LAJMI I FUNDIT:

Zgjimi i kuçedrave dhe krenaria e miut!

Ky shkrim në vete përmban tre probleme bashkëkohore ndërkombëtare, të cilat në mënyrë simbolike nëpërmjet titullit, shprehin edhe idenë kryesore të shkrimit. Rolin e kuçedrave e luajnë Gjermania mbi Evropën dhe Turqia mbi Ballkanin, kurse Maqedonia si e mjerë që është, shfrytëzon shumë mirë krizën ekonomike, për të treguar krenarinë më naive deri tani, me provokim. Gjithë këto probleme i lidh kriza ekonomike botërore që ka filluar nga viti 2008 dhe ka ndryshuar shumë gjëra në rendin e udhëheqjes së Ballkanit, Evropës apo edhe botës në përgjithësi.

Pas vitit 1990 me bashkimin e pjesës perëndimore dhe lindore, Gjermania ka 81 milionë banorë dhe njëkohësisht e zë vendin e parë në Bashkimin Evropian me popullsi dhe me zhvillim ekonomik. Gjermania njihet si shtet shumë kursimtar por në muajin Maj të vitit 2010 ajo aprovoi një ndihmë 28 miliardë euro drejtuar Bashkimit Evropian. Edhe pas kësaj ndihme, sot kriza greke është realitet dhe Gjermania këtë krizë e ndjen nga fqinji i jugut. Deri tani, kancelarët e një pas njëshëm gjerman e kanë hartuar politikën ekonomike në Bashkimin Evropian, por sot Angela Merkel e gjen veten të izoluar nga dy tema shumë të mëdha siç janë: kriza ekonomike dhe ngrohja globale. Ajo është në disavantazh me tema si zgjerimi i NATO-s dhe temën rreth luftës në Afganistan. Merkel nuk pajtohet me faktin se si kryeministri i Britanisë, David Cameron mendon që të zgjidhet problemi i recesionit ekonomik në Evropë dhe ashpër kundërshton Nicolas Sarkozy rreth pavarësisë së Bankës Qendrore Evropiane. Marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Francës, tradicionalisht motorë binjakë që drejtojnë Bashkimin Evropian, janë të paqëndrueshme.


Metodologjia Merkel-Sarkozy, tregon se ata nuk janë partnerë natyralë. Kancelarja Merkel, rregulloi marrëdhëniet me fqinjët lindorë të Gjermanisë, riafirmoi aleancën me Shtetet e Bashkuara dhe përkrahu më pak Rusinë. Zonja Merkel, e rritur në Gjermaninë Lindore, ka shndërruar Gjermaninë në një mbrojtës të fortë të interesave kombëtare dhe ka zhvendosur vëmendjen nga Franca dhe efektet e luftës së dytë botërore në drejtim të Evropës Lindore dhe Qendrore. Sot, Gjermania vepron sipas politikës më të sigurt “gjithçka do të shkatërrohet nëse nuk e mbajmë fort”.

Margaret Thatcher, kryeministrja e parë femër në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 1979 deri në vitin 1990, lidhur me zhvillimin ekonomik të Gjermanisë tha : “E kemi mundur Gjermaninë dy herë, por tani është rikthyer”. Kjo thënie e zonjës Thatcher në vitet e 90 e vërteton ende politikën sfiduese ekonomike të Evropës. Kjo lloj frike në ditët e sotme mund të duket qesharake, por mesa duket edhe fryma e zbutur e kohëve të sotme vazhdon të shkaktojë urrejtje dhe zemërim, që ndikon në zona të ndryshme, në mënyrë të ndryshme. Sesi Gjermania e shikon të ardhmen ekonomike do të përcaktojë të ardhmen evropiane dhe në këtë mënyrë të botës, gjithashtu. Duke i artikuluar faktet më lartë mund të kuptojmë se Franca dhe Anglia kanë një frikë sa i përket ambicieve të qarta gjermane rreth çështjes kush do të udhëheq me Evropën, përderisa sot është ditur se politikën kryesore në BE e bëjnë këto tre fuqi.

Gjermania, Rusia dhe Turqia e kanë shndërruar Ballkanin në një arenë të re ndikimi politik dhe ekonomik. Gjatë dekadës së kaluar, Turqia ka kryer një politikë të jashtme shumë-dimensionale dhe shumë-rajonale. Me shanset e anëtarësimit të saj në BE pezull, vendi jo vetëm që vështroi në lindje, por gjithashtu ndaj “të jashtmes së afërt” të tij, në Ballkan. Turqia, duke e shfrytëzuar papunësinë e madhe në Ballkan, çmimet e larta dhe konkurrencën jo të drejtë që vjen nga tregu i Azisë, ka tendenca absurde për të kthyer perandorinë Osmane të moderuar në këto troje.

Koncepti i ministrit të Jashtëm turk Ahmet Davutoglu për të ashtuquajturin “neootomanizëm” dhe shtrirje të ndikimit turk në zonat e ish-perandorisë është tashmë i njohur për shumë shqiptarë. Paradoksalisht, përderisa rivaliteti gjermano-rus lidhet kryesisht me Serbinë (si vend me rëndësi strategjike për Ballkanin), Turqia ka gjetur aleatin kryesor te Kosova. Problemet shoqërorë dhe financiare në rritje të lojtarit rajonal të BE-së, Greqisë ofruan hapësirë të gjerë për Turqinë, ekonomia e së cilës tashmë renditet e 12-ta në botë. Petar Shkërbina, analist ushtarak, për ambiciet e Turqisë thotë “Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, interesat strategjike të Turqisë u kthyen në Ballkan, gjithashtu një territor ish-otoman. Kësaj here, ndikimi është ekonomik dhe kulturor, por shpejt do të bëhet gjeopolitik”.

Bursa për student të suksesshëm në Maqedoni dhe gjithandej nëpër Ballkan, bashkëpunimi në mes kompanive ajrore Turkish Airlines dhe kompanisë serbe JAT Airways, Investimi 200 milionësh i kompanisë TAV në rindërtimin e aeroportit në Shkup dhe në Ohër, investimi i ardhshëm i kompanisë Shishe Xham në Maqedoni për të ndërtuar dy fabrika për prodhimin e qelqit, serialet e shumta në gjuhë turke të transmetuara në televizionet në Maqedoni, një festim i përbashkët i jetës dhe arritjeve të Ataturkut që zhvillohet për çdo vit në Manastir, janë vetëm disa ndikime ekonomike dhe kulturore të Turqisë në Ballkan. Këto ndikime ekonomike kontribuojnë në ndërtimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, por këto ndihma të jo-rastësishme ekonomike në Ballkan janë vetëm si parapërgatitje për ambiciet gjoepolitike dhe oreks i dallueshëm i një kuçedre të xhindosur e cila çdo kohë ka pasur si gjah Ballkanin. Këto ditë i ndjejmë edhe hapat e Turqisë për të bërë gjeopolitik në Ballkan me kërkesën që të zëvendësoj pjesët e librave të historisë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni ku tregohet se si ka sunduar e pushtuar Turqia këto troje për 500 vjet.

Derisa Turqia kërkon depërtim kulturor, ekonomik dhe politik në Ballkan dhe Gjermania fillon të marrë rolin e kryesuesit në Evropë, atëherë çka i mbetet Maqedonisë si element i tretë në këtë tregim. Krenaria i mbetet Maqedonisë, por në vazhdim do të shohim se si dhe me çfarë krenohet Maqedonia. Problemi me emrin me Greqinë, kontestimi i figurave historike me Bullgarinë, problem me Serbinë për kishën dhe tensione diplomatike me Shqipërinë rreth regjistrimit të vitit 2011 në Shqipëri për pakicën maqedonase në Shqipëri. Pas gjithë këtyre problemeve, sot ende kemi një kryeministër shumë krenar që nuk bën kompromis për emrin me Greqinë edhe pse e ka të domosdoshme ta zgjidh këtë problem nga faktori ndërkombëtar në vend, kompromis ky që do t’i hapte rrugë vendit për një perspektivë evropiane dhe do të zvogëlonte rrezikun e kolapsit ekonomik. Këto ditë, Greqia duhet të falimentoi ekonomikisht nëse nuk i vjen ndihmë nga shtetet partner të Bashkimit Evropian, dhe Maqedonia e shfrytëzon këtë hapësirë dhe pamundësi të Greqisë për të humbur kohë me fqinjët dhe tregon krenarinë e vet, që përsëri do thosha se është e njëjtë si krenaria e miut të vogël në krahasim me gjallesat tjera më të mëdha në tokë.

Si përfundim desha të përfshi krejt krizën ekonomike si faktor kyç për këto tre elemente problematike, rolin e frikshëm, dominues të Gjermanisë në Bashkimin Evropian si rezultat i dobësimit i dy fuqive tjera, Francës dhe Anglisë ; tendencat e Turqisë për pushtimin me “paqe“ të Ballkanit nëpërmjet ekonomisë dhe kulturës. Por nëse kjo strategji dështon, atëherë mbetet një pushtim politik nëpërmjet celulave pro-turke në Ballkan. Dhe, si element tjetër është Maqedonia dhe mos interesimi i Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të zgjidhur këtë problem një herë e përgjithmonë, duke e lënë pas dore si rezultat i problemeve tjera më me prioritet për t’u zgjidhur.

Nëse këto probleme do të ngelin ende në duar të bursave dhe ekonomisë, këto praktika do të vazhdojnë të zhvillohen por edhe të marrin më shumë hov në të ardhmen. E çka na ngel neve si popull disa milionësh të ndarë në dy shtete zyrtare dhe shumë tjerë që jetojnë nëpër shtete të ndryshme anembanë botës, të larguar nga vendlindja e vetë pikërisht nga kriza si kjo që e kemi në derë për tre vite me radhë?. A do të bëjë kriza ekonomike botën dhe shtetet me popuj të përzier që janë në kërkim të jetës më të mire? është pyetje që fillon të parashtrohet sot këtu tek ne dhe gjithashtu nëpër botë për të ardhmen.