LAJMI I FUNDIT:

15 kilogramë “bari” në adresë të gabuar

15 kilogramë “bari” në adresë të gabuar

Kompania UPS gjithmonë di të dërgojë dërgesën e porositur, mirëpo jo gjithmonë në adresën e saktë. Një mashkull nga Dentoni në shtetin federal amerikan të Teksasit, e ka kuptuar këtë kur në paketën, të cilën ia kishte lënë para dere postieri i UPS, ka gjetur një sasi të madhe të marihuanës. I habitur me dërgesën të cilën nuk e kishte porositur, mashkulli e ka dërguar paketën në polici.

Personi i ka sqaruar zyrtarit policor se çfarë ka ndodhur dhe i ka dorëzuar afro 15 kilogramë marihuanë, me vlerë prej afro 8.000 euro, ka njoftuar zëdhënësi i policisë lokale, Ryan Grelle.

“UPS ka dorëzuar gabimisht dërgesën në adresë të gabuar. Pronari i shtëpisë nuk ka qenë në momentin e dërgesës në shtëpi, prandaj postieri ia ka lanë atë në prag” , ka theksuar Grelle.

“Mashkulli po priste vegla të cilat i kishte porositur nëpërmes internetit prandaj për të ka qenë befasi e madhe kur e ka hapur paketën dhe e ka parë drogën brenda saj”, ka shtuar Grelle.


Dërgesa supozohet se ka ardhur nga qyteti Pahrr gjithashtu në shtetin e Teksasit dhe nuk ka qenë e adresuar për tek mashkulli në Denton, por në një adresë në Dallas. Mirëpo, pasi që adresa e shkruar nuk ekziston në Dallas, kompania e dërgesave e ka drejtuar atë për në Denton. Rasti është nën hulumtim e sipër.