LAJMI I FUNDIT:

Tinejxheri dhe pensionistja nisen në pushtim të Everestit

Tinejxheri dhe pensionistja nisen në pushtim të Everestit

Tinejxheri 13 vjeçar nga Kalifornia dhe një pensioniste 70 vjeçare nga Japonia gjatë kësaj pranvere do të përpiqen të pushtojnë majën më të lartë në botë, Mount Everest, njoftojnë agjencitë e lajmeve.

I riu Jordan Romero, i cili së bashku me prindërit e vet, alpinistë me përvojë, tashmë është ngjitur në pesë majat më të larta të secilit kontinent, të hënën arriti në bazën e Nylam Tibet, në lartësinë prej 4.000 metrave, shkruan DPA.

Në përpjekje për tu ngjitur në kulmin e botës do ta përcjellin prindërit dhe tri sherpa. Ekspedita shpreson se deri në lartësinë 8.848 metra të arrijnë nga mesi i majit. Kjo përpjekje ka nxitur shumë reagime në Amerikë rreth rolit të prindërve të tij të cilët e lejojnë djaloshin ti ekspozohet rreziqeve të shumta gjatë ngjitjes në Everest.

Gati në të njëjtën kohë në një ekspeditë tjetër japoneze do të jetë edhe 70 vjeçarja Eiko Funashi, e cila do të përpiqet të bëhet gruaja më e vjetër në botë e cila është ngjitur në majën e botës. Kjo do të jetë përpjekja e dytë për të, pas përpjekjes së dështuar katër vjet më parë.


Alpinistja më e vjetër në botë që ka pushtuar majen e Everestit është bashkëvendësja e saj, 63 vjeçarja Tame Watanabe. /Telegrafi/