LAJMI I FUNDIT:

Policia arrestoi “Rambon” boshnjak

Policia arrestoi “Rambon” boshnjak

Policia në qytetin Bihac të Bosnjës arrestoi të mërkurën Nedzad Klicicin nga Cazini, dhjetë ditë pasi që postoi videon në YouTube në të cilën i armatosur deri në dhëmbë demonstroi shkathtësitë e tij luftarake, shkruan të enjten gazeta boshnjake “Dnevni Avaz”.

Inspektori i policisë në Bihac, Mehmed Libic tha se Nedzad Klicici është ftuar për bisedë informative ndërsa kundër tij kanë filluar hetimet.

“Gjatë xhirimit të klipit janë shfrytëzuar lloje të ndryshme të armëve”, tha Libic, duke shtuar se kjo ka detyruar policinë të nisë hetimet.

Përveç armëve të ndryshme automatike të cilat janë të ndaluara në Bosnje dhe Hercegovinë, Klicic tregoi se posedon edhe raketahedhës të tipit “zola”, granata dore si dhe së bashku me armët e tij të rrezikshme ai ka prezantuar edhe një gjarpër të madh për të cilin është vërtetuar se është i llojit piton. Gjatë hetimeve policia ka zbuluar edhe pjesët e granatave dhe raketahedhësit në vendet ku është xhiruar klipi.


Deri më tash nuk dihet se a ia ka vlejtur investimi prej 1.000 marka konvertibile, (rreth 500 euro) për ta xhiruar këtë klip. Ky investim përveç ftesës për tu paraqitur në polici, atij ia ka siguruar në YouTube edhe pseudonimin “Rambo boshnjak”. /Telegrafi/