LAJMI I FUNDIT:

Qytete në formë kafshësh në Sudan

Qytete në formë kafshësh në Sudan

Autoritetet e Sudanit Jugor kanë prezantuar planin me vlerë prej 10 miliardë dollarë për ndërtimin e qyteteve të reja në formë të kafshëve dhe pemëve, njoftoi BBC.

Kryeqyteti i rajonit Juba, sipas planit të ri do të ketë formë të rinoqerontit, ndërsa Wau, kryeqyteti i shtetit perëndimor Bahr el-Ghazal, do t’i përngjaj gjirafës.

Vitin e ardhshëm banorët e Sudanit Jugor do të dalin në referendum për pavarësinë e tyre. Presidenti rajonal, sipas këtij plani do ta ndërtonte selinë në qendër të syrit të rinoqerontit në Juba. Ndërsa në Wau sipas planit do të ndërtohen kanalizimet në vendin që i takon – nën bishtin e gjirafës.


Qyteti Yambio do të ndërtohet në formë të ananasit, ndërsa arsye për rregullimin e tillë hapësinor është se ky simbol do të paraqitet edhe në flamurin e shtetit të Sudanit Jugor.
Ende nuk dihet se si autoritetet do t’i sigurojnë paratë. Thonë se ata janë në bisedime me investitorët, megjithatë, edhe pse në jug të Sudanit ka mjaft naftë, banorët edhe më tutje jetojnë në varfëri ekstreme.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara mbi 90 për qind e banorëve punojnë për më pak se një dollarë në ditë. Megjithatë planet për ndërtimin e qyteteve dëshmojnë për optimizmin e autoriteteve të Sudanit Jugor nëse shpall pavarësinë, ndërsa nëse do të kalojnë nga tabela e vizatimit në vepra është një gjë krejtësisht tjetër. /Telegrafi/