LAJMI I FUNDIT:

Ministri Beqiri priti drejtorin Mastroviq

Ministri Beqiri priti drejtorin Mastroviq

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, priti Drejtorin e Përgjithshëm të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë, Tihomil Mastroviq, i cili në këtë takim shoqërohej nga Drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Sali Bashota.

Gjatë këtij takimi, ministri Beqiri tha se Kosova dhe Kroacia kanë mundësi të shumta bashkëpunimi në fushën e kulturës, duke përfshirë edhe librin. Në këtë kontekst ai theksoi se nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy bibliotekave homologe të të dy vendeve është një rast i mirë për ta thelluar dhe zgjeruar këtë bashkëpunim përmes kontakteve dhe projekteve konkrete. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nënvizoi ai, do ta mbështesë bashkëpunimin në fushën e shkëmbimit të librit dhe të informacioneve nga kjo fushë, përmes të cilit do të forcohen marrëdhëniet dhe lidhjet kulturore ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë, Tihomil Mastroviq, pasi e falënderoi ministrin Beqiri për pritjen, tha se lidhjet kulturore ndërmjet dy vendeve, në saje të pranisë së komunitetit shqiptar në Kroaci, kanë një histori të gjatë tradicionale. Ai, me këtë rast, përmendi emra të shquar të botës kulturore kroate me origjinë shqiptare dhe arbëreshe.

Më tutje, Mastroviq tha se, në kuadër të bashkëpunimit bibliotekar, do të ishte me interes shkëmbimi, përkthimi dhe botimi i librave të ndryshëm, të cilët gjinden në të dy bibliotekat kombëtare dhe të cilët me përmbajtjen e tyre tematizojnë kulturën e të të dy vendeve. Ai, gjithashtu tha se, pas nënshkrimit të këtij memorandumi, ky bashkëpunim do të mund të thellohet edhe në kuadër të shkëmbimit të informatave përmes sistemeve bashkëkohore bibliotekare të instaluara në bibliotekat e të të dy vendeve./Telegrafi/