LAJMI I FUNDIT:

65-vjetori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës

65-vjetori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës

Në ditëlindjen e 65 të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës u tha se ky institucion ka dhënë kontribut të veçantë në proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi.

“Biblioteka Kombëtare e Universitare e Kosovës është institucion bibliotekar qendror i Kosovës dhe është qendër e informacionit bibliotekar në nivel kombëtar. Me rrënimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në vitin 1989, veprimtaria bibliotekare, sikundër edhe sferat tjera në kulture, arsim e shkencë, u diskriminua nga pushteti serb”, ka thënë Sali Bashota, drejtor i BKUK-së.

Ministri i arsimit, Enver Hoxhaj tha se do të vazhdojë mbështetja për këtë institucion të rëndësishëm i cili u ofron qasje të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Është një institucion, i cili si i tillë është monument i shtetësisë së Kosovës, i cili flet për trysninë që është shtruar ndaj këtij institucioni, për diferencimin për dëbimin nga vendet e punës së punëtoreve shqiptare, për dëmtimin fizik të librave dhe materialeve të tjera dhe të trashëgimisë kulturore të Kosovës së atëhershme”, ka thënë ministri Hoxhaj.


Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Christopher Dell, tha se biblioteka është një institucion i rëndësishëm që pasqyron të kaluarën duke hapur perspektivën për të ardhmen. Dell, ka thënë se ruajtja e historisë dhe kulturës së një shteti janë iniciativa të vlefshme.

"Pa këto institucione si biblioteka, muze, arkiva, një shtet nuk mund ta ruajë dhe shpjegojë të kaluarën e vetë dhe pa të kaluarën dhe njohuritë për të ne nuk mund të dimë për të tashmen dhe të ardhmen. Këto institucione duhet të bëjnë më shumë se sa vetëm të theksojnë vlerat kulturore të shumicës së popullatës së një shteti pa dallim etnie. Suksesi juaj si shoqëri demokratike kërkon që të respektohet dhe të çmohet kontributi i secilit komunitet që jeton në shtetin e Kosovës", ka thënë Dell.

Në këtë 65 vjetor të Bibliotekës u tha se sistemi universitar i Kosovës ka nevojë për hapjen e një dege të bibliotekarisë. BKUK ka shtrirë veprimtarinë e vetë edhe në disa qendra komunale. Ajo është anëtare edhe e Konferencës së Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të botës. /rtv21/telegrafi/