LAJMI I FUNDIT:

Ekskluzive nga Burgu i Sigurisë së Lartë: Derë e madhe me hy, e vogël me dal!? (Foto)

Ekskluzive nga Burgu i Sigurisë së Lartë: Derë e madhe me hy, e vogël me dal!? (Foto)

Mjegulla ta zinte frymën dhe të humbiste pamjen. Çdo gjë qartësohej kur hapat shkonin në drejtim të asaj që kërkonim: një objekt “banimi” - për dikë i përjetshëm, e për dikë në afat të caktuar brenda telave dhe mureve rrethues.

LEXO PO ASHTU:
Prapa grilave dhe gjembave të Dubravës: Vendi ku numërohet çdo ditë e çdo moment (Foto)
Jeta në fijet e shpresës për liri: Brenda rrethojave të burgut të Lipjanit! (Foto)
Smrekonica, streha më e mirë për një të burgosur! (Foto)

Quhet Burgu i Sigurisë së Lartë apo ndryshe Burgu i Gërdofcit. Fillonte me Pikën 0, që ishte hyrja e stafit dhe e palëve. Ndërsa, për të dënuarit dhe vizitorët ishte një hyrje e veçantë, që quhej Pika 1. Në çdo pikë të hyrjes, të gjithë i priste kontrolli i detajuar. Gjërat personale mbylleshin në kutitë e posaçme – hermetikisht të mbyllura.


NGA MURET E LARTA SHIHET VETËM… QIELLI!?

Në brendi të telave shihje dy objekte: Kuzhina dhe Administrata. Por, nuk të ikte nga pamja muri i gjatë dhe shtatë metra i lartë. Por, çfarë fshihej pas atij muri?!

Para se të zbulonim misterin, Telegrafi ndaloi tek objekti i Administratës ku ishte edhe Drejtoria e Burgut të Sigurisë së Lartë. Rasim Selmani është drejtori. Ai, në intervistën dhënë për Telegrafin, tha se ky institucion është i një rëndësie të veçantë për Shërbimin Korrektues të Kosovës.

“Burgu i Sigurisë së Lartë ka kapacitet për 390 persona të dënuar. Të dënuarit janë kryesisht për vepra të rënda penale, si: vrasje, krimi i organizuar, krimet e luftës, terrorizëm etj. Pra, vepra të rënda penale me mbi 15 vite dënim”, ka thënë Selmani.

Sipas tij, numri i të burgosurve aktualisht është 130.

Rasim Selmani

“Kemi të burgosur edhe të kombësive tjer”, tha ai, duke shtuar se stafi prej 150 personave është i mjaftueshëm – si ai civil ashtu edhe korrektues. “Është institucion që i plotëson kriteret ndërkombëtare. Ndërsa, ka edhe siguri në nivel evropian dhe monitorim të lartë përmes kamerave dhe detektorëve. Sa i përket kushteve dhe përkujdesjes që ne ofrojmë, jemi larg nga standardet e rajonit”.

Për të hyrë në murin rrethues duhej të kaloje një derë ku të prisnin dy oficerë: një mashkull dhe një femër. Kontrolli ishte si në Pikën 0, veçse gjëra personale nuk kishe më me vete.

Muret ishin aq shumë të larta, sa që nuk të lejonin të shihje pas tyre pos qiellit. Në mur ishin të vendosura pikat e kontrollit, të cilat përcilleshin nga oficerët përkatës.

FLET I BURGOSURI I “FAMSHËM” PËR ARRATISJET: JA PSE IKJA…

Njëri nga banorët e sotëm këtu ishte 14 vjeç kur bëri një krim në vitin 2000, pasojat e të cilit i vuan edhe sot. F.H., sot 30-vjeçar, vjen nga komuna e Skenderajt, nga një fshat i vogël i Klinës së Ultë. Në Burgun e Sigurisë së Lartë është që 17 muaj. Ai thotë se për Telegrafin se jeta e tij dallon nga të burgosurit e tjerë.

“Në fillim kam rënë për vrasje, vepër për të cilën nuk pendohem, pavarësisht që ka qenë pjesë e kontingjentit të ndërkombëtarëve, të NATO-s. Jam në burg që nga janari i vitit 2000 – me një ndërprerje prej katër muajsh – deri në vitin 2006. Mandej kam rënë në janar të vitit 2006 dhe jam dënuar me 25 vite për grabitje dhe vrasje në tentativë”, tha ky i dënuar, i për opinionin për arratisjet e shumta të tij.

Si katërmbëdhjetëvjeçar nuk e kreu shkollën e mesme, si të gjithë bashkëmoshatarët e tij në liri, por në Burgun e Dubravës (2002-2005).

“Shkolla ndikon në sjelljen e të burgosurit dhe në aftësinë psikike të tij”, tha ky i dënuar, përderisa tregoi se ka parë me sytë e tij kur të dënuarit e pashkolluar kanë bërë probleme nëpër burgje. “Si 14-vjeçar kam shkuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1999. Në disa punë nuk kam hyrë me vullnetin tim. Por, disa gjëra më janë imponuar çdo herë”.

Ky i burgosur, i njohur për arratisje, thotë se këto i ka bërë për shkak të, siç thotë, “maltretimeve të UNMIK-ut, prej padrejtësive të tyre”.

“Kam ikur në vitin 2000 nga burgu, sepse jam mbajtur nga 10 ditë me brekë të letrës, i zhveshur në qeli, si 15-vjeçar. Ka ndodhur që kanë hyrë natën policët e UNMIK-ut e më kanë rrahur. Rasti im ka qenë edhe pak rast politik. Ata mendonin që më ka shti dikush ta bëj atë vepër, por mua s’më ka shti askush. E kam bërë nga urrejtja kur e kam dëgjuar duke folur serbisht. Kam menduar që rusët mund të jenë njëjtë si serbët, gjë të cilën edhe sot e mendoj”, tha i dënuari i cili vështronte thellë në muret e bardha të dhomës, teksa tregon edhe një tjetër rast tragjik që i ka ndodhur si i mitur.

“Ka ardhur një delegacion nga Suedia në vitin 2004, në Burg të Dubravës. Ata kishin menduar që unë jam në Burgun e Lipjanit ndaj kishin shkuar të më kërkonin. Mirëpo, atje i kishin thënë se këtu nuk është dhe se kurrë s’ka qenë. Unë me dokumente pesë vite e gjysmë jam mbajtur në Burg të Lipjanit. Ndërsa, e vërteta është se kam qëndruar në Burgun e Dubravës, me të mëdhenj. Ky është problemi im si F.H., që më ka vonuar në përmirësimin tim si njeri. Jam mbajtur tërë kohën me kriminelë që kanë dhunuar e që kanë vrarë, që kanë shitur lëndë narkotike. Non-stop, si 15-16-17-vjeçar unë kam qëndruar me ta”, vazhdoi i dënuari me rrëfimin, duke shtuar se rrjedh nga një familje e shkolluar dhe patriotësh.

MË DËNUAN ME 25 VITE, SEPSE S’E KORRUPTOVA ASKËND!

Ai tregoi gjithashtu se në pyetje e kanë marrë pa praninë e prindit apo të kujdestarit, gjë për të cilën nuk ka qenë i informuar në atë kohë.

“Ka ndodhur shumë herë që si i mitur që isha, të kem pasur nevojë për prindin tim. Gjithmonë, kur më merrnin në pyetje, isha i vetëm. Nuk e dija që ishin të obliguar ta kisha praninë e prindit, të avokatit apo të një punëtori social. Gjithmonë jam marr në pyetje brutalisht. Gjyqtarët i mbyllnin sytë. Kjo ishte arsyeja e ikjes time të parë. Më mbeti si ves pastaj ikja. Deri në 2012 s’kam mundur t’i ndal arratisjet, por tash jam stabilizuar. Mendoj me mbajt edhe këtë pjesë të burgut”, tha i dënuari, i cili për Telegrafin shpreh frikë se sistemi në Kosovë do të mund të risocializojë ish të burgosurit.

“Vendimi i lëshimit në vitin 2005, është shkruar nga gjyqtarja e lirimit, austriake, ku thuhej që unë për t’iu kthyer jetës normale si një qytetar i lirë, do të duhej të punoja. Kjo ishte referencë për Komunën time. Edhe pse kam trokitur në dyert e Komunës, asnjëherë nuk e kam pasur një vend pune. Kam qenë fizikisht e psikikisht i gatshëm për një gjë të tillë, por më kanë neglizhuar duke më thënë se i kanë disa njerëz të tyre për t’i punësuar dhe se nuk ishte momenti im”, tregoi i dënuari, duke shtuar se në atë kohë, si i ri 21-vjeçar, meqë punë nuk gjente, është marrë me punë të paligjshme për të siguruar para.

Në vitin 2006 ai sërish bie në burg për vrasje në tentativë dhe grabitje. U dënua me 25 vjet burg.

“Kam ikur nga burgjet disa herë, si rezultat i këtij dënimi. Nuk pajtohem me drejtësinë e Kosovës. Kam parë një njeri i cili kishte bërë vepër penale për hakmarrje: dy veta i ka vrarë e është dënuar me 15 vite, e unë 25 për plagosje. Të plagosurit kanë qenë policë dhe ata jetojnë, ndërsa unë po vuaj 25 vite për plagosje dhe grabitje. Kanë ndodhur raste të tilla, po janë dënuar me shtatë vjet burg. Por, unë s’kam shikuar ta korruptoj askënd. Ndërsa, s’kam besuar që një gjyqtar me pesë anëtarë të jurisë mund të korruptohen me 200-300 mijë euro. Kam ditur që korruptohen peshqit e vegjël, por jo ata të mëdhenjtë. Kjo është një çështje që unë nuk pajtohem dhe kam ikur nga burgjet mbi tetë herë”, shton ai. “Nëse një gjyqtar suspendohet për korrupsion dhe ka fakte, krejt ato lëndë që ai gjyqtar i ka trajtuar duhet të kthehen. E, një gjë e tillë tek unë nuk është aplikuar”!

Atë e kishte vizituar në burg ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kouchner.

“Më thënë kriminel i vogël, e në atë moment e kam sulmuar me ujë të valë. Nuk e kam dert, se frikën ia kam vetëm Zotit”, thotë ai. “Tash po lexoj libra fetarë, për t’ju afruar sa më shumë Zotit”.

GJITHÇKA NËN VËZHGIM

Një tjetër i dënuar nga qyteti i Gjilanit qëndronte në dhomën e tij, hermetikisht i mbyllur me derën e hekurit. Në shenjë respekti u ngrit në këmbë. Dhoma e tij shndriste nga pastërtia, edhe pse dritë të mjaftueshme nuk kishte. Ndonëse qeli e burgut, ishte munduar të krijonte disa kënde banimi, si ajo e dhomës së ndejës me televizor e radio etj. Për Telegrafin tha se kushtet dhe trajtimi i të burgosurve në Burgun e Sigurisë së Lartë është i mirë.

“Jam i dënuar për vrasje, me 36 vite burg. Dënimi është shumë i madh. Nuk pajtohem. Tetë vite i kam kaluar. Edhe pse kam bërë ankesa me avokat, ato kanë rënë në vesh të shurdhët”, tha i dënuari, i cili qëndronte në karrigen e tij duke shtrënguar duart: “I kam rënë pishmanit për çfarë kam bërë. S’kam qenë vetvetja në atë moment”.

Objektet ishin të reja dhe të mirëmbajtura mirë nga të burgosurit. E, ajo që të linte përshtypje ishte edhe pastërtia e oborrit dhe mirëmbajtja e saj.

Naser Thaçi, udhëheqës për siguri në Burgun e Sigurisë së Lartë, punon këtu që nga 15 maji i vitit 2014. Ndërsa, në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka përvojë 13-vjeçare. Në një prononcim për Telegrafin ai tha se problemet janë të vogla dhe se sjellja e të burgosurve është e mirë.

Naser Thaçi

“Çdo gjë shkon me rregull këtu. Risocializimin e të burgosurve e bëjmë me anë të komunikimit dhe rutinës ditore, duke kërkuar nga ta që t’i zbatojnë rregullat”, tha ai.

Në brendi të pavijoneve ishte qendra e monitorimit e gjithë burgut, përmes kamerave. Thaçi tregoi se pavijonet monitorohen gjatë gjithë kohës, për shkak të sigurisë, si edhe brendia e tyre.

“Në njërin pavijon janë me dënime të gjata, tjetri është me beneficione dhe i treti paraburgimi. Që të gjitha janë të mbikëqyrura. Kemi dy objekte të punëtorisë. Secili pavijon e ka edhe shëtitoren e vet, ka salla rekreacioni, sallat e pingpongut, të fitnesit… Më tutje kemi objektin e pranimit, spitalin apo stacionarin, objektin e vetmisë dhe kuzhinën”, shpjegoi ai në pika të shkurtra strukturën e burgut.

Sa i përket kushteve të rutinës ditore, ai tregoi se secili pavijon i ka rregullat e veta, me regjime te ndryshme: duke filluar nga ai themelor, standard dhe i avancuar.

MË MIRË ME HËNGËR BUKËN ME KRIP E NË LIRI, SE KËTU ME TË GJITHA TË MIRAT

“Të dënuarit mëngjesin e hanë në orën 8:00, ndërsa drekën në orën 11:00. Stafi ushqehet në kuzhinë e të burgosurit ushqehen nëpër dhoma. Kemi të dënuar me beneficione, që shkojnë tek shtëpitë e tyre, që kositin barin dhe pastrojnë oborrin. Në spital, i cili është nën mbikëqyrje të Ministrisë së Shëndetësisë, kemi mjek të përgjithshëm, psikiatrin, psikologun dhe stomatologun. Objekti i paraburgimit i ka 21 të paraburgosur, e banjat janë kolektive dhe shëtitorja e përbashkët me tre orë rekreacion në ditë. Të dënuarit të cilët e kanë vendimin e dënimit, kanë të drejtë që të enjten dhe të dielën me nga 15 minuta t’i thërrasin familjarët e tyre”, tha ai.

Adnan Emini

Gjersa ecnim nëpër korridore, vërejtëm se në objektin e vetmisë tri dhoma ishin të kontrolluara me kamera e të tjerat jo.

“Për ruajtjen e jetës, në rast se i burgosuri tenton të bëjë diçka, e vëzhgojmë me kamera”, shpjegoi ai.

Mbikëqyrësi i vizitave, Adnan Emini, i cili punon që dy vite e tre muaj në Burgun e Sigurisë së Lartë, tha se me të dënuarit dhe paraburgosurit këtu bëhet një punë shumë e mirë.

“Këtu bëhet një punë si në sistemin evropian. Nuk kemi pasur asnjë problem me të burgosur. Edhe nëse ka pasur ka qenë ndonjë shkelje të rregullores, po jo problem serioz”, tha ai, duke shtuar se sistemi që është duke u zhvilluar në këtë institucion, të motivon të punosh.

Muhamet Fazliu

E, një tjetër zyrtar për punë sociale, Muhamet Fazliu, ka thënë se çdo problem mundohen ta minimizojnë.

“Problemi kryesor është i ambientit, pasi është më i mbyllur se në burgjet e tjera. Në fillim, kur vijnë, kalojnë në tri regjime. Me anë të aktiviteteve sportive, bibliotekës, shëtitjeve, mundohemi që t’i minimizojmë problemet. E vetmja gjë që na mungon është një shkollë tetëvjeçar apo e mesme. Një rast unik ka qenë turniri sportiv, ku të dënuarit me rrezikshmëri të lartë kanë luajtur dhe çdo gjë ka qenë në rregull, sepse e kanë respektuar dhe e respektojnë njëri-tjetrin”, tregoi Fazliu, i cili beson se me kalimin e viteve ata do të jenë të gatshëm të dalin në shoqëri.

Në këtë burg është një 30 vjeçar nga Koliqi i Gollakut. Edhe pse i dënuar, ai është i liruar nga izolimi në qeli. Tash punon në kuzhinë. Është i dënuar me tetë vite heqje lirie, e në burg i ka kaluar katër vite.

“Këtu është më mirë se në burgjet tjera. Kam qenë në Burgun e Lipjanit dhe në Dubravë. Këtu punoj si ndihmëskuzhinier. Edhe në Dubravë kam punuar një vit në kuzhinë, por këtu është ndryshe. Jam për këtu armëmbajtje pa leje dhe marihuanë. Kam familje jashtë”, foli ky i dënuar, i cili ka një mesazh për rininë: “Këtu është derë e madhe me hy po e vogël me dalë. Liria është e shtrenjtë. Më mirë me hëngër bukën me krip e në liri, se këtu me të gjitha të mirat”. /Elfije Boletini/Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi/

EKSKLUZIVE NGA BURGU I SIGURISË SË LARTË Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi – http://telegra.fi/Hfeiuo

Posted by Telegrafi.com on Sunday, December 6, 2015

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Lajme
Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Lajme
Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Siguri
Kalo në kategori