LAJMI I FUNDIT:

Jeton Kelmendi nderohet me çmimin prestigjioz francez

Jeton Kelmendi nderohet me çmimin prestigjioz francez

Poeti kosovar Jeton Kelmendi është nderuar me çmimin prestigjioz francez për poezi “Grand Prix International Solenaza de Poesie”. Poezitë e Kelmendit janë përkthyer në 22 gjuhë të botës dhe ai është poeti i parë shqiptar që nderohet me këtë çmim.

Kelmendi, i cili është vlerësuar për arritjet në fushën e poezisë dhe për gjuhën e bukur të përdorur në poezi, ka triumfuar në mesin e 70 poetëve nga vende të ndryshme të botës që ishin nominuar nga juria e udhëhequr nga akademik Athanase Anchev de Thracy.

Jeton Kelmendi, i cili është poeti i parë shqiptar që nderohet me këtë çmim, nëpërmjet telefonit për Kohën Ditore është shprehur i kënaqur që është shpërblyer me çmimin, i cili radhitet në mesin e dhjetë çmimeve më prestigjioze të poezisë që ndahen në Francë.

“Konsideroj se është një sukses imi dhe duhet të them se ndihem shumë i kënaqur dhe i lumtur sidomos meqë përfaqësoj poezinë shqiptare”, ka thënë Kelmendi për gazetën. “Është një lloj afirmimi i poetëve shqiptarë në botë”, ka shtuar ai.


Kelmendi po ashtu ka dhënë detaje lidhur me “Grand Prix International Solenaza de Poesie”.

“Është një çmim i akorduar për personalitetet që kanë shënuar një gjuhë të veçantë në poezi dhe për vepër jetësore, i cili është i themeluar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Francës në bashkëpunim me Universitetin e Sorbonës”, ka shpjeguar ai. /Koha/