LAJMI I FUNDIT:

Film për intervenimin ‘amerikano-britanik’ në Kosovë

Film për intervenimin ‘amerikano-britanik’ në Kosovë

Kanali televiziv, kablovik Amerikan, HBO, ka shfaqur mbrëmë një film televiziv, të titulluar “Lidhja e Veçantë”, që flet për miqësinë midis Presidentit amerikan Bill Clinton dhe Kryeministrit britanik, Tony Blair si dhe koordinimin midis tyre për të ndërmarrë sulmin ushtarak të NATO-së kundër forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Në film jepen bisedat autentike që bëhen pas masakrës së Recakut, kur të tmerruar nga skenat e vrasjes së dhjetëra shqiptarëve të pafajshëm, zonja e parë, Hillary Clinton i thotë Presidentit amerikan se duhej të veprohej. Clinton i telefonon Kryeministrit Blair dhe të dy, Blair në Londër dhe Clinton në Washington shikojnë skenat nga masakra, ndërsa Presidenti amerikan paralajmëron se do të t’i thotë NATO-së të bëhet gati për sulm.

Menjëherë, Blair i telefon Ministrit të Mbrojtjes dhe tabloja tjetër filmike paraqet fluturimet dhe fillimet e bombardimeve nga NATO-ja.

Në film, kemi dy etapa zhvillimesh tek këta liderë, që me vendimet dhe veprimet e tyre, gjithsesi, shënuan fillimin e lirisë së Kosovës.


Ndërsa, në fazën e parë të luftës, nga fundi i vitit 98-të Clinton ishte ai që fliste për nevojën e ndërhyrjes ushtarake dhe rreshtimin e vendeve evropiane prapa një sulmi eventual, Blair më vonë qe ai që mbajti moralin e vazhdimit të bombardimeve si dhe ngriti opsionin e ndërhyrjes me trupa tokësore po që se do të dështonin bombardimet nga ajri.

Blair vjen në Shtëpinë e Bardhë dhe kërkon nga Clinton të zgjedhë midis dy opsionesh, ndërhyrjen me 80 mijë trupa tokësore në Kosovë që të dëbohen forcat serbe, apo invadimin e Serbisë me 200 mijë ushtarë dhe përmbysjen e regjimit të Milosevicit.

“Ne nuk do të lejojmë gjenocidin. Kjo është një betejë midis të mirës dhe të keqes, midis civilizimit dhe barbarizmit. Kjo është një përgjegjësi e jona e krishtere për mbrojtje të njerëzimit”, i thotë Blair Clintonit gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë.

“NATO nuk do të pranojë dërgimin e trupave tokësore. Edhe unë jam kundër trupave tokësore,” i përgjigjet Clinton. “Suksesi është opsioni ynë i vetëm dhe Milosevici duhet të mundet.

Ne po hyjmë në një epokë të re të përgjegjësisë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut,” tha Tony Blair në një fjalim para amerikanëve në Chicago që është vendimtare në analet e bombardimeve të NATO-së dhe të luftës së Kosovës në ruajtjen e moralit të të gjithë atyre që dyshonin në fitoren e Aleancës perëndimore.

Gazetat amerikane e komentuan këtë fjalim si një diçka, nga e cila Clinton mund të mësonte lidhur me vendosmërinë. Sondazhet e nxirrnin pas këtij fjalimi Tony Blair-in si burrëshshtetasin më të popullarizuar në botë.

Clinton nuk ishte i lumtur me këtë fjalim, sepse, ndjente sikur në oborrin e tij po e mësonte se çfarë duhej të bënte një i huaj. Vetëm pas këtij fjalimi, Clinton doli me deklaratën se SHBA po i shqyrtonin të gjitha mundësitë e sulmeve të mëtejme ushtarake, përfshirë edhe trupat tokësore.

Rolet në këtë film i luajnë Denis Quaid si Bill Clinton dhe Michael Sheen si Tony Blair, një film që u vlerësua si ‘provokues’ dhe që në mënyrë mjeshtërore rikrijon historinë e fundit të nëntëdhjetave të shekullit të kaluar dhe ndikimin që mund të kenë ‘lidhjet e veçanta’. /rtk/