LAJMI I FUNDIT:

Vdiq evropiania më e vjetër e cila çdo ditë hante vezë

Vdiq evropiania më e vjetër e cila çdo ditë hante vezë

Evropiania më e vjetër, e cila thoshte se për jetëgjatësinë e saj meritore është dreka e përditshme me vezë të fërguara, ndërroi jetë pak pasi e festoi ditëlindjen e 114-të.

Florrie Baldwin vdiq në gjumë, në shtëpinë e pleqve të Britanisë së Madhe, ku jetoi vitet e fundit. Përndryshe ajo më 2007 është shpallur gruaja më e vjetër në Britaninë e Madhe, ndërsa vitin e kaluar edhe si më e vjetra në Evropë.

“Jemi të pikëlluar, por e dimë se ka pasur një jetë të gjatë dhe të lumtur. Ajo ka jetuar dy jetë. Ka qenë një zonjë e shkëlqyeshme,” tha David Worsnop, nipi i Florrie Baldwin.

Zonja Baldwin festoi ditëlindjen e 114-të më 31 mars. Përndryshe, ajo është lindur më 1896 gjatë kohës së sundimit të mbretëreshës Victoria, dhe gjithmonë thoshte se vezët janë ushqimi kryesor që ia kanë zgjatur jetën.


Me bashkëshortin, i cili ishte piktor, ka kaluar një martesë të shkëlqyeshme, por ai vdiq më 1973 dhe prej asaj kohe Florrie Baldwin jetoi e vetme. /Telegrafi/