LAJMI I FUNDIT:

Dokument që rrënon falsifikimet

Dokument që rrënon falsifikimet

Libri “Maqedonia Shqiptare“ është një enciklopedi më vete, e cila në dritë nxjerrë tekste shkencore të akademikëve, shkencëtarëve, hulumtuesve dhe historianëve shqiptarë dhe të huaj për Maqedoninë iliro-shqiptare.

Vitin që lamë pas, k-akademia e shkencave e FYROM-it nxori një „enciklopedi“, e cila opinionit të gjerë ia plasi nervat me falsifikime e të pavërteta, sa të dukshme, aq edhe të padurueshme. Kësaj “enciklopedie“ paçavër publicisti shqiptar nga Tetova, Nijazi Muhamedi dhe bashkëpunëtoret e tij, i mëshuan hundësh me një vepër kapitale të titulluar “Maqedonia Shqiptare“, e cili sjell fakte e jo broçkulla.

Vëllimi i parë i librit “Maqedonia Shqiptare“ jetën e tij e nis me thënien e Tacit-es, e cila thotë: “Historia e ka për ligj të vetin asnjëherë të mos guxosh të thuash fjalë të rreme, asnjëherë të mos guxosh të heshtësh të vërtetën.“. Libri “Maqedonia Shqiptare“ është një enciklopedi mëvete e cila në dritë nxjerrë tekste shkencore të akademikëve, shkencëtarëve, hulumtuesve dhe historianëve shqiptarë dhe të huaj për Maqedoninë iliro-shqiptare. Libri është i ndarë në kapituj dhe nënkapituj, me tekste të shkruara nga autor të ndryshëm, siç mund të veçohen: akademik Krsto Frashëri, prof.dr. Muzafer Korkuti, prof.dr Myslim Islami, dr. Ulf Brunnbauer, Elena Kocaqi, Jean-Claude Faveyrial, Anasasia Karakasidi, Rose Wilder Lane e shumë njohës tjerë të fakteve historike.

Përveç teksteve në gjuhën shqipe, libri “Maqedonia Shqiptare“ sjell edhe dokumente në gjuhën angleze dhe franceze, si dhe fotografi e harta të cilat e bëjnë edhe më të çartë e më të kapshëm librin për lexuesin.


Ky libër opinionit të gjërë i bënë me dije shumë gjëra të cilat ndriçojnë të vërtetën dhe synimet e atyre të cilët, të pakënaqur nga kjo, mundohen të shtrembërojnë dhe të mos thonë të vërtetën, për këtë “hise Shqipërie që i thonë Maqedhoni“, siç kishte pas thënë një kohë e një vakt, ortodoksi shqiptar Josif Bageri i lindur në Maqedoninë shqiptare.

Qëndisësi dhe qëndisësit e vëllimit të parë “Maqedonia Shqiptare“, përmes dokumenteve të vërtetuara shkencërisht dhe të mbështetura në thënien e Tacit-es për historinë, i bien me shqelm ndërgjegjefjeturve duke nxjerrë në pah fakte, pa duruar poshtërime, nga ata që hiqen si akademik. Libri në fjalë pa dyshim do të ishte i nevojshëm jo vetëm për studjuesit e historisë dhe historiografisë iliro-shqiptare, por edhe për çdo qytetar i cili ka edhe më të voglin interes të njihet, me të vërteta e faktet e padëgjuara më parë.

Vëllimi i parë i librit “Maqedonia Shqiptare“ ka një qasje interesante dhe pa mëdyshje do të mund ta quaja një enciklopedi e llojit të vet. Përveç si libër faktesh historiografike, kjo vepër kapitale mund të lexohet edhe nga politikologët, teologët, gjeopolitikologët, gjuhëtarët, analistët e para së gjithash nga historianët.

Radhitja e teksteve dhe mënyra se si është dizajnuar pamja e brendshme e librit, për lexuesin janë shumë tërheqëse e mbresëlënëse, kurse kronologjia e teksteve është e renditur me kujdes.

Ky dokument i cili rrënon falsifikimet e bëra nga çdo kush që ka tentuar ti bëjë, apo edhe të atyre që e kanë si synim në të ardhmen, nuk u lë hapësirë. Bazuar në vëllimin e parë, vëllimi i dytë i kësaj vepre kapitale, me siguri edhe më drejtpërdrejt do të atakojë të pavërtetat të cilat lansohen në drejtim të shqiptarëve dhe trojeve të tyre etnike. /INA/