LAJMI I FUNDIT:

Wikipedia po përballet me një krizë ekzistenciale: A mund ta shpëtojë brezi Z?

Wikipedia po përballet me një krizë ekzistenciale: A mund ta shpëtojë brezi Z?
Ilustrim

Nga: Stephen Harrison, gazetar që trajton temat e teknologjisë dhe autor i romanit Redaktorët [The Editors] që është frymëzuar nga Wikipedia / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Themeluar në vitin 2001, Wikipedia tashmë është një “plak” sipas standardeve të internetit. Por, mbetet befasues roli që luan në njohuritë tona kolektive për botën. Përmbajtja nga enciklopedia e lirë e internetit shfaqet në çdo gjë, nga punimet e maturës së shkollës së mesme dhe pyetjet triviale në pijetore, e deri te përmbledhjet e motorëve të kërkimit dhe asistentët zanorë. Mjetet si AI Overviews nga Google dhe ChatGPT mbështeten shumë në Wikipedia, megjithëse rrallëherë e vlerësojnë faqen në përgjigjet e tyre.

Dhe, këtu qëndron problemi: derisa dukshmëria e Wikipedia-s po zvogëlohet, duke u reduktuar në të dhëna të thjeshta trajnimi për aplikacionet e inteligjencës artificiale [AI], ajo gjithashtu humb rëndësinë në mendjet e lexuesve dhe kontribuuesve të mundshëm. Kur dikush vëren një temë që përshkruhet keq në Wikipedia, ai mund të ndihet i motivuar për ta korrigjuar. Por, ky vullneti për të sfiduar mund të tretet kur gabimi vjen përmes një përmbledhjeje të AI-së, ku burimi i informacionit nuk është i qartë.


Në Katovicë të Polonisë, në konferencën vjetore të vikimanisë [Wikimania] në muajin e kaluar – një ngjarje që ndihet paksa si samit ndërkombëtar i bibliotekarëve – shumë nga folësit theksuan se si Wikipedia përballet me një kërcënim ekzistencial për t’u zhdukur në errësirë ​​ose në gjendje të vështirë. Por, u fol gjithashtu për një zgjidhje që mund të ndihmojë në sigurimin e së ardhmes së Wikipedia-s, ose të paktën të parandalojë shkatërrimin e saj të parakohshëm: rekrutimi i më shumë redaktorëve të rinj nga brezi Z dhe rritja e ndërgjegjësimit të tyre se sa gjerësisht përdoret përmbajtja e Wikipedia-s në internet.

Wikipedia funksionon sipas një modeli të vullnetarëve të papaguar dhe të pavarur që krijojnë, përditësojnë dhe mirëmbajnë përmbajtjen. Redaktorët e rastësishëm mund të bëjnë modifikime të vogla stilistike në një faqe, ndërsa të tjerët i kushtojnë kohë të konsiderueshme krijimit të artikujve të plotë. Një numër i konsiderueshëm i kontribuuesve të Wikipedia-s janë tashmë nga brezi Z; sipas një sondazhi të vitit 2022, rreth 20 për qind e redaktorëve të Wikipedia-s janë mes moshës 18 dhe 24-vjeçare. Edhe pse kjo reflekton përafërsisht popullsinë globale, ekziston një dëshirë e qartë për të rritur këtë përqindje.

Si autor për teknologjinë, dhe gjatë kërkimit tim të Wikipedia-s për romanin tim Redaktorët [The Editors], shpeshherë kam dëgjuar të njëjtat çështje që e pengojnë brezin e ri të bashkohet me kauzën. Së pari dhe më kryesorja, celulari inteligjent është pajisja e preferuar e qasjes në internet të brezit Z, por nuk është mjet i lehtë për të redaktuar Wikipedia-n. Edhe ai që e njeh shumë mirë teknologjinë digjitale, e ka të vështirë të redaktojë enciklopedinë me një ekran të vogël.

Ka përjashtime. Hannah Clover, një kanadeze 22-vjeçare, ishte fituesja më e re deri tash e “Vikimedianit të Vitit” në vikimaninë e muajit të kaluar. Ajo gjithashtu është një specie e rrallë: një vikipediane shumë punëtore që ka bërë më shumë se 75 për qind të redaktimeve të saj duke përdorur celularin. Shumë prej tyre ishin modifikime që ajo bëri në lëvizje, ndërsa udhëtonte në autobus ose gjatë pushimeve të ndërrimeve në punën e saj të mëparshme në McDonald’s. Për Cloverin, bashkimi në enciklopedinë globale ndihmoi në ofrimin e një kuptimi për qëllim. “Të shërbesh akullore për njerëzit, kjo nuk është në të vërtetë një përpjekje për të ndryshuar botën”, më tha ajo. Clover ka rekomanduar përmirësime në aplikacionin mobil të Wikipedia-s, duke përfshirë aftësinë për të krijuar artikuj të rinj dhe një editor vizual që nuk kërkon aftësi kodimi.

Një tjetër pengesë për tërheqjen e kontribuuesve të gjeneratës Z është se Wikipedia e sotme është thjesht më e ngritur. Steven Pruitt është një legjendë e Wikipedia-s, me numrin më të madh të redaktimeve të bëra në Wikipedia në anglisht, në më shumë se pesë milionë raste. Tani 40 vjeç, Pruitt tha se kur filloi për herë të parë redaktimin, 20 vjet më parë, projekti ndihej si një territor i paeksploruar: ai kishte liri të konsiderueshme për të krijuar artikuj të rinj. Sot, me kaq shumë faqe që veçse ekzistojnë, ka më pak mundësi për të shtuar përmbajtje të reja. Kjo do të thotë se brezi Z duhet t’i qaset Wikipedia-s jo si një perëndim i egër interesant, por si një institucion që mund të përmirësohet gradualisht.

Megjithatë, është më e vështirë për redaktorët e rinj që të gjejnë rrugën e tyre. Gjeneratat e mëparshme në shumë raste filluan duke bërë redaktime të vogla, si rregullimi i gabimeve drejtshkrimore ose evidentimi i vandalizmave, por në ditët e sotme shumë nga këto detyra trajtohen nga mjetet e automatizuara. Pa pika të qarta për hyrje, redaktorët e rinj mund të zhyten në redaktimin e artikujve më të diskutueshëm, ku një hap i vetëm i gabuar mund të shkaktojë reagime të ashpra. Vikipedianët me përvojë nuk njihen si të këndshëm: nëse një redaktor i vjetër poston komente të shkurtra dhe vërejtje në faqen e diskutimit të një përdoruesi të ri (ku redaktorët diskutojnë përmirësimet e artikujve), natyra publike e kritikës mund të jetë mjaft e turpshme saqë dekurajon të sapoardhurin nga vazhdimi i punës si vullnetar i rregullt.

Ashtu si të tjerët në grupin e saj, Cloveri lindi pasi u themelua Wikipedia, kështu që imazhi i saj mendor për enciklopedinë është formuar më shumë nga Wikipedia sesa nga raftet e Encyclopaedia Britannica-s me kopertina lëkure. Ky dallim brezash shtrihet në normat e komunikimit. Cloveri dhe bashkëmoshatarët e saj shpeshherë angazhohen në platforma bisedash si Discord, ndërsa disa vikipedianë më të vjetër preferojnë t’i mbajnë debatet të kufizuara në faqet e diskutimit të Wikipedia-s, ku bisedat janë më të fokusuara dhe më pak sociale. Cloveri beson se ofrimi i më shumë mundësive për ndërveprim social është thelbësor për ndërtimin e një ndjesi të përkatësisë në komunitet dhe qëllimit të përbashkët mes redaktorëve të rinj. Siç tha ajo: “Kur je i ri, mund të ndihesh sikur gjithçka që po bën po shkon në një boshllëk të madh”.

Derisa gjeneratat e ndryshme përfundimisht mund të gjejnë gjuhën e përbashkët, marrëdhënia e ardhshme midis redaktorëve njerëzorë dhe AI-së ​​mbetet e pasigurt. A do të zëvendësojë AI-ja përfundimisht vullnetarët njerëzorë? Le të shpresojmë që jo. Përpilimi i një enciklopedie kërkon gjykime që kuptohen më mirë nga njerëzit të cilët njohin kontekstin social. /Telegrafi/

Fortunately, gen Z doesn’t seem inclined to immediately surrender Wikipedia to AI. During an online debate last year about whether Wikipedia editors should incorporate chatbot-generated content, several young contributors urged caution, pointing out how large language models often produce errors and fail to cite sources accurately. And beyond AI’s shortcomings, there is a great human benefit to young people’s increased participation in the world’s most important knowledge platform. As a generation that is overall very cynical about media and institutions, contributing to Wikipedia allows them to channel their concerns into something constructive. Gen Z may still have plenty of criticisms of old institutions like Wikipedia, but at least they will have got involved.

Për fat të mirë, brezi Z nuk duket i prirur që t’ia dorëzojë shpejt Wikipedia tek AI-a. Gjatë një debati në internet, vitin e kaluar, nëse redaktorët e Wikipedia-s duhet të përfshijnë përmbajtje të krijuar nga çetbotët, disa kontribuues të rinj kërkuan kujdes, duke vënë në dukje se si modelet e mëdha gjuhësore shpeshherë bëjnë gabime dhe nuk arrijnë të citojnë me saktësi burimet. Dhe, përtej mangësive të AI-së, ka një përfitim të madh njerëzor nga rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në platformën më të rëndësishme të njohurive në botë. Si një gjeneratë që është në përgjithësi shumë cinike për mediat dhe institucionet, kontributi në Wikipedia i lejon ata të kanalizojnë shqetësimet e tyre në diçka konstruktive. Brezi Z mund të ketë ende shumë kritika ndaj institucioneve të vjetra si Wikipedia, por të paktën ata do të jenë përfshirë. /Telegrafi/