LAJMI I FUNDIT:

Çifti dhuroi 11.2 milionë dollarë të fituara në loto

Çifti dhuroi 11.2 milionë dollarë të fituara në loto

Çifti kanadez Allen dhe Violet Large ua dhuruan 11.2 milionë dollarët e fituar në lotari miqve, organizatave humanitare dhe spitaleve.

Çifti që ka hyrë në dekadën e tetë të jetës deklaroi se fati i tyre u ka hapur vetëm telashe dhe më në fund kanë vendosur që të mos i shpenzojnë vetë ato para.

“Ajo që nuk e kemi pasur s’ka se si të na mungojë”, tha Violet, 78 vjeçe, për gazetën Toronto Star. Ajo dhe bashkëshorti Allen (75 vjeç) vendosën që më mirë t’i dhurojnë sesa t’i kursejnë paratë të cilat i fituan pa djersë.

Ata dy janë të martuar që 36 vjet, ndërsa jetojnë me pension prej vitit 1983 kur nga Ontario u shpërngulën në Truro. Allen me vite ka punuar si saldues, ndërsa Violet ka punuar nëpër konfeksione dhe firma të ndryshme të modës.


“Kemi jetuar rehat. S’kemi qenë milionerë, por kemi pasur një jetë të mirë”, tha Allen për situatën para se ta fitonte lotarinë. Në kohën kur fitoi lotarinë Violeta po shërohej nga kanceri dhe menjëherë i shkoi mendja se dikush mund ta shfrytëzojë atë në situatën e re.

“Paratë që i kemi fituar nuk kanë ndonjë kuptim për ne. E kemi pasur njëri tjetrin”, tha Violet, e cila javën e kaluar ishte në trajtimin e fundit të hemoterapisë.

Spitalet në Trur dhe Halifax përfituan një shumë të parave të dhuruara. Pasi u kujdesën për anëtarët e familjes, çifti paratë tjera ua shpërndau organizatave të ndryshme, ndërmjet tjerëve edhe zjarrfikësve dhe Kryqit të Kuq. /Telegrafi/