LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia në Librin e Guinnesit me fasule

Maqedonia në Librin e Guinnesit me fasule

Në fshatin Sariqevo të Maqedonisë në një kazan janë zier 3.150 kilogramë fasule me mish derri të tymosur, duke ia siguruar Maqedonisë një vend në Librin e Rekordeve Guinness.

Fasulja është përgatitur për më shumë se gjashtë orë. Kuzhinieri nga Maqedonia Ljupqo Gijevski, i cili është kuzhinier në hotelin e Shkupit “Aleksandar Palace” deklaroi se fasulja është zier sipas recetës së vjetër, sipas të cilës, siç thotë kuzhinieri “ka ngrënë edhe vetë Aleksandri i Madh”.

Fasulen në Evropë e solli Kristofor Kolombo nga Amerika në shekullin XV, por dihet se Aleksandri i Madh ka jetuar në shekullin e katërt para erës sonë.

“Gravqe” siç e quajnë në Maqedoni, peshonte rreth tri tonë, ndërsa atë e kanë provuar 10.000 qytetarë. Rekordin e deritashëm e mbanin studentët amerikanë të cilët në vitin 2002 zien 1.300 kilogramë fasule.


Për rekord u nevojitën 400 kilogramë kokrra fasule, 200 kilogramë mish të terur derri, 2.600 litra ujë, 40 kilogramë qepë, 70 litra vaj, tetë kilogramë spec të kuq, nëntë kilogramë kripë dhe tre kilogramë biber. /Telegrafi/