LAJMI I FUNDIT:

Zhdrella, “problem” për Prishtinën

Zhdrella, “problem” për Prishtinën

“Nëse e ndalim Mentor Zhdrellën, atëherë puna është kryer 50 për qind”. Kështu tha dje në konferencë për shtyp trajneri i Prishtinës, Fadil Berisha, para ndeshjes së sotme kundër Hysit, në kuadër të javës të Superligës së Kosovës.

Nuk është kjo deklaratë e rastësishme kur dihet se Zhdrella jo rrallë ka ditur ta ndëshkojë skuadrën nga kryeqyteti.

“Jemi dukshëm të motivuar pas fitores në Mitrovicë dhe me lojë të hapur do të mundohemi që edhe nga Merdara të kthehemi me fitore, aq më tepër pasi në këtë ndeshje jemi të kompletuar”, tha Fadil Berisha, duke bërë me dije se skuadra do të ketë ndryshim të vogël në përbërje nga ajo që u paraqit në “Riza Lushta”, ndërkohë që të gatshëm janë edhe Kukaj, Llumnica e Hyseni.

Nga futbollistët i pranishëm në konferencë ishte Drilon Berisha i cili për dallim nga disa ndeshje tjera, ka shkëlqyer kundër Trepçës ’89.


“Roli im në këtë ndeshje ishte pak më ndryshe dhe kjo mbase ka ndikuar në paraqitjen time. Do të mundohem që edhe në ndeshjet tjera të kem paraqitje sa më të mirë. Edhe në Merdare shkojmë për fitore, kurse sa i përket pyetjes rreth Zabërxhës, mendoj se është lojtar cilësor nga i cili duhet të kemi kujdes”, tha Berisha.

Hysi është ndër befasitë më të këndshme të këtij edicioni dhe skuadra e vetme e cila Prishtinën e ka mposhtur në kryeqytet. “Prishtina është skuadër që motivon dhe ndeshjet me te gjithnjë llogariten si derbi. Ne po kalojmë në formë të mirë dhe shpresoj që kështu të vazhdojmë edhe në ndeshjen kundër kampionit, ndonëse e kam të qartë se na pret ballafaqim tejet i vështirë kur dihen cilësitë e kundërshtarit”, tha kryetyrajneri i Hysit Fadil Ademi, i cili nuk e mohon se kundër Prishtinës edhe një pikë nuk mund të llogaritet mossukses.

Me barazim nuk do të ishte i pakënaqur as Mentor Zhdrella, duke thënë se “do të mundohemi gjithsesi të shënojmë fitore, por nuk është pak as një pikë, pasi Prishtina ka skuadër cilësore dhe nuk mposhtet lehtë”. /Zëri/Telegrafi/