LAJMI I FUNDIT:

Tinejxherja lajmëron veten në polici për vozitje të dehur

Tinejxherja lajmëron veten në polici për vozitje të dehur

Policia shpesh pranon thirrje për vozitës të dehur në rrugë, por që dikush prej atyre vozitësve të lajmërojë vetveten është rast shumë i rrallë, shkruan AP.

Një amerikane 17-vjeçare ka thirrur shërbimin 911 në natën e Vitit të Ri për ta lajmëruar veten se po voziste automjetin nën ndikimin e alkoolit.

“Ky është rasti i parë qëkur punoj në polici që dikush ka thirrur dhe ka lajmëruar vetveten për shkelje të rregullave të trafikut”, ka thënë për agjencinë e lajmeve AP togeri i policisë Randy Ziegler.

Pasi që vajza ka thirrur dhe ka sqaruar se ku gjendet saktësisht, dhe se nuk mund të vozis, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë testin e alkoolit i cili ka dëshmuar se tinejxherja po fliste të vërtetën.


Vajza është arrestuar dhe sjellë në stacionin policor disa minuta para mesnatës, e aty është mbajtur sepse kishte humbur kontrollin mbi automjet dhe e kishte lënë pranë rrugës.

“E arrestuara na ka pranuar se për orë të tëra ka vozitur e dehur, se është depresive dhe se dy javët e fundit të jetës së saj kanë qenë një ferr i vërtetë. Ka fjetur në stacionin tonë policor, derisa të nesërmen në mëngjes prindërit e saj kanë ardhur për të”, ka shtuar Ziegler.