LAJMI I FUNDIT:

Pikturat e Picassos arrijnë ne Shqipëri

Pikturat e Picassos arrijnë ne Shqipëri

Për herë të parë publiku artdashës shqiptar do të shohë nga afër gjigantë të arteve pamore botërore. Veprat e piktorëve me famë botore, emrat e të cilëve kanë bërë “epokë” në artet pamore do të vijnë së bashku në një ekspozitë pikture në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ekspozita do të hapet në datën 21 prill dhe në të do të ekspozohen vepra të piktorëve me famë botërore si Pablo Picasso, Andy Warhol, Francesco Clemente, Francis Bacon, Jean Michel Basquiat, Marc Chagall, Mario Sironi, Piet Mondrian, Rene Magritte, Sandro Chia etj. Në total janë 71 vepra me vlera të jashtëzakonshme artistike dhe historike, pjesë të koleksionit privat të koleksionistit italian, Francesco Martani.

Vlerat e pikturave që do të mund të shihen në datën 21 prill shkojnë në miliona euro, për shkak të vlerave, emrave të autorëve dhe rëndësisë që kanë për artin pamor. Kësisoj, gjatë kohës së ekspozimit ato do të ruhen me masa të rrepta sigurie.

Aktiviteti organizohet në kuadër të stinës shqiptaro-italiane: “Dy popuj, një det, një miqësi”. Koleksioni privat i Francesco Martanit është shumë i pasur me emrat më të mëdhenj e më të rëndësishëm të artit modern përgjatë shekullit XX. /BalkanWeb/