LAJMI I FUNDIT:

Kinezët ‘vodhën’ skenat e filmit “Top Gun”

Kinezët ‘vodhën’ skenat e filmit “Top Gun”

Ushtria kineze edhe një herë u turpërua pasi u paraqitën thashetheme se autoritetet ushtarake kanë përdorur skena të filmit “Top Gun” në vend të xhirimeve origjinale për aeroplanin më të ri luftarak, në mënyrë që ta dëshmojnë fuqinë shkatërruese të këtij aeroplani.

Në xhirim shihet aeroplani luftarak J-10 i cili shkatërron një aeroplan tjetër. Videoja është emituar në Televizionin Qendror Kinez të cilin e financon qeveria.

Blogerët në internet shpejtë vërejtën ngjashmërinë me një skenë nga filmi “Top Gun”. Xhirimi pastaj u hoq nga faqja e internetit e CCTV-së, por jo para se të kopjohej.

Gazeta Wall Street Journal pas kësaj videoje botoi edhe videon në të cilin krahasohen të dyja xhirimet me ngjashmëri të jashtëzakonshme. Eksplodimi është aq i ngjashëm se që format e rrethit të zjarrit janë identike, si dhe mbetjet e aeroplanit të goditur i cili shkatërrohet në të njëjtat drejtime.


Askush nga televizioni shtetëror nuk e pranoi mashtrimin, por nëse ka ndodhur vërtet një gjë e tillë, kinezët duket se kanë zgjedhur materialin e gabuar për ta vjedhur këtë skenë.

Filmi “Top Gun”, në të cilin rolin kryesor e luan aktori Tom Cruise, për herë të parë është shfaqur në vitin 1986 dhe më pas u bë hit i vërtetë.

Nëse ky xhirim është i rremë, kjo nuk është hera e parë që Kina me anë të mashtrimeve përpiqet ta përmirësojë imazhin e vet.

Disa prej xhirimeve spektakolare nga Lojërat Olimpike në Pekin të cilat tregojnë skenat e krijuara mbi qytet nga ngjyrat e fishekzjarrëve e që mahnitën botën, më vonë u vërtetua se ishin të manipuluara me kompjuter. /Telegrafi/