LAJMI I FUNDIT:

Gjen thesarin duke luajtur me detektorin e metalit

Gjen thesarin duke luajtur me detektorin e metalit

Katërvjeçari James Hyatt nga Essexi në Britaninë e Madhe është vërtet djalosh me fat. Kur për herë ia rrëmbeu gjyshit të tij detektorin e metaleve, gjeti një thesar me vlerë marramendëse deri në tre milionë euro.

Para një viti, James po shëtiste me babanë dhe gjyshin e tij. E luti gjyshin t’ia jepte detektorin e metaleve dhe vetëm disa minuta pasi e mori në dorë nga aparati u dëgjua alarmi.

“Filluam të gropojmë dhe gjetëm një varëse ari. James ishte aq shumë i emocionuar kur e kuptoi se ka gjetur një thesar të fshehur. Me këtë hobi merrem që 15 vjet, por kurrë nuk kam gjetur asgjë me ndihmën e detektorit. Nëse gjeja rastësisht ndonjë monedhë ua jepja fëmijëve”, rrëfeu babai i djaloshit, Jason Hyatt.

Varësen e arit familja e dërgoi te një ekspert dhe u konstatua se ai është një relikt i shekullit të 16-të, respektivisht nga periudha e mbretit Henri VIII. Supozohet se varësja e arit- në anën e përparme të së cilës gjendet i gravuar imazhi i Shën Marisë, ndërsa në anën e pasme pesë zemra që pikojnë gjak- i takonte ndonjërit prej anëtarëve të familjes mbretërore.


Deri më tash dihet se ekzistojnë vetëm tri relikte të ngjashme me atë që zbuloi britaniku i vogël. Pasi t’i caktohet çmimi varësja do të nxirret në shitje. /Telegrafi/