LAJMI I FUNDIT:

“Vuçiq mos u zemëro kaq shumë, nuk të dëgjon kush!”

“Vuçiq mos u zemëro kaq shumë, nuk të dëgjon kush!”

Pse presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të shkojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB? Dhe cilat janë shkaqet për zemërimin e tij?

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vendosur që të fillojë një fazë të re në raportet me bashkësinë ndërkombëtare, që mund të quhet edhe si bojkotim i heshtur i Brukselit dhe Uashingtonit.

Vendimin e ka marrë Vuçiqi, por e ka publikuar udhëheqësi i zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, i cili tha se Brukseli duhet të presë pak për vizitën e ardhshme të Vuçiqit atje.


Ndërkohë që Vuçiq nuk do të marrë pjesë as në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Në Nju Jork do të udhëtojë kryeministrja Ana Brnabiq.

Gjuriq shpjegoi se Vuçiqi ka ofruar disa zgjidhje për çështjen e Kosovës, por atë e kanë kritikuar shumë për këto ide.

Gjuriq tha se presidenti i Serbisë është përballur me heshtje, me distancim nga idetë e tij, e madje edhe “me sulme të tmerrshme”, ndaj Gjuriq tha se në Bruksel “tani do të presin edhe ca kohë deri sa Vuçiq të shkojë në takimin e ardhshëm”.

Pse është zemëruar presidenti?

Nëse zemërimi i presidentit të Serbisë Vuçiq ndërlidhet me idetë e tija për përkufizim me Kosovën, atëherë nuk dihet saktë se për cilat sulme të bashkësisë ndërkombëtare e ka fjalën Gjuriqi.

Ideja për përkufizimin, ndarjen e territoreve apo shkëmbimin e tyre, nuk është pritur me ndonjë entuziazëm të madh në disa vende perëndimore, por është tërësisht e tepruar të thuhet se për këto ide Vuçiqi “është përballur me sulmet më të tmerrshme”.

Në disa vende ka pasur madje mirëkuptim për idetë e Vuçiqit.

Një numër i madh i diplomatëve evropianë ka bërë të ditur – ndonëse me shumë kujdes – se janë të pranueshme marrëveshjet që arrihen mes Prishtinës dhe Beogradit, e shikuar nga shkrimet e mediave serbe, më së paku kundërshtime për këto ide ka pasur në SHBA.

Mediat serbe kanë bërë madje gara me shkrimet se administrata amerikane e ka ndryshuar qëndrimin dhe se ajo nuk ka asgjë kundër zgjidhjeve të cilat do të nënkuptonin ndonjë lloj ndarjeje apo përkufizimi.

Po pse është i zemëruar Vuçiqi pra?

Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane thotë: “Vuçiqi zemërohet tepër shpesh dhe ne shpesh nuk e dimë fare pse është zemëruar presidenti. Skenarë të ndryshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës janë paraqitur në opinion, por ne kurrë nuk kemi marrë ndonjë konfirmim zyrtar se cili është propozimi i autoriteteve serbe. Ne vetëm dimë se Serbisë nuk i përgjigjet status quo-ja, që do të thotë se ajo angazhohet për përkufizim, korrigjimin e kufijve, shkëmbimin e territoreve – por përgjigjen e saktë nuk e kemi marrë kurrë”.

“Ndaj kam frikë se fjalët e Gjuriqit janë vetëm një truk për opinionin e brendshëm. Kjo duhet të bindë qytetarët serbë se Vuçiqi ka bërë gjithçka brenda mundësive të tij, por bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme t’i pranojë kërkesat tona. Ndaj kur të vijë koha e nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve në referendum, sepse ndonjë zgjidhje tjetër nuk ka qenë e mundur”, mendon Beshiri.

Brukseli në akull

Gazetari i revistës NIN, Vladan Marjanoviq thotë se Gjuriqi shpesh tingëllon si një komik stand-up dhe si e tillë mund të konsiderohet edhe deklarata e tij.

“Thuhet se Bashkimit Evropian do t’i jepet kohë e mjaftueshme që të kuptojë se sa ka gabuar ndaj Vuçiqit dhe qëndrimit të tij heroik për ‘zgjidhjen” e çështjes së Kosovës, ndonëse Vuçiqi e ka pranuar në fjalimin e tij në Mitrovicë se ai nuk ka ndonjë zgjidhje. E kur BE ta kuptojë gabimin, atëherë Vuçiqi do të mëshirojë dhe do të shkojë në bisedime. Ndërkohë autoritetet serbe do të bartin me krenari gjithë këtë mllef ndaj mosmirëkuptimit të ideve të Vuçiqit në Bruksel dhe Berlin”, thotë Marjanoviq.

Është shumë e qartë që Gjuriqi në këtë rast është vetëm bartës i fjalëve të Vuçiqit. Por duket qartë se Vuçiqi është kaq i zemëruar me perëndimin sa që vendimin e tij e ka kumtuar dikush tjetër, e jo ai vet.

Vladan Marjanoviq thotë se me këtë vendim Beogradi sugjeron se “ka qenë i gatshëm për kompromise, por tani për një kohë të caktuar do të ketë qëndrime shumë të ngurta. Kjo nënkupton mundësinë e vazhdimit të mos zgjidhjes së çështjes së Kosovës – që sipas të gjitha gjasave është edhe qëllimi përfundimtar”.

Zemërimi është dëshmi i (pa)aftësisë

Aleksandar Vuçiq ka vendosur të mbaj inat me bashkësinë ndërkombëtare, por qytetarët e Serbisë më shumë janë të interesuar të dinë se çfarë mund të arrihet me këtë politikë dhe diplomaci.

Ndoshta dikush në pushtetin serb ka menduar se autoritetet perëndimore do të shqetësohen dhe nuk do të flenë të qetë pas zemërimit të Vuçiqit, por kjo dëshmon se diplomacia serbe është në një krizë shumë më të thellë sesa që mendohet.

A mund të ketë me mjete të këtilla një zgjidhje më të mirë për Serbinë në çështjen e Kosovës?

Naim Leo Beshiri thotë se “me këtë sjellje infantile nuk mund të arrihet asgjë. E gjitha kjo është vetëm për përdorim të brendshëm, me qëllim që mbështetësit e Vuçiqit të mund të thonë se Vuçiqi ka mundësi që të zemërohet me dikë dhe të mos flas me ta. Asgjë pozitive nuk mund të ketë nga refuzimi i bisedimeve, sepse pa bisedime me Brukselin dhe qendrat e tjera ndërkombëtare, çështja me siguri nuk do të zgjidhet. Kjo do të thotë se bisedimet duhet të vazhdojnë, madje edhe me ata me të cilët nuk pajtohesh, e nëse bisedimet vazhdojnë, shtohet edhe mundësia e gjetjes së një kompromisi”, konstaton Beshiri. /DW/

Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori