LAJMI I FUNDIT:

Ndikimi i propagandës së kinematografisë së vjetër kundruall mediumeve të internetit

Ndikimi i propagandës së kinematografisë së vjetër kundruall mediumeve të internetit

Azem Osmani

Në asnjë mënyrë nuk duhet të ndalohen filmat shqiptar të realizimit socialist!


Të gjithë ne që kemi jetuar dekadave të mëhershme, jemi dëshmitarë të asaj se shumë shtete si mjet të rëndësishëm për bërjen e propagandës e përdornin mediumin e kinematografisë.

Kanë qenë kohëra kur mundësitë e komunikimit dhe informimit ishin të kufizuara për shkak të mungesës së teknologjisë bashkëkohore. Përpos mediumit të shtypit, radios dhe televizionit, kinematografia është cilësuar një makineri e fuqishme e pushteteve nëpërmes së cilës opinioni është mbajtur në kornizën e frekuencave të agjendave të tyre.

Përmbajtja e filmave artistik, por edhe e dokumentareve ka qenë një sajesë mrekullisht e stolisur nga aparati i pushtetit, e cila ishte larg realitetit. Kjo përmbajtje prodhonte mesazhe të cilat ndikonin në ndërtimin e bindjeve sipas nevojave të pushtetit.

I kam ende në kujtesë filmat amerikanë, të cilët prodhonin për opinionin patriotizëm, trimëri dhe krenari nëpërmes ushtarakëve dhe ushtarëve nëpër beteja të ndryshme të luftërave, e sidomos filmat me tematikën e luftës në Vietnam. Çdo herë, kur SHBA-të kishin në plan të luftonin për kauza në ndonjë shtet të botës, Qeveria amerikane e përdorte kinematografinë për ta parapërgatitur opinionin që ta përkrahte veprimin e tyre për të marrë pjesë në ato luftëra.

Edhe pushteti komunist i Shqipërisë në krye me Enver Hoxhën, gjatë gjithë periudhës së
sundimit ka përdorur kinematografinë për nevojat e veta. Nëpërmes filmave artistik kanë synuar ta joshin popullin gjoja për të mirat që i sillte ai sistem dhe ajo qeverisje. Mirëpo, në përmbajtjen e atyre filmave të periudhës së realizmit socialist kishte edhe gjëra pozitive. Këtë gjë e them me bindje të plotë, sepse i kam shikuar, pothuajse të gjithë filmat shqiptar të kinostudios “Shqipëria e re”. Fillimisht i kam shikuar për kënaqësinë time dhe pasionin që kisha për ta, pasi nëpërmes tyre e ndjeja Shqipërinë afër meje, kurse pas fillimit dhe përfundimit të studimeve të masterit në fushën e Komunikimit dhe mediave, fillova t’i rishikoj për nevoja hulumtimi.

Është e vërtetë se tek këta filma dominojnë ngjyrimet ideologjike të atij sistemi, e shumë më pak ato të identitetit kombëtar, përpos filmave që ekskluzivisht kanë pasur për tematikë të kaluarën tonë të lavdishme për liri e pavarësi prej periudhës së Skënderbeut e deri te shpallja e pavarësisë në Vlorë. Kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes, kurse në anën tjetër tek këta filma mund të gjesh mesazhe mjaft pozitive për moralin, mirëqenien sociale, edukative-arsimore, kulturore dhe shëndetësore. Edhe nëse ngjarja e filmave ka qenë larg realitetit, mesazhet e tyre kanë ndikuar në edukimin e popullit.

Në shumicën e filmave që për tematikë kanë pasur përditshmërinë e asaj kohe, gjeja nuanca të mëdha të propagandës për të krijuar një bindje se standardi jetësor dhe mirëqenia e qytetarëve gjatë asaj periudhe ka qenë shumë e mirë. Mendimtari radikal i komunikimit masiv dhe sociologu kanadez Marshall McLuhan kishte prekur në hulumtimet e tij edhe këtë problematikë, duke thënë mes tjerash se sa më lart të ngjitet një majmun aq më shumë i duken prapanicat. Fundja, vet mediumi i kinematografisë është krijuar për të shfaqur botën imagjinare të marr nga realiteti i jetës. McLuhan, kinemanë e krahason me një bobinë induktive e cila botën reale e shpalos si një tapet magjik të imagjinatës.

Po ashtu, edhe shkrimtari e regjisori i famshëm frances René Clair, nga përvoja e tij e madhe në kinematografi dhe televizion, ka thënë se ekrani hap portën e tij të bardhë për një harem gjërash të bukura dhe ëndrrash prej adoleshentësh në krahasim me të cilat edhe trupi real më tërheqës duket si defektoz.

Nga e gjithë kjo, nxjerr një përfundim logjik që lidhet me rastin e daljes të disa zërave në opinion për ndalimin e filmave shqiptar të realizmit socialist:

1. Propaganda ideologjike e tyre ka pasur ndikim të fortë në opinion, pikërisht për atë periudhë brenda një sistemi monist dhe diktatorial që ka mbajtur opinionin e izoluar nga informacionet e botës tjetër.

2. Shtrembërimi i realitetit të mirëqenies së qytetarëve që pasqyrohej nëpër filma gjatë asaj periudhe, ka qenë një propagandë që ka vlejtur vetëm për atë periudhë, sepse sot jetojmë në një kohë dhe rrethana krejt tjera.

3. Është komplet e palogjikshme të ndalohen filmat për shkak të ngjyrimeve ideologjike të asaj periudhe, në një kohë të demokracisë, ku duhet të sundoj mendimi, fjala dhe tregu i lirë kulturor.

4. Në kushtet e sotme demokratike, jo vetëm filmat, por edhe idetë komuniste mund të shfaqen hapur, për kaq sa nuk e rrezikojnë cenimin e sistemit plural dhe demokratik.

5. Nuk mund as të mendohet të ndalohen filmat të cilët prodhojnë mesazhe mjaft pozitive për moralin, mirëqenien sociale, edukative-arsimore, kulturore dhe shëndetësore, përderisa rrotull neve kanë vërshuar telenovela latino-marikane dhe turke me cilësi “kineze” dhe me çmime “Gjithçka një euro”, të cilat publikut shqiptar i sjellin mesazhe ku dominon kurvëria, tradhtia bashkëshortore, pabesia, thurja e thashethemeve, dinakëria, spiunimi dhe smira.

6. Është e papranueshme dhe qesharake të ndalosh një produkt të propagandës së kinematografisë, në një kohë kur ka shpërthyer izolimi dhe terri informativ, kur mediumet e reja të internetit kanë arritur kulmin e dominimit, nëpërmes të cilave po komunikojmë me tërë globin.

7. Të ndalosh një produkt kulturor me ngjyrime ideologjike të një periudhe të shkuar që nuk kthehet më, e të mos merresh me përmirësimin e imazhit të diskursit dhe gjuhës publike amorale që përdoret sot, sidomos nga klasa jonë politike, të kanalizuara nga mediumet aktuale, është një gjë që duhet të na shqetësoj të gjithëve.

8. Të flitet për ndalesa të produkteve të informacionit, në një kohë të mundësive të pakufizuara teknologjike, jo vetëm të internetit, por edhe të mediumeve arkivuese, duket sikur ata që kanë lansuar këtë ide, jetojnë ende me ritmin dhe ndjesinë e pashkëputur të së kaluarës me mentalitet tribal dhe me njohuri të kufizuara e të konservuara vetëm të asaj kohe.

Në trend

Më shumë
Kurti fton në takim liderët e tri partive opozitare, tregon për çka do të bisedojnë

Kurti fton në takim liderët e tri partive opozitare, tregon për çka do të bisedojnë

Lajme
Bayern Munich e ka gjetur trajnerin e ri, Flick rikthehet dhe për ndihmës do ta ketë legjendën gjermane

Bayern Munich e ka gjetur trajnerin e ri, Flick rikthehet dhe për ndihmës do ta ketë legjendën gjermane

Bundesliga
Pagat minimale në Evropë - si ndryshojnë në të gjithë kontinentin?

Pagat minimale në Evropë - si ndryshojnë në të gjithë kontinentin?

Botë
Largimi i Kylian Mbappe liron 225 milionë euro për PSG-në, një 'pjesë e konsiderueshme' do të investohet te ylli i Serie A

Largimi i Kylian Mbappe liron 225 milionë euro për PSG-në, një 'pjesë e konsiderueshme' do të investohet te ylli i Serie A

Ligue 1
Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Evropa
Skandal në Eurovision: Televizioni publik RAI zbulon votat e Italisë - afro 40 për qind prej tyre shkuan vetëm për Izraelin?

Skandal në Eurovision: Televizioni publik RAI zbulon votat e Italisë - afro 40 për qind prej tyre shkuan vetëm për Izraelin?

Magazina
Kalo në kategori