LAJMI I FUNDIT:

Australi, promovohet libri për luftën e Kosovës

Australi, promovohet libri për luftën e Kosovës

U promovua në Adelaide të Australisë libri i Craig Juriseviq, “Blood on my Hands”, i cili pasqyron një segment shumë të rëndësishëm të luftës së fundit në Kosovë.

Nga Beqë Sokoli, Australi

Me kopertina me imazh të bukur nga malet e Pashtrikut dhe me një titull që të provokon trurin sapo t’i hedhësh syrin, kirurgu slloveno-australian, Dr. Craig Jirusevicq, ka nxjerrw në dritë librin e tij të titulluar “ Blood on my Hands”- ( Gjak në duart e mia ).

Në një ambient tejet të ngrohtë dhe miqësor, Jirusevic ka bërë një ekspoze të librit të tij, kushtuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, eksodit të shqiptarëve kosovarë që derdheshin si lum drejt Shqipërisë dhe sistemit shëndetësor në Kukës.


Edhe pse, në disa pjesë, vihet re shkujdesjeje sa u përket emërtimeve, të cilat janë krejtësisht në sllavishte, në përgjithësi, libri mund të vlerësohet me peshë shumë të madhe për ne shqiptarët, jo për faktin se aty është thënë diçka shumë e panjohur për ne, mirëpo për faktin e objektivitetit të penës së një të huaji, lojal i shqiptarëve.

I përfshirë mes qindra mjekësh ndërkombëtarë në Shqipëri, në vitin 1999, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë, mjeku nga Australia ka shëruar qindra e mijëra shqiptarë kosovarë të plagosur rënd e lehtë, fizikisht e shpirtërisht nga policët dhe paraushtarakët serbë. Madje, gjatë kësaj kohe, ai ishte dhe dëshmitar i shumë masakrave të tmerrshme të kryera nga forcat serbe.

Ndërkohë që, edhe pse jo e zakontë për qenien njerëzore, Jirusevic thotë se ka vrarë për të shpëtuar disa shqiptarë kosovarë. I ndodhur përballë një situate vërtet të rëndë mjekësore, si për të ashtu dhe për pacientin e tij, ngase personi X ishte i plagosur keqas dhe shpresat për jetën ishin shumë të vogla, ai përzgjidhte një rrugë shumë të dhimbshme, atë të ekzekutimit të drejtpërdrejtë. Kjo mënyrë e veprimit quhet Euthanasia dhe se në vendin nga Craig Jirusevic vjen një veprim i tillë s’është i sanksionuar.

Megjithëkëtë, mes shumë ngjarjesh interesante të përjetuara nga autori, në letrat e bardha të këtij libri, është shkruar edhe për një dukuri të shëmtuar, atë të korrupsionit mes mjekësh në spitalin e Kukësit. Ai shkruan se si mjekë në këtë spital u kërkonin refugjatëve kosovarë nga 200 marka gjermane për kontrolle të thjeshta apo edhe të ndërlikuara.

Siç duket, i papajtuar me këtë dukuri shumë të pamoralshme, dëshpëruese dhe denigruese, ai u alarmua dhe i alarmoi të tjerët dhe, pa u hamendur gjatë, ai la spitalin e Kukësit dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Siç edhe rrëfen në librin e tij, “Gjak në duart e mia”, vesh uniformën e kësaj ushtrie deri në fund të luftës, i ndihmoi ata në çdo aspekt.

Ndryshe nga David Hicks, ashtu australian në radhët e UÇK-së, i cili edhe mori përvojën e parë ushtarake me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përkundrazi Craig Jurisevic i trajnoi ata, e ndihmoi UÇK-në në zbulimin e shumë caqeve të rëndësishme të ushtrisë serbe, ngase ai kishte dhe përvojën e tij prej ushtaraku me ushtrinë australiane.
Megjithatë, edhe pse e la spitalin dhe iu bashkua UÇK -së, Jiruseviq nuk mundi t’i ikte profesionit të tij. Siç edhe na ilustronte me foto në projektorin e madh, ai vazhdoi të kryente shumë e shumë operacione nëpër shpella, tanimë të kthyera në salla operacioni.

Mes pamjesh tronditësi që na shfaqeshin në ekran, shumë miq të tij shpreheshin të tronditur. “Ajo që ka ndodhur me shqiptarët e Kosovës është e tmerrshme”- shprehet Catrine, një gazetare e një radioje lokale.

Ndërsa për bashkëpatriotët tanë, ky libër është një iliadë e vogël, me rëndësi shumë të madhe. Edhe pse nuk janë numër shumë i madh në këtë pjesë të Australisë, megjithatë lokali ishte i stërmbushur me shqiptarë.

“Një vepër që duhet ta lexojë gjithsecili- thotë Ahmet Lokaj. “Në përgjithësi kam përshtypje shumë të mira për këtë vepër”- shprehet Kadri Mulaj, që të dytë bashkatdhetarë tanë në Australi.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e Shtëpisë Botuese “Wild Dingo Press”, nga Melburni, zonja Caterine Lewis, thotë se, “kemi vënë re se ky libër ka ngjallur shumë interesim dhe, shpresojmë se deri në fund të vitet të shesim mbi 20 mijë kopje të tij. Siç duket, më të rëndësishëm këtë libër e bën fakti sepse, ai do të bëhet film dhe, jam shumë e kënaqur që shtëpia jonë ka botuar këtë libër”- theksoi zonja Lewis.

“Gjak në duart e mia”- së shpejti do të kalohet edhe në ekran. Producente e këtij filmi do të jetë Eva Orner, fituese e çmimeve Oscar dhe Emmy për dokumentarin “Taxi to the dark side”, në vitin 2008. Ndërsa rolin kryesor do ta luajë aktori i cili u bë i njohur me performancën e tij në filmin “Avatar”, Sam Worthington. /Telegrafi/