LAJMI I FUNDIT:

2.200 milionë për kualifikim, 0.352 milionë për medalje të artë!

2.200 milionë për kualifikim, 0.352 milionë për medalje të artë!

Pse deklarata e kryetarit të PDK-së për futbollin është problematike dhe më shumë i përngjan një vendimi të një diktatori arab se sa një vendimi për të rritur nivelin e sportit në Kosovë? Kosova nuk duhet të bëjë këso veprime, por duhet të investojë në një të ardhme të sportit, pa i diskriminuar federatat për shkak të anëtarëve të kryesisë

Premtimi i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që të shpërblejë futbollistët kosovarë nëse ata kualifikohen për botëror me nga 100 mijë euro, është ide shumë e keqe e edhe më shumë problematike të implementohet pasi nuk do të arrijë asnjë rezultat përveç bravados së Kadri Veselit “qy qa po boj une”.


Problemi i parë është se Kosova e ka një rregullore për shpërblime për arritje sportive dhe në të momentalisht nuk ka shpërblime për kualifikime. Që kryetari i PDK-së të mbaje premtimin duhet të ndryshojë këtë rregullore, e cila është përgjegjësi e Ministrisë së Sportit, dikaster që nuk është në kuadër të PDK-së. Lartësia e shpërblimit të propozuar është më e lartë se shpërblimi për fitore të Kampionatit, gjë të cilën do e diskutoj më poshtë. Argumenti i ndryshimit të rregullores është valid nëse Veseli do ta implementonte këtë premtim ligjërisht e jo duke e thirre Ademin, “kryma këtë punë”. Në këtë tekst versionin e dyte nuk do e diskutoj.

Problemi i dytë i këtij premtimi është se shuma nuk do të paraqes një motivim shumë të madh financiar, pasi për këta lojtarë 100 mijë euro nuk është ndonjë shumë jetësore, që është vështirë të arrihet. Duhet pasur parasysh se për çfarë ekipe ata luajnë. Të gjithë janë në liga të para të disa shteteve më të vogla dhe në liga të dyta të shteteve më të mëdha dhe më të pasura si Gjermania.

Për shembull, Milot Rashica luan në Vitesse të Holandës. Kjo nuk është ndonjë ligë që do të konkurronte me Ligën Premier në Mbretërinë e Bashkuar, mirëpo rroga vjetore mesatare në këtë ligë është 250 mijë euro. Pra bonusi prej 100 mijë eurove nuk është ndonjë motivim i madh, sidomos krahasuar me motivimin ekzistues të profesinalizimit të këtyre djelmoshave dhe dashurisë s tyre për atdheun.

Problemi i dytë me këtë shpërblim është disbalansi që ky vendim, deklaratë ad-hok shkakton me ligjet dhe rregulloret e Kosovës në fuqi. Momentalisht shpërblimi për kampion bote, për sporte ekipore është 16 mijë euro. Pra nëse Kosova bëhet kampion i botës në futboll apo basketboll lojtarët do të marrin nga 16 mijë euro (0.016 milionë), ndërsa për kualifikim në turnirin final në futboll marrin 100 mijë. Pse futbolli po e basketbolli jo!? Apo ndoshta kjo varet se kush është në kryesi të federatës, këtu lind pyetja a po futet sistemi pronto edhe në sport!?

Sigurisht se për të shpërblyer futbollistët duhet ndare 2.2 milionë euro nga Buxheti i Kosovës. Më së shumti është e mundur që këto para do të hiqen nga buxheti i sportit, me këtë menjëherë federatat dhe klubet e Kosovës do ta ndjejnë dëmtimin. Gjithashtu një 2.2 milionë euro do të ishte mirë të futet në infrastrukturë në mënyrë që kosovarët së paku të kenë mundësi që lojët t’i shohin në vendin e vet e jo diku tjetër siç është tash.

Nëse ky 2.2 milionë nuk hiqet nga buxheti i sportit atëherë do të hiqen nga buxhetet tjera si ai i shëndetësisë apo i arsimit apo i ndihmave sociale dhe kështu paratë do të merren nga më të varfrit për më të pasurit. Nuk pres që kryetari i PDK-së të marrë vendim që të ndalë udhëtimet e zyrtarëve të panevojshëm të sportit, apo të vendosë që tash e tutje udhëtimet zyrtare do të bëhen në klasë ekonomike e jo biznesit për të financuar këtë 2.2 milionë.

Çka me bë me këtë rezultat? Unë kujtoj se rezultati i futbollistëve të Kosovës duhet të reflektojë në diçka tjetër. Duhet të reflektojë në ndërtim të kapaciteteve kosovare të sportit. Figurat e lojtarëve, të cilët nëse ndërtohet një stadium, do të vizitojnë Kosovën më shpesh, duhet të shfrytëzohen për motivim të të rinjve për tu marrë me sport. Kjo përfaqësuese mund të marrë flamurin e të mirës të vizitojë shkolla futbolli, të gjejë lidhje që klubet kosovare të kenë më shumë qasje në shkollat evropiane dhe të bëjmë sportin mundësi karriere për qytetarët e Kosovës.

Në Kosovë mund të bëjmë një WALL of Fame (Një mur të famës) që emrat e këtij ekipi të mbesin në kujtimin e gjeneratave të ardhme si heronjtë sportivë të Kosovës – kjo do të ishte një dhuratë që paraja nuk mund ta blejë.

Kadri Veselin në këtë tekst e identifikoj si kryetar partie pasi si kryeparlamentar nuk i takon të merret me këtë punë. Atij si kryeparlamentar i takon më shumë të shohë se çka është duke ndodhur me ligin për sponsorizim, cilat janë modelet ligjore evropiane të përkrahjes së sportistëve, pa i diskriminuar se me cilin sport merren. Të merr shembull në Perëndim e jo në vendet arabe që premtojnë këso shuma ad hok veç pse munden.

(autori është gazetar kosovaro-zviceran)