LAJMI I FUNDIT:

Zuzaku kritikon Federatën e Volejbollit

Zuzaku kritikon Federatën e Volejbollit

Kritikave të shumta ndaj drejtuesve të volejbollit kosovar u është bashkuar edhe ish-presidenti i Klubit të Volejbollit Drita, Agim Zuzaku, i cili në zgjedhjet e fundit të FVK-së ishte kandidat për kryetar ku mori 10 vota, përkundër kryetarit aktual Xhavit Mustafa që mori 12. Gjithashtu, ka qenë pjesëmarrës në shumë ndeshje, kampionate dhe turne ndërkombëtare të volejbollit të organizuara nga CEV.

“FVK-ja duket se ka rënë në gjumë të thellë, duke u vetëkënaqur me “sukseset” e tyre. Deri më tani ende as edhe një letër e vetme nuk i është drejtuar strukturave ndërkombëtare (CEV apo FIVB) për pranim apo lejim të së paku grupmoshave të reja të volejbollistëve, të cilët djersitin fanellat e tyre pa ndonjë motivim”, thekson Zuzaku.

Sipas tij, Federata e Volejbollit të Kosovës ende thirret në suksesin e klubeve dhe si mbulesë ka që serbët po i pengojnë në ndërkombëtarizim, duke iu referuar rastit kur nënkryetari i CEV-t, Aleksandar Boriçiq, kishte intervenuar me shpejtësi që Drita e Gjilanit të mos marrë pjesë në një turne në Francë.

“Është e vërtetë që përfaqësuesit e Serbisë ndikojnë që ta pengojnë Kosovën në ndërkombëtarizimin e sporteve, kjo ka ndodhur edhe me hendbollin edhe me basketbollin, por edhe me futbollin.


Mirëpo, këto tri sportet tani së paku zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare edhe pse në forma të kufizuara”, shprehet Zuzaku, duke kritikuar menaxhimin në FVK, veçmas të kryetarit të saj.

“Kryetari i FVK-së, disa herë para mediave është prononcuar që ndërkombëtarizimi i volejbollit është problem politik dhe madhor që duhet të zgjidhet nga politika.

Mirëpo, ka harruar si duket që kryetari i FVK-së menaxhon me politikat e volejbollit së bashku me bordin. Këtë e dëshmuan më së miri federatat, të cilat fituan të drejtat e tyre edhe pse të kufizuara, falë angazhimit të kryetarëve të cilët janë në krye të këtyre federatave. Mirëpo, si duket FVK pret që lejimin e ndeshjeve ndërkombëtare t’ua sjell lejleku!”, thotë Agim Zuzaku.

Ai mendon se volejbolli kosovar nuk është shumë larg atij të rajonit dhe se “me pak punë dhe një organizim të mirë mund të arrihen suksese të kënaqshme. Këtë e ka dëshmuar edhe përfaqësuesja e Kosovës në të dy kategoritë në “EOTVOSCUP” në Debrecen të Hungarisë në turneun e të rinjve në vitin 2012.

Ky turne mbahet çdo vit dhe Kosova ka pasur ftesë të shkojë, mirëpo është ndërprerë për shkak të mosorganizimit të FVK-së. Vlen të përmendet që FVK-ja për shkak të neglizhencës së vet nuk ka arritur ta mbajë as edhe një turne të vetëm që ishte në Shqipëri, Kupa e FSHV-së, ku kanë marrë pjesë dy ekipe nga Kosova dhe dy nga Shqipëria në të dy konkurrencat”.

Ish-kandidati për kryetar në FVK, mendon se “Federata e Volejbollit të Kosovës duhet të vejë kontakte të rregullta me Federatën Shqiptare të Volejbollit, në mënyrë që përmes tyre së paku të informohet për të rejat në arenën ndërkombëtare dhe më pas për t’u këshilluar për hapat e mëtutjeshëm.

FVK duhet që të marrë pjesë në ngjarjet e mëdha evropiane sidomos të cilat zhvillohen në vendet afër Kosovës apo ku nuk ka kosto të lartë për të shkuar si Turqi, Italia, Gjermania pse jo edhe në Serbi kur ka ndeshje të karakterit ndërkombëtar.

“Është e vërtetë që përfaqësuesit e Serbisë ndikojnë që ta pengojnë Kosovën në ndërkombëtarizimin e sporteve, kjo ka ndodhur edhe me hendbollin edhe me basketbollin, por edhe me futbollin. Mirëpo, këto tri sportet tani së paku zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare edhe pse në forma të kufizuara”, shprehet Zuzaku. /Zëri/Telegrafi/