LAJMI I FUNDIT:

15 thyerje të rregullave brenda 11 minutash

15 thyerje të rregullave brenda 11 minutash

Një italian në Zvicër ka vendosur rekord të ri sa i takon numrit të thyerjeve të rregullave të komunikacionit, të cilat i ka bërë brenda një periudhe të pabesueshme.

Vikendin e kaluar italiani brenda 11 minutash ka bërë madje 15 thyerje rregullash. 47-vjeçari së pari kishte vozitur me shpejtësi 160 km/h duke kaluar para policisë në rrugën ku shpejtësia ishte e kufizuar deri në 90 km/h.

Më pastaj ai ka thyer edhe tre rregulla duke iu afruar së tepërmi veturave të tjera dhe trotuarit dhe duke tejkaluar në vijë të plotë.

Gabimi i pestë, i gjashtë dhe i shtatë kanë qenë për shkak të mosndalimit në shenjën e policisë, bllokim të rrugës dhe mosndalim në dritën e kuqe të semaforit.


Kur ka arritur në autostradën për në St. Gallen ai sërish ka vozitur me shpejtësi të palejuar në rrugë ku janë zhvilluar punime, ka kërcënuar jetën e pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe ka thyer edhe rregulla të tjera.

Kur së fundi ka ndaluar në një pjesë ku rruga ishte e bllokuar, policia e ka dënuar edhe për shkak të vozitjes nën ndikimin e substancave si dhe për shkak të bisedës në telefon gjatë vozitjes.

“Ky person do ta marrë sërish lejen e vozitjes herën e ardhshme kur do të paraqitet kometa e Halleyt”, ka bërë shaka zëdhënësi i policisë në St. Gallen./Telegrafi/