LAJMI I FUNDIT:

Xhubleta, një histori 4000-vjeçare

Xhubleta, një histori 4000-vjeçare

Xhubleta është një tip i veçantë veshjesh për gra, e pashoqe askund tek ndonjë veshje tjetër e kohës së re. Mosha e lashtë, prerja dhe pamja e jashtëzakonshme, repertori i motiveve të përdorura, nga më interesantët në artin tonë popullor, me një autenticitet origjinal, me një sistem harmonik dekorativ në përshtatje të plotë me pjesët përbërëse i japin xhubletës pasaportën kombëtare të kostumografisë etnike.

Biografia dhe gjeografia e xhubletës shqiptare është fokusuar nga një larmi e gjerë studimesh të karaktereve të ndryshëm, duke filluar që në fillim të shekullit XVIII nga letrari hungarez Daniel Kordinez e K. Takolaç, pasuar prej baronit austriak F. Noça (shek. XIX), E. Durham (fillimi i shek. XX), për të vazhduar më tej me tej me autorë të tjerë të kohërave të vona si Rrok Zojzi, B. Jubani, A. Gjergji, M. Fontanes, U. Xhemaj, Agim Bido, etj. Nopça xhubletën në pikëpamjen kostumologjike e përkufizon si “… shumë interesante, për arsye se përkon kryekëput me veshjet në formë fundi të njohura nga disa terrakota të zbuluara në Serbi dhe me gema të shumta të Mikenës, pastaj me objekte të Kretës”. Rrok Zojzi në studimin e tij “Mbi veshjet tradicionale të popullit shqiptar”, mbështetë plotësisht mendimin e Nopçës mbi prejardhjen e xhubletës nga qytetërimi kreto-mikenas. Këtë mendim e kanë pranuar edhe disa autorë të tjerë, si Haerland, Garashanin, Kovaçeviq etj.

Verdikti i pakontestushëm i studiusve dhe etnografëve se xhubleta si një veshje e tillë është përdorur vetëm nga shqiptarët në zonën e Alpeve shqiptare me dy epiqendra, kryesore Malësinë e Madhe në Dukagjin me zgjatime deri në zonën midis Matit dhe Bunës (ku janë vendosur herë pas here malësorë të zbritur nga Malësia e Madhe) për vazhduar tek shqiptarët e Malit të Zi dhe ata të Rugovës në Kosovë.” Ky fokus nxjerrë natyrshëm në ballë të impresioneve gjurmëlënse dhe hulumtimeve serioze për kulturën materiale alpine dhe kostumin me xhubletë të grave kelmendase e dukagjinase. Ky kostum është një ndër monumentet më përfaqësues e më të hershëm të kulturës etnike shqiptare me origjinë afër katër mijë vjeçare…


Ilirologu Aleksender Stpçeviq, për veshjen e lashtë të grave ilire ka arritur në “përfundimin” se “gratë Ilire vishnin gjithashtu një tip fustani që ishte i prerë në brez kështu, që pjesa e sipërme ishte e pëlqyer për trupin, ndërsa pjesa e poshtme ishte e rrudhur dhe kishte formën e kambanës. Këtë formë rrobash e mbanin hyjneshat lokale në monumentet nga epoka romake si dhe gratë valltare të paraqitura në urnat japode nga Ribiqi (shek. V-IV p.e.s.). Me rroba të tilla është veshur hyjnesha Diana, që është paraqitur në monedhat e mbretit ilir Ballaeus (shek. II p.e.s.). Xhubleta e Malësisë, sipas studiuesve të etnologjisë, paraqet një ndër veshjet më të vjetra të Evropës, si mbetje e një qytetërimi të lashtë mesdhetar e ruajtur në shekuj në mënyrë besnike dhe autentike në traditën e veshjes popullore shqiptare. Kombinimi i ngjyrave e figurave në xhubletë ka “nxitur” studiuesin dhe shkrimtarin e njohur hungarez Daniel Kornidez që në vitet 1753-1754 të shkruante: “As palloi, e as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e grave kelmendase-shqiptare, se kjo veshje ka të gjitha ngjyrat e gëzuara të mëmës natyrë”.

Xhubleta, edhe pse për shkak të analogjive që paraqet me disa tipare të qytetërimit kreto-mikenas, nuk ka dyshim se ajo ka qenë një veshje që ka jetuar për shekuj në qytetërimin ilir, është integruar në të dhe është përcjellë përmes shekujve deri në ditë tona. Xhubleta është një mozaik i universit alpin e thurur me një teknologji të posaçme brenda ekonomisë shtëpiake. Ajo përfaqëson një stil të veçantë veshje, që nuk ngjason me ndonjë model të veshjeve të kohërave të reja askund tjetër në Evropën Juglindore. Xhubleta është fundi i shajaktë me ngjyrë të zezë në pala në formë kambane; është repertori i motiveve interesante me fizionomi shumë origjinale. Përfaqëson një profil të ngrirë me pak përkulje, ujdisur e gjitha në një konfeksion të leshtë me një sistem dekorativ të dendur gajtanësh të aplikuar në dy-tri shtresa, të cilat ia shtojnë peshën dhe trashësinë duke e bërë të rrijë si e ngrirë.

Përdorimin e thekëve të gjata për zbukurim, qoftë tek supet e xhokës, qoftë tek anët e poshtme të përparëses formojnë një kompleks karakteristikash arkaike në ndërthurje harmonike së bashku me kërdhokull dhe brezin e gjerë që mbulon mesin e gruas malësore. Malësorja e veshur me xhubletë është shëmbëlltyrë e dekoracionit alpin që rrethon, është një simbolikë poetike, është një kategori estetike e stilit të eposit legjendar verior e krijuar enkas për dekorim madhështor alpin. Xhubleta malësore me formën e sajë që ulet e ngrihet valë-valë është një armë delikate bjeshke, është fisnikëria, është pastërtia shpirtërore, është hijeshia, është sensuliteti, është valllzimi solemn, është vitaliteti, është talenti, është pasioni, është daltimi, është sekreti, është filli i jetës, është ninulla, është puthja, është brenga, është loti, është prehri, është ngrohtësia, është vrazhdësia, është ftohtësia, është metafora, është drita e ndriçimit të kohërave, është velloja e amazonave luftarake shqiptare, është historia, është pasqyra ku reflektohet fjongo e visareve më të vjetra e më të çmuara të kulturës sonë popullore me pigment ilir.

Xhubleta përbehet prej rripash dhe copash shajaku, me një prerje shumë të ndërlikuar dhe kërkon mjeshtri të madhe në të qepur. Një xhubletë përmbante 13-17 rrgozina (rripa), pesë copa përparje nga shtatë rrgozina dhe gjashtë copa të tjera, kraholi 30 copë dhe kërrdhoklla nga shtatë copë. Të presësh dhe të qepësh një kostum, prej kaq shumë copash, nuk ishte lehtë. Kompletimi i një xhublete donte disa muaj punë intensive. Edhe qëndisja dhe zbukurimi i xhubletës ishte një punë po aq e ndërlikuar sa edhe prerja. Përdorimi i një sasie të konsiderueshme spiku të zi në 5-6 rreshta të ngjeshur, kërkonte shumë durim shkathtësi dhe intuitë të pagabueshme. Xhubleta zakonisht për të qëndruar mirë në trup; mbahej me dy rripa shajaku varur tek supet, por nuk përjashtohej lidhja për mesi me një rrip. Pjesën e gjoksit gruaja vishte “grykën” ose një këmishë të shkurtër si bluzë

Etnografët, duke pasur parasysh pjesët përbërëse të këtij kostumi, kanë bërë klasifikimin në dy tipa xhubletash.

Xhubleta e Malsisë së Madhe është shumë e valëzuar; e madhe në formë trapezi; e zezë me një shirit të bardhë në fund (pshtjellaku); brezi i gjerë prej lëkure mbuluar me pulla sermi dhe kërrdhoklat prej shajaku e spiku si një brez rreth 20 centimetra i gjerë i mbërthyer prapa me një kapëse teli dhe së fundi xhamadani me mangë të gjata, përgjithësisht i zi. Çorapet e shkruara prej leshi janë me ngjyrë vjollcë ose trëndafili të qepura pas kallmave. Kallmat bëheshin në formën e kallçijeve (të kopsitura në njërën anë), me shajak të zi, me shumë zbukurime dhe qendistari sipër. Kallmat kombinoheshin me shputa me ngjyra. Në kokë mbahej shamia (ruba që lëshohej lirshëm mbi supe; nuset e reja i mbanin me ngjyra inkandeshente me lule, ndërsa gratë që ishin në zi dhe përgjithësisht plakat në ballë mbani poshe, pakosur si një rrip 4-5 centimetra i gjerë).

Xhubleta e Dukagjinit-Pultit është simotër e saj, por më e ngushtë, më pak e valëzuar dhe pa rrgozinë (shiritin e bardhë) në fund si ajo e Malësisë së Madhe. At Benardin Palaj shkruante: “Në Malsi të Madhe bjen në sy xhubleta në trajtë kumbone, ndërsa në Dukagjin trajta e saj është më e përmbledhtë”. Pjesa e sipërme e trupit gjoksi mbulohej nga “grykëza” kraholi, një xhoke e shkurtë shajaku pa pala, por me thekë të gjata leshi te supet. Brezi i mesit prej lëkure i zbukuruar me pafta dhe unaza treshe prej bronzi, ku vareshin stolitë e brezit. Brezi ishte rreth tetë centimetra i gjerë, por më i ngushtë se brezi i malësores. Karakteristike janë dy futa në formë trapezi, njëra më e madhe, prapaniku rreth 60 centimetra i gjatë me thekë leshi ngjyrë vjollcë, si ato që kishte kraholi tek supet e tjera, dhe prapaniku rreth (30 centimetra i gjatë) që vihej prapa. Në këmbë gruaja mbathte çorape leshi të zeza dhe nuk përdorte kallçe si në Malësinë e Madhe. Në kokë mbante shaminë të lidhur ngushtë. Ky variant kostumi quhej “veshje pultake”(Pultit) dhe ka ruajtur disa tipare arkaike, si në pjesët që e përbëjnë, ashtu edhe në dekorimin e tyre. Ai mbahej kryesisht në zonën e Shllakut e të Temalit, në një pjesë të rrethit të Pukës deri në Nikaj-Mërtur. Në Shalë e në Shosh, sidomos gjatë shekullit XX, xhubleta nuk është shoqëruar me prapanik; ka pothuaj po atë gjerësi si ajo e Malësisë. Pjesa e prapme e xhubletës bëhej me iva (pala) të ngushta të qepura njëra pas tjetrës; prej belit konik deri tek pjesa fundore e valëzuar, ndërsa përpara ishte më e varfër në dekoracion pasi mbulohej nga përpara. Forma e sajë ngrihet valë-valë me lugje (variacione) herë delikate e herë të theksuara. Përdoren kallmet në formën e kalçijeve, pa ndonjë ndryshim nga ato të Malësisë dhe kjo ka ndodhë për shkak të marrëdhënieve ekonomike e shoqërore të ndërsjella që kishin Shala e Shoshi si me Malësinë e Madhe ashtu edhe me Nikaj-Mërturin. Në Shalë e në Shosh xhubleta është një kostum miks mes dy varianteve të zonave të lartpërmendura.

Për mjeshtret malësore, “goditja” e vëllimit karakteristik të kambanës ishte një proces i vështirë plot sekrete që realizohej përmes bashkimit të 25-30 copave shajaku të prera në forma të ndryshme. Lënda e parë është pëlhura e leshtë e shkelur në vegjë; duhej edhe një sasi e konsideruar spiku për thurjen e së cilës ishte përpunuar një teknologji e posaçme. Sasia e spikut ishe e konsiderueshme disa dhjetëra metra linarë dhe vendosej kudo që kishte një të qepur. Motivet zbukuruese vendoseshin horizontalisht në hapësira të ngushta. E vetmja copë tekstili me dekoracion që përdorej në këtë kostum ,vendosej në pjesën qendrore të përparjes, që përfaqësonte një fushë të zezë ose ngjyrë tulle me disa ornamente të thjeshta vibruar me fije të arta, argjendi ose manushaqe. Përparjes mund t’i dekoroheshin edhe rripa të ngushtë cohe të kuqe o vishnje. Ky tip xhublete me të tilla zbukurime quhej e kuqe dhe mbahej vetëm nga gratë e reja, sinonim i potencës së tyre ekzotike (si dielli në zenit) që i dallonte ato nga xhubleta e bardhë me shirita e sensualitetit vajzëror (joshëse si rrezet e para të diellit pranveror) dhe xhubletës së zezë që mbanin gratë e moshuara si prag i muzgut të ashpër e të ftoftë të pleqërisë dimërore. Sot për sot nuk njihen paraqitje figurative të xhubletës përpara shek. XIX, kemi vetëm një përshkrim të Kordinezit të shek. XVIII. Etnografët, duke bërë krahasime e një varg xhubletash të fiksuar në celuloid nga mjeshtri Marubi në çerekun e fundit të shek. XIX dhe xhubletës së çerek shekullit dytë të shek. XX e në vazhdim, kanë arritur në konkluzionin se kjo veshje ka ardhur duke u thjeshtësuar shumë, qoftë nga ngjyrat, qoftë nga zbukurimet, aq sa nga kujtimi i largët ka mbetur vetëm emri “xhubletës së kuqe” Kështu që xhubletat mbas Luftës së Parë Botërore kanë qenë pothuaj krejt të zeza, me një dhe me zbukurime me rruaza të errëta, çfarë tregon se pushteti dhe rëndësia e saj erdhi duke rënë aq sa pas Luftës Së Dytë Botërore doli krejtësisht jashtë qarkullimit, me përjashtim të rasteve ceremoniale dasma e vdekje ku përdoret si objekt honorik.

Xhubleta jonë mijëvjeçare është krenaria e kulturës sonë të lashtë, ndoshta nga të vetmet veshje pa asnjë ndikim oriental, as sllav, dhe është dyvariantëshe (M. Madhe – Dukagjin), shëmbëlltyre e Alpeve tona madhështore simbolikë e kulteve të vjetra pagane të stilizuara me zgjuarësi e delikatesë