LAJMI I FUNDIT:

Zbulohet barka e Noas?

Zbulohet barka e Noas?

Grupi i arkeologëve kinezë dhe turq njoftuan të hënën se me siguri kanë gjetur barkën e Noas në majën katërmijë metra të lartë të malit Ararat në Turqi, njofton agjencia e lajmeve AFP.

Shkencëtarët thanë se janë gjetur mbetjet e drurit dhe pas testimit me karbon është vërtetuar se mbetjet e arkës janë të vjetra rreth 4.800 vjet që përputhet me kohën e Përmbytjes së Madhe në Tokë.

“Nuk mund të themi se kjo është 100 për qind Barka e Noas, por 99.99 jemi të sigurt”, tha Yeung Wing-Cheung, regjisor nga Hong Kongu dhe anëtar i ekipit hulumtues.

“Struktura antike kishte disa ndarje me shtylla druri në të cilat me siguri gjendeshin kafshët”, tha Wing-Cheung.


Zyrtarët lokalë do të kërkojnë nga qeveria në Ankara që mali Ararat të futet në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, për arsye se mu ai rajon është njëri prej vendeve më interesante për gërmime arkeologjike.

Sipas Biblës në kohën e Përmbytjes së Madhe Zoti urdhëroi Noan të ndërtojë një barkë në të cilën do të fuste nga dy kafshë të secilit lloj. Thuhet se pas vërshimit uji u tërhoq, ndërsa barka u fundos. Shumica besojnë se ajo u ndal mu në malin Ararat për arsye se ajo është pika më e lartë në atë rajon.