LAJMI I FUNDIT:

Vrasja e Sali Nivicës – për një fjalë goje!

Vrasja e Sali Nivicës – për një fjalë goje!

Nga: Roland Qafoku

Në gazetën e tij “Populli”, Sali Nivica kishte bërë me dhjetëra shkrime për zakonet e shqiptarëve, pa e ditur se edhe vetë do të bëhej viktimë e këtyre zakoneve.

Gazetari që kultivoi gjuhën shqipe në të dy dialektet, gegërishte dhe toskërishte, braktisi Labërinë për të punuar dhe jetuar në Shkodër deri ditën që vdiq. Vdekja i erdhi të dielën e 10 janarit të vitit 1920 nga dy plumba në trup të marra nga Kolë Ashiku. Pothuajse një atentat si për t’i vulosur dy zakonet e lashta se shqiptari të vret nëse e fyen dhe se shqiptari fyhet akoma më shumë kur këtë fyerje ia vënë në dukje të tjerët sesa ai e ndjen vetë.


I armatosur me hakmarrjen dhe me një pistoletë nagant, autori Kol Ashiku vrau gazetarin e dytë në historinë e shtetit shqiptar. Sali Nivica ishte njëkohësisht ai që zëvendësoi në detyrë Mustafa Qullin, kryeredaktorin e parë të gazetës “Populli”, edhe ai i vrarë më 17 korrik 1915 po në Shkodër.

Vetëm tet; vjet nga themelimi i shtetit, në Shqipëri ishin vrarë dy gazetarët dhe botuesit e asaj gazete që cilësohej “artileria e kohës”.

SKENA E KRIMIT

Atë mëngjes të 10 janarit, Sali Nivica doli nga godina e Post-Telegrafës në Shkodër me letra e gazeta në dorë, kur krejt papritur i doli përpara Kol Ashiku. Vetëm një metër larg Ashiku nxori nga xhepi pistoletën Nagant dhe e qëlloi me gjashtë plumba në trup. Saliut i ranë të gjitha letrat dhe gazetat nga dora e, megjithatë, duke u rrëzuar nxori nga xhepi pistoletën e vet dhe qëlloi katër herë ndaj Kolë Ashikut që u largua me vrap. Por, të katër plumbat që nxori nga pistoleta goditën muret e Konsullatës italiane që ishte aty pranë dhe asnjë autorin.

SI U ORGANIZUA VRASJA?

Pas gjashtë vitesh qëndrimi në Shkodër, Sali Nivica njihej si një nga të ardhurit më intelektualë. Por, gazetari që kishte ngritur peshë zemrat e shkodranëve me shkrimet e tij, pësoi një incident pikërisht me një banor vendas. Sejfi Vllamasi, një nga personalitetet e kohës, e tregon kështu konfliktin mes Sali Nivicës dhe autorit të krimit.

“Saliu ka dashë të marrë me qira për zyrë e për banim një dhomë mbi dyqanin e këtij të fundit, por mbasi ky e han fjalën, Saliu i vrazhdë nga goja i thotë: ‘Burrit me mustaqe s’i ka hije të hajë fjalën’. Kjo fjalë e prek Kolën, i cili i koritur vendos të hakmerret”.

Ndërsa, biografi i Sali Nivicës, Ylber Skëndi, jep detaje të hollësishme për momentin e vrasjes.

“Ai… dalloi Saliun që i kishte kthyer krahët. Menjëherë u fsheh prapa një muri dhe priti. Saliu doli nga posta dhe mori rrugën qetë-qetë. Më tej me revolver në dorë e gishtin në këmbëz rrëshkiti një hije. Ju afrua fare afër, gati sa ta prekte me dorë dhe qëlloi. Plumbat u zbrazën mbi të. Saliu që mezi mbahej në këmbë lëshoi letrat e gazetat. U mbështet në mur me dorën e majtë, bëri të kthehej mbrapa, nxori revolverin, u ul në gjunjë dhe qëlloi katër herë mbi spiunin, por më kot”.

Skenën e krimit e ka përshkruar më saktë Sejfi Vllamasi.

“Kur del prej poste, krimineli që ka qenë në pritë, i del përpara befas dhe e qëllon dy herë me revolver, duke e plagosur rëndë. Ashiku tentoi të ikte, por katër plumbat e Saliut e detyruan të futej në Konsullatën italiane… Saliu vdiq prej plagës dhe hemoragjisë”.

VRASJE ORDINERE APO E ORGANIZUAR NGA ITALIANËT

Me dhjetëra herë diplomatët italianë në Shkodër i kishin futur në rreth të kuq shkrimet kundër tyre me autor Sali Nivicën. Labi që jetonte në kryeqendrën e Veriut ishte bërë për ta një problem me shkrime që kishin në shënjestër italianët. Në Arkivin e Shtetit gjendet një dokument të hartuar nga Sali Nivica në të cilin ai deklaron: “Nuk lishojmë as një pllambë tokë prej Vlone, Sazani e Pashalimani”.

Ndërsa në numrin e datës 30 nëntor 1919 të gazetës “Populli” Nivica shkruan: “Italia pa e ftue kush nuk i përket me mundue shqiptarët pse janë miq e kundërshtarët e një njeriu të lem në Tiranë qi nuk asht tokë italiane. Gjarpër me pas kena Esad Pasha, një fjalë e moçme na porosit mos e shtyp me dorë të huaj”.

Por, të dhënat sekrete flasin se italianëve u erdhi në dorë një rast. Sali Nivica u fut në konflikt me një Kolë Ashiku. Biografi i Sali Nivicës, Ylber Skëndi, ka zbuluar se Kolë Ashiku zbriti nga një makinë ushtarake italiane dhe këtu nis edhe skena e krimit. Sipas Skëndit, plumbat u përplasën në dyert e Konsullatës italiane, ku Kola shkoi me vrap për t’u strehuar.

Pas vrasjes opinioni u nda më dysh për sa i përket pyetjes nëse vrasja ishte thjesht personale apo e organizuar nga italianët. Ndonëse ka pak kundërshti, politikani i kohës Sejfi Vllamasi duket se është më afër së vërtetës.

“…krimineli ndofta mund të jetë influencuar nga italianët e agjentët e tyre shqiptarë, por vrasja e Salih Nivicës, më tepër se një krim politik, ishte një vrasje ordinere që ka dëmtuar shumë politikisht”.

DËNIMI I VRASËSIT

Dy vjet e gjysmë, 17 seanca gjyqësore, 20 dëshmitarë dhe në fund ai dënohet me 2,5 vjet burg për vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes dhe lirohet sapo u dha vendimi përfundimtar. Pas lirimit Kolë Ashiku u largua nga Shkodra për në Beograd dhe atje punoi në një hotel. Të gjitha dokumentet tregojnë se ai aty nisi një aktivitet spiunazhi të disafishtë. Në fillim ai ishte pjesë e shërbimit sekret të Ahmet Zogut dhe më pas, për gjatë Luftës së Dytë Botërore, me italianët dhe gjermanët. Gjatë pushtimit të Shkodrës nga gjermanët, Kolë Ashiku u emërua shef Informativ i Qarkut të Shkodrës. Kjo solli armiqësinë e hapur të komunistëve, të cilët nisën planin për vrasjen e tij. Më 22 shtator 1943 ora 19.00 në rrugën “29 Nëntori” pranë bashkisë njësiti gueril komunist i Shkodrës, i drejtuar nga Vasil Shanto, i bëri atentat Kolë Ashikut, por ai mbeti i plagosur. Më 1946 ai u dënua me vdekje nga një gjykatë e sistemit komunist si armik i popullit dhe u ekzekutua.

(Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar, 1912-2017”)

Në trend Kultura

Më shumë
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
PARAJA

PARAJA

Poezi
SKLLEVËR

SKLLEVËR

Poezi
PORTRETI

PORTRETI

MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Tarkovsky dhe pasioni

Tarkovsky dhe pasioni

Filmi
Kalo në kategori