LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu mori pjesë në “Takimet e Gjeçovit” në Zym të Prizrenit

Sejdiu mori pjesë në “Takimet e Gjeçovit” në Zym të Prizrenit

“Populli shqiptar mburret me at Shtjefën Gjeçovin, çfarë njeriu ka pasur. Ishte njeri edhe i punës edhe i penës”, është shprehur Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke folur para pjesëmarrësve të manifestimit tradicional, të 38-tit me radhë, “Takimet e Gjeçovit”, që këtë vit u mbajtën nën patronazhin e Presidentit të vendit.

Para fillimit të manifestimit, Presidenti Sejdiu ka vizituar familjen e Pjetër Prekpalajt në fshatin Zym. Në një ambient të ngrohtë familjar, Presidenti Sejdiu është njoftuar me preokupimet e kësaj familjeje dhe banorëve të tjerë të Zymit dhe të fshatrave përreth, shkollimin e fëmijëve, sigurimin e ujit të pijshëm dhe kushteve të tjera për jetesë e të tjera.

Më pas ai ka zbuluar monumentin e ngritur për kontributin e dhënë për mbarëvajtjen e arsimit shqip në vitet e rënda 1991-1999 nga banorët e fshatrave Zym, Shëngjergj dhe Bregori.

Pasi ka vënë buqetë lulesh para shtatores së at Shtjefën Gjeçovit, Presidenti Sejdiu ka folur në manifestimin qendror “Takimet e Gjeçovit” dhe ka përcjellë gjithë aktivitetet e organizuara në kuadër të këtij manifestimi prestigjioz dhe tradicional, që ka mbledhur shumë figura publike të politikës e kulturës, si dhe shumë banorë të kësaj ane, që tashmë jetojnë në vise të tjera të Kosovës apo edhe jashtë shtetit.


Duke lartësuar figurën e at Shtjefën Gjeçovit, Presidenti Sejdiu ka theksuar një citat nga pasuria e madhe që la mbrapa Gjeçovi: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut. “Merrni dhe zbërtheni. Aty e keni edhe nderin, edhe besën, edhe mikpritjen, edhe mbrojtjen dhe shumë të tjera që rrallëkund mund t’i gjeni. At Shtjefën Gjeçovi i ka mbledhur nga goja e popullit nga tradita e popullit dhe i ka bërë bashkë”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se materia e mbledhur nga at Shtjefën Gjeçovi jo vetëm që është një pasuri shumë e madhe për kulturën dhe historinë e popullit shqiptar, por ajo ka kapërcyer kufijtë dhe është bërë objekt studimi i shumë ekspertëve nga vende nga më të ndryshme të botës.

Në këtë kontekst, ai përmendi librin e një autori japonez, me titull “Struktura etike e Kanunit të Lekë Dukagjinit”, në të cilin ai nxjerr shumë përfundime dhe thekson se kryevepra e Gjeçovit është një dhe unikate.

“Përkushtimi i institucioneve të vendit për të mbajtur një traditë kujtimi, për të dhënë shansin e fjalës edhe për vepër letrare, edhe për studime, edhe për aspekte kulturore, edhe për rezistencën, kanë gjetur një rrugë të mirë që këto takime, në këtë vend të bekuar, të jenë tradicionale”, theksoi më tej Presidenti Sejdiu, duke lavdëruar angazhimin që ky manifestim të mos ketë asnjëherë shkëputje dhe që të shkojë vetëm duke u rritur e duke zgjeruar gamën e pjesëmarrjes.

“E dimë të gjithë se e keni pasur vështirë në kohë të vështira. E dimë se keni shkuar për kafshatën e gojës skajeve të dynjasë, por e di se keni marrë me vete Kosovën dhe keni ardhur në Kosovë, andaj mos u shkëputni asnjëherë nga porositë e njerëzve të mëdhenj të këtij vendi”, porositi Presidenti Sejdiu banorët e Zymit dhe gjithë hasjanët.

Nga të gjithë të pranishmit më manifestim, sidomos nga banorët dhe veprimtarët e kësaj ane është pritur me gëzim shumë të madh deklarimi i Presidentit Sejdiu për të ofruar ndihmën e institucioneve të vendit që në këtë vend të ngrihet edhe shtatorja e Pjetër Bogdanit, një studiuesi dhe burri të madh shqiptar, i vrarë edhe ai, sikur at Shtjefën Gjeçovi, pikërisht për shkak të angazhimeve të tyre kombëtare në kohë të rëndë për të gjithë shqiptarët.

“Gjeçovin e Bogdanin i vranë, i hoqën nga jeta ata që nuk deshën të na shohin gjallë. Por, ne jemi gjallë, vazhdojmë jetën”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Gjatë vizitës në Zym, Presidenti Sejdiu ka vizituar edhe kishën në këtë fshat, ku Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji ka shtruar një drekë për Presidentit dhe bashkëpunëtorët e tij./Telegrafi/