sesa kujdes i tepruar, është përmbushje e atij pasioni që për Kujtën ka nisur që në fëmijëri…sado e pabesueshme të duket kjo.

Ky është fustani i Alketa Vejsiu në mbrëmjen e 7-të në X Factor

“Që kur isha dhjetë vjeç e kisha këtë talent. Nuk vishja asnjëherë rrobat që bliheshin, i përzieja, i kombinoja e pastaj i vishja”, thotë Kujtimi. Një biznes i ngritur nga e motra dhe kunati, do i siguronte mjedisin ideal për ta ushqyer talentin me lëndën e përshtatshme, me copat që prekeshin me gishta, me modelet që priteshin mbi tavolina të mëdha, me idetë që zhvilloheshin nga një makinë qepëse te tjetra…dhe gjatë kësaj rruge, vendimi ishte marrë, ai do të bëhej dizenjator veshjesh. Dëshira për të studiuar në Zagreb nuk iu realizua, për shkak të më shumë sesa një pengese, por ai I vendosur, nisi të studionte autodidakt bazat e dizajnit që të ishte gati për t’i ndërtuar themelet, shtëpisë së ëndrrës së tij të hershme, një atelieje mode.

Ndërsa ishte 19 vjeç njohu dhe u dashurua me Merin, e cila do të bëhej pjesë e pandarë jo vetëm e jetës së tij, por edhe e ëndrrës. Sot, marka e veshjeve quhet “Kujta dhe Meri”, sepse në të është mendja dhe shpirti i të dyve. “Është shumë bukur kur gjen një njeri që të të mbështesë. Në biznes ka edhe momente shumë të vështira, por me dikë pranë, gjithçka kapërcehet. Unë me Merin në fillim u dashurova, vetëm më vonë njoha te ajo talentin e sipërmarrjes dhe që nga ajo kohë ka qenë një mbështetje shumë e mirë. Është meritë e aftësisë së saj bindëse dhe nuhatjes së lindur që KM sot është përhapur dhe në tregun ndërkombëtar e ka marrë pjesë në sfilata të ndryshme në Evropë”, thotë Kujtimi.

Dhe, sipas tij, kjo nuk është asfare pika kulmore e historisë. Jo për të mbajtur fillin e saj të nderë, në një fushë shumë konkurruese, por sepse, që prej fillimit, ka qenë gjithmonë në kërkim të risive e nuk do heqë ndonjëherë dorë prej tyre, i bindur që shija edukohet, që një shtëpi mode e krijon stilin, nuk e përshtat me kërkesat e tregut. Këtë kanë bërë gjithmonë, që në vitin 1994 kur organizuan sfilatën e parë në Pallatin e Kulturës në Gjakovën e pushtuar, si gjithë Kosova e pa u ndalur që nga viti ’95 kur krijuan markën “Kujta dhe Meri”.

Do të binin në sy krijimet e tyre origjinale edhe në Netët e Klipit në Tiranë në vitin 2009, kur sollën disa veshje që në atë kohë mund të dukej sikur askush nuk do guxonte t’i vishte. “Duhet të kesh gjithmonë guxim për të krijuar, për të sjellë diçka të re”, thotë ai.

Kjo, e gjitha, është filozofia e një shtëpie mode, që nuk përshtatet, por drejton shijet dhe ngadalë fiton ndjekës, nuk ka shumë rëndësi nëse baza është në Paris, apo në Gjakovë! /revistaclass/telegrafi/